Një ditë para nisjes zyrtare të Superligës, Dinamo ka prezantuar për publikun revolucionin që mori jetë gjatë verës. Klubi tani do quhet Dinamo City dhe kjo vihet re edhe në logon e re, të stampuar në fanellat e këtij sezoni që do jenë ngjyrë blu.
E para blu e hapur dhe e dytë blu e mbyllur, ndërsa fanella e tretë do jetë e bardhë. Pjesë e prezantimit ishin edhe disa prej futbollistëve, ndërsa për herë të parë për projektin ‘Dinamo City’ foli edhe trajneri Luigi di Biagio, një prej ish futbollistëve më të njohur italian
“Një sfidë e madhe për mua të jem trajner i Dinamos sepse e njoh historinë e madhe të këtij klubi, por edhe problemet që ka pasur vitet e fundit duke zbritur nga Superliga dhe duke mos fituar trofe. Ne megjithatë jemi këtu për këtë punë dhe falë një projekti 2-3 vjeçar, por megjithatë shpresojmë ta arrijmë më herët,”-u shpreh Luigi di Biagio, trajner i Dinamos.
Pas aventurës shumë të suksesshme te Skënderbeu, Haris Fakic, do jetë drejtori i Dinamos.
“Është herë të flasim për objektiva, për titullin kampion, por ne jemi menduar për të pasur një skuadër kompetitive këtë sezon. Unë besoj se ky vit është një vit stabilizimi i klubit në aspekt rezultatesh,”-tha Haris Fakiç, drejtor i Dinamos.
Tani ‘nëndetësja’ nuk do ketë më vetëm presidentin Ardian Bardhi i cili e financon, pasi pjesë e projektit janë bërë edhe biznesmenët Edmond Shahini, Genci Mataj dhe Ergys Agasi.
“Do të ketë një bashkim forcash për të ardhmen e Dinamos, që të bëhet një klub gjithmonë e më shumë kompetitiv,"-deklaroi Ardian Bardhi, president i Dinamos:.
Dinamo ndeshjen e parë të sezonit të ri do ta luajë të dielën kundër Tiranës në ‘Elbasan Arena’.