Rama dhe Meloni

Diplomaci e puthjeve… Pse sjellja e z.Rama në samitin e Moldavisë, nuk është as e papritur, as e habitshme

4 Qershor 2023, 21:18| Përditesimi: 4 Qershor 2023, 21:25

  • Share

Pse u çuditën kaq shumë disa kur kryeministri Rama, pas një samiti të Komunitetit Politik Europian (për mua, nuk e fsheh, një forum esencialisht i parëndësishëm), që u mbajt në Moldavi, puthi (ende s’dihet se ku dhe me sa pasion) kryeministren italiane Giorgia Meloni?

Një sjellje e tillë e z. Rama nuk është as e papritur, as e habitshme. Ai është mjeshtëruar në diplomacinë që bën me “të mëdhenjtë” dhe, ndoshta, mendon se është bërë një prej tyre. Dje Angela Merkel; sot Emmanuel Macron, Rishi Sunak, pas shumë përpjekjesh Mark Rutte i Hollandës dhe, së fundmi, Giorgia Meloni e Itaisë fqinjë, të cilën e kemi edhe një aleate strategjike.

Media e huaj, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk i kushtoi mjaft vëmendje puthjes së Ramës. Nga videoja që u publikua kryesisht në portale dhe në komunitete online në Shqipëri), nuk mund të thuhet nëse puthja e kryeministrit ishte një puthje “vëllazërore” për kryeministren “motër” të Italisë, e cila, by the way, nuk është arbëreshe, një puthje “e përzemërt” për kryeministren grua të një vendi mik, një puthje “skandaloze” e një burri ndaj një gruaje, me të cilën s’e lidh asgjë veç detyra që mbajnë ai si kryeministër i Shqipërisë për gati dhjetë vite dhe ajo si kryeministre e Italisë që ende s’ka bërë një vit në atë detyrë.

Vetë kryeministri Rama, që dukej se nuk ishte në dijeni të lajmit që kishte bërë puthja e tij në qafën e kryeministres Meloni, duke foluar për emisionin “Opinion” pas kthimit nga ai samit në Moldavi, fjalëve të gazetarit që drejton atë emision “Ju pashë sot në një postim viral që puthnit, një puthje kështu e fortë, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni”, iu përgjigj: “Po ku e pe ti, për shembull?”.

“Ja, e keni para syve”, i tha gazetari duke treguar në ekran videon. “Po si e konstaton në atë distancë se është një puthje e fortë?”, ia ktheu Rama, pyetje së cilës gazetari iu përgjigj: “Mua te puthjet nuk më kanë lënë sytë akoma”. Reagimi i kryeministrit ishin këto fjalë: “Kjo tregon se po plakesh”.

Atë ndërhyrje kryeministi Rama e mbylli me këto fjalë: “Jo çdo gjë duket ashtu siç është”.

Nuk e di pse kur i dëgjova këto fjalë të z. Rama m’u kujtuan, aty për aty, fjalët e njohura të të ndjerit sekretar amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, dhënë në shkurt të vitit 2002, para se të niste lufta në Irak, një korrespondenti të rrjetit televiziv NBC.

I pyetur nëse administrata amerikane kishte ndonjë provë që të vërtetonte se Iraku ishte përpjekur t’u jepte, ose mund t’u jepte terroristëve armë të shkatërrimit në masë, pasi raportet që ai gazetar kishte lexuar nuk përmbanin asnjë evidencë që ta lidhte drejtpërsëdrejti Bagdadin me ndonjë prej organizatave terroriste, sekretari Rumsfeld ishte përgjigjur me këtë sofizëm:

“Siç e dimë, ka të njohura të njohura; ka gjëra që ne e dimë se i njohim. Ne dimë, gjithashtu, se ka të panjohura të njohura, çka do të thotë se ne e dimë se ka disa gjëra, të cilat nuk i njohim. Por ka, gjithashtu, të panjohura të panjohura—ato të cilat ne nuk e dimë se nuk i njohim”.

Shumë njerëz e kanë konsideruar këtë përgjigje të sekretarit Rumsfeld si një shembull “klasik” se si mund të evitohen përgjigjet për atë lloj pyetjesh që mund të quhen questions of evidence, pra pyetje që kërkojnë prova. Pyetja për kryeministrin Rama nuk kishte nevojë për prova, pasi puthja e tij për kryeministren italiane ishte qartësisht e tillë, pra puthje. Madje, një prej portaleve shqiptare oline e publikoi lajmin mbi atë “skandal” të kryeministrit me këtë titull profesionalisht skandaloz, prej alabakësh: “Çfarë të puthure që i bën Rama italianes Xhorxhia Meloni”!

