'Diplo 2024', Ministri i Jashtëm: Në MEPJ një strukturë e posaçme për shqiptarët në rajon

27 Gusht, 14:51| Përditesimi: 27 Gusht, 15:09

  • Share

Në ditën e dytë të konferencës së ambasadorëve “Diplo 2024”, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ishte i ftuar në panelin “Hapësira shqiptare në gjeopolitikën e rajonit”.

Ministri Hasani theksoi se qeveria shqiptare vlerëson dhe respekton rolin e shqiptarëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si faktorë dhe aktorë pro aktivë në hartimin dhe implementimin e politikave, si në rrafsh lokal ashtu dhe rajonal

“Tirana nuk ndërhyn në çështjet e brendshme dhe në dialogun e brendshëm të shqiptarëve kudo që ata janë. Ne përpiqemi të angazhohemi dhe të flasim me motrat dhe vëllezërit tanë për një çështje shumë të rëndësishme që është integrimi i euroatlantikut. Të gjitha forcat politike shqiptare kudo ku ata janë, kanë qenë promotorët e zhvillimit dhe zhvendosjes së shoqërive të tyre, drejt familjes evropiane”, tha ai.

Kryediplomati shqiptar Hasani u shpreh se MEPJ ka filluar një projekt serioz për të krijuar një departament i cili do të merret eksluzivisht me shqiptarët në rajon.

“Ky departament do të merret me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët e luginës, me vëllezërit dhe motrat në Kosovë, me situatën në Mal të Zi. Ne do të vazhdojmë të jemi këmbëngulës, do të vazhdojmë të jemi të angazhuar në mënyrë që edhe realitete të tjera të cilat kanë nevojë për vëmëndjen e shtetit shqiptar, të jenë të mirë përfaqësuara brenda këtij viti”, tha MEPJ Igli Hasani.

Pjesë e panelit ishin edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i RMV, Izet Mexhiti; Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj; Doktori i Shkencave të Historisë në Universitetin e Prishtinës, Ibrahim Gashi dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu. Lutfiu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të palës shqiptare për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

“E ndiejmë mbështetjen dhe fokusin e Shqipërisë dhe Kosovës. Unë besoj që është koha që Kosova dhe Shqipëria të hartojnë një strategji kombëtare përmes së cilës i qasen interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, tha Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu.

Në konferencën e ambasadorëve në panele të veçanta është diskutuar roli i diplomacisë në zhvillimin e turizmit, promovimin e kulturës apo hapat e hedhur nga Shqipëria në çështjet e sigurisë.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?