Organi më i lartë i futbollit botëror, FIFA ka bërë dy përditësime në muajin prill dhe Tirana e Dinamo e gjejnë veten me merkato të bllokuar. Në një vëzhgim të thjeshtë në faqen e FIFA-s, bie në sy se dy klubet nuk janë të vetmet nga Superliga, ndërsa edhe Laçi i ka ende llogaritë e pambyllura me gjyqet.
Dënime të tilla do të thotë se në tre dritaret e ardhshme të transferimeve, klubet nuk do mund të regjistrojnë lojtarë të rinj. Gjithçka vjen pasi klubet e dënuara nuk kanë shlyer detyrimet kundër ish-lojtarëve apo ish-drejtuesve që kanë fituar gjyqet.
DINAMO - Klubi i Dinamos në datën 4 prill ka mësuar se FIFA e ka dënuar me tre sesione merkatoje duke mos regjistruar emra të rinj. Ende nuk dihet se cili futbollist apo drejtues nuk është shlyer nga klubi "Blu", ndërsa fakt është se ata tanimë janë të bllokuar.
TIRANA - Telashe të reja për Tiranën, pasi në datën 8 prill i është shtuar një bllokim i ri, pas atij të datës 25 mars. Kësisoj Refik Halili dhe klubi duhet të reagojnë, pasi si të mos mjaftonte forma e dobët sportive, bardheblutë e shohin veten edhe në telashe me ish-pjesëtarët e klubit.
Në listën e publikuar nga FIFA, klubet nga Shqipëria që kanë merkato të bllokuar janë: KS Luftëtari (tanimë i shkrirë), Oriku, Laçi, Tirana dhe Dinamo.
ZGJIDHJA - Mjafton që klubet të shlyejnë detyrimet ndaj palëve që u kanë borxh në llogaritë e përcaktuara, ndërsa njoftohet FIFA dhe bën zhbllokimin e merkatos. Për secilin klub nuk dihen lojtarët që kanë fituar gjyqet.
Faximile e FIFA.com
Komente
