Festa e Dinamos

Sport

Historike/ Dinamo monumentale, mposht 3-1 gjigantët e Hajdukut të Splitit në Tiranë pas 120 minutave dhe ‘fluturon’ në play-off e Conference League

14 Gusht, 23:29| Përditesimi: 15 Gusht, 00:24

  • Share

TIRANË - Dinamo e Tiranës ka shkruar historinë në ‘Air Albania’. Djemtë e Ilir Dajës mposhtën 3-1 Hajdukun e Splitit në sfidën e kthimit të turit të tretë kualifikues të Conference League dhe shkojnë në play-off, ku gjejnë polakët e Jagiellonia. Kurrë në histori Dinamo nuk kishte kaluar dy ture në garat evropiane. Sfida e parë në Split ishte mbyllur 2-1 për kroatët, por në Tiranë ‘Blutë’ e Dinamos ishin më të freskët dhe eliminuan një ekip si gjigantët e Hajdukut. Më të saktë tanët që dominuan ndeshjen, paçka se dueli shkoi me shtesa.

Dinamo e nisi mirë ndeshjen dhe gjeti golin e epërsisë që në minutën e 14-të me Zabërgjën, pas asistit të Bregut. Në minutën e 78-të Hajduku mbeti me një lojtar më pak, pas daljes me karton të kuq të Sanyang. Koha e rregullt u mbyll 1-0 dhe me rezultatin e përgjithshëm 2-2 përballja iu drejtua shtesës.

Në minutën e 99-të festuan 2 mijë tifozët miq në stadium, pasi Hajduku barazoi me Karacic. Dinamo nuk u dorëzua dhe gjeti avantazhin me supergolin e Qardakut nga 25 metra largësi, në minutën e 109-të. Festë dhe tension në stadium, por Dinamo nuk u ndal me kaq, pasi shënoi edhe golin e tretë me Hekuran Berishën.

Në fund festë për Dinamon, me strategun Ilir Daja që merr kualifikimin e 14-të në karrierë. Kështu, Dinamo eliminon Hajdukun e Splitit dhe në play-off e Conference League luan me polakët e Jagiellonia.

Ora 00:23
Suksesi në Evropë ‘deh’ Adrian Bardhin, presidenti i Dinamos: Ilir Daja ka firmosur për 30 vite me ne

Pas kualifikimit në play-off e Conference League, presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi nuk i fshehu emocionet, teksa bëri edhe një batutë kur u pyet për rinovimin e trajnerit Ilir Daja. Ai tha se Daja ka firmosur me Dinamon për 30 vite dhe i kanë mbetur edhe 29 të tilla.

“Unë ndenja deri në fund, kisha shumë besim tek ekipi, te çunat. Jemi përgatitur shumë dhe kisha shumë besim, që do ia dilnim. E mendoja këtë mbrëmjen. Daja ishte njeriu i duhur për të arritur këtu. Kemi një grup djemsh të mrekullueshëm. I përshëndes edhe iu them, forca Dinamo. Me Dajën do të shkojnë shumë larg.

Rivovimi? Daja ka firmosur kontratë 30 vjeçare me Dinamon. Ky është viti i dytë, i mungojnë edhe 29 të tjera. Jam shumë rehat. Është hera e parë që unë shikoj 120 minutat e Dinamos. Një nga provat që unë e kalova. Dinamos i takon të jetë gjithmonë pretendente për kampion. Gjithmonë objektivat e Dinamos do të jenë për të fituar kampionatin. Kemi bërë shumë gjëra për të bërë Dinamon e madhe, i bëj thirrje popullit dinamovit, që t’i bashkohen skuadrës. Janë gjithmonë të mrekullueshëm”, u shpreh presidenti Bardhi për Supersport.

Ora 00:12
Strategu Ilir Daja: Sot jemi të gjithë në lot, prezantuam më së miri futbollin shqiptar

Pas eliminimit të Hajdukut të Splitit, trajneri i Dinamos, Ilir Daja tha se ekipi i tij e meritoi suksesin duke bërë histori për klubin. Për Supersport, Daja shtoi se të gjithë kanë qenë në lot pas ndeshjes që u fitua 3-1 nga të tijtë në 120 minuta lojë të zhvilluara.

‘’Besoj se të gjithë ishim në lot, ishte një mbrëmje historike për futbollin shqiptar dhe Dinamon. Kishim përballë një gjigant si Hajduku, me një kontigjent lojtarësh dhe staf. Kemi prezantuar në mënyrën më të mirë futbollin e klubeve të Shqipërisë.

Çunat luftuan deri në fund, e meriton dhe presidenti që ka bërë të mos mungojë asgjë, gjithashtu e meritojmë edhe ne stafi. Më duhet të dal nga modestia ime, po më vinte shumë keq sepse kishim shumë raste përpara portës. Në krahasim me Hajdukun në ndeshjen e sotme kishim shumë raste. Ajo që më bëri të besoj ishte loja e mirë e çunave.

Në fund fare, jemi të lumtur që bënë historinë. E kam bërë me Skënderbeun ndaj Dinamos së Zagrebit, edhe sot përballë një gjiganti të futbollit kroat si Hajduku. Të përballesh me kundërshtarë të nivelit të Hajdukut, është një bonus psikologjik edhe për lojtarët. Me shumë krenari lojtarët tanë hodhën një hap drejt personalitetit.

Të festojmë sot njëherë, sepse na takon, pastaj nesër do të merremi me Jagellonian. E dimë që është një kundërshtar shumë i vështirë, por do të mundohemi të bëjmë atë rrugëtim që kemi nisur”, u shpreh Ilir Daja për Supersport.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?