SPLIT, Kroaci - Dinamo e Ilir Dajës mund të kishte marrë të paktën një barazim kundër Hajdukut të Splitit në udhëtim, nëse mbrojtja e ‘Bluve’ do ishte treguar më e kujdesshme. Ekipi shqiptar u mposht 2-1 me përmbysje nga Hajduku në aktin e parë të turit të tretë në Conference League.
Sfida nisi me 34 mijë tifozë në stadium, një klimë që për futbollistët e Dinamos mund të ishte e huaj. Megjithatë ekipi i Ilir Dajës në fushë luajti si i barabartë dhe ishte Dejvi Bregu në minutën e 37-të që heshti stadiumin me një supergol nga jashtë zone.
Pasimi i Vilës bëri që vlonjati mos mendonte dy herë dhe me një të jashtme të fortë me të djathtën e ndali sferën në rrjetë, për ta mbyllur 0-1 pjesën e parë.
Nisja e fraksionit të dytë i pa kroatët më kërkues dhe Durdov barazoi me kokë në minutën e 49-të, i harruar në shtyllën e dytë. Pas këtij momenti për Dinamon u akordua edhe një penallti kundër, po ishte ndërhyrja e VAR që bëri ndryshimin e mendjes së arbitrit.
Megjithatë, në aksionin vijues një pasiguri e Bruno Ditës bëri që Sanyang të përfitonte dhe të shënonte golin e dytë për Hajdukun. Me rezultatin 2-1 Hajduku merr një sukses me vlerë, por Dinamo ka shansin që pas një jave në ‘Air Albania’ të tregojë forcën përpara tifozëve të saj në ndeshjen e kthimit.
Komente