Me atë puthje u morën për një a dy ditë më pas disa “analistë” dhe “opininstë” në një emison të gjatë në një televizion tjetër. U lodhën së arsyetuari dhe nuk e gjetën dot. Ishte puthja e Ramës një gjest i parëndësishëm? Ishte ajo një puthje erotike? Ishe një puthje pas qafës së Melonit, mbi flokë apo nën flokë, pas veshit, në faqe apo në gushë? Ishte e fortë, e nxehtë, apo e zjarrtë (fjalë që u thanë në media). U tremb apo s’u tremb Meloni. I pëlqeu asaj vetë ajo puthje, apo u ndje publikisht e fyer. Ishte apo jo ajo puthje sexual harassment?

Medemek, e lagu, apo s’e lagu. Puthja e Ramës u bë si veza e Kolombit, një puzzle, së cilës shumë “të mençur” duhej t’i gjenin një zgjidhje.

Atë që duket se nuk bënë dot gjithologët e mediave tona e bënë disa politikanë opozitarë. Dikush nxitoi ta quante atë puthje të kryeministrit Rama një puthje “hollivudiane”, pra një puthje prej një aktori të industrisë së filmit në Hollywood, jo një sjellje politikani serioz, që është “votuar të punojë për popullin e vet dhe t’i shërbejë atij”.

Një tjetër politikan opozitar, në dukje seksualisht i frustruar, e cilësoi puthjen e kryeministrit Rama për kryeministren Meloni si një “puthje Don Zhuani”! (Sa u ecën disave me gratë!).

E të tjera, e të tjera! Ndoshta hamendësimet kanë mbaruar me kaq. Pasi kanë kaluar më shumë se tri ditë nga ajo puthje. Edhe ajo do harrohet. Si çdo puthje.

Unë nuk e njoh kryeministrin Rama nga afër, ndonëse më ka qëlluar të takohem me të disa herë. E kam kritikuar në shumë raste publikisht kur nuk jam pajtuar me disa nga deklaratat, qëndrimet apo politikat e tij dhe të qeverisë që ai drejton, më së fundmi para se deputët socialistë dhe anëtarët e kabinetit të tij qeveritar të votonin në kuvend ligjin për ngritjen e pagave të veta, pa u kujdesur për pensionet dhe pagat e ulta të pjesës më të madhe të popullsisë.

Por një meritë ia njoh, edhe pse kam rezerva për të. Rezervat lidhen me faktin se ai, si kryeministër, kryen thuajse funksionet e të gjithë ministrave të tij. Metoda e qeverisjses së tij ëstë personale, jo kolegjiale, jo në skuadër, në ekip, siç premtoi kur fitoi zgjedhjet në vitin 2013. Unë do të dëshiroja të shihja që kushdo që mban portofolin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme dhe çdo ambasador shqiptar të luanin një rol më aktiv në përmbushje të strategjisë së politikës së jashtme të vendit tonë. Këtë, deri më sot nuk e kam parë. Dimplomacinë shqiptare nuk mund ta bëjë vetëm z. Rama, ose z. Rama i vetëm.

Por pa dyshim i njoh një meritë, të cilën asnjë kryeministër shqiptar para tij në këto tridhjetë e ca vite nuk e ka pasur në këtë masë. Ai është dinjitoz në përfaqësimin e vendit tonë në rajon dhe në shoqërinë ndërkombëtare. Më dinjitoz se të tjerët kulturalisht, estetikisht, politikisht dhe nga pikëpamja gjuhësore. Por, edhe më ekstravagand—ekstravagand në një mënyrë jo të domosdoshme—për vendin dhe qeverinë që përfaqëson. Rama ka ide; ai e estetizon politikën dhe diplomacinë, siç ndonjëherë edhe e politizon estetikën e marrëdhënieve me publikun vendas.

Shkrova më sipër për puthjen e kryeministrit Rama. Puthje ku? Në gushën, në qafën apo pas veshit të kryeministres italiane? Ende nuk e dimë—dhe ndoshta nuk do e mësojmë ndonjëherë—nëse këtë nuk na e thotë vetë kryeministrja Meloni. Deri në momentin që shkruaj këto radhë nuk ka asnjë raport policor dhe asnjë notë diplomatike për atë puthje. Dhe me siguri nuk do të ketë. Kush e di, ndoshta kryeministrjes Meloni edhe i ka pëlqyer ajo puthje në mes të publikut. Ose, ndoshta jo. Vetë kryemnistri Rama, në mënyrën e vet ramsfeldiane, na siguron se “jo çdo gjë duket ashtu siç është”.

Nëse është vërtet kështu, pra siç nuk duket, puthja që kryeministri Rama i dha kryemistres italiane Giorgia Meloni mund të ketë qenë, ose mund të shërbejë si një mesazh diplomatik i një politike ndërshtetërore edhe më miqërore se deri më sot, një version i politikës së jashtme kineze të “buzëqeshjeve në shumë drejtime”, që Pekini ka adoptuar me shumë sukses qysh nga fundi i viteve 1970 dhe fillimi i viteve 1980.

Për ne (shqiptarët dhe italianët), si popujt dhe vende mesdhetarë, buzëqeshjet janë pak; ato s’bëjnë punë. Ne kuptohemi më mirë kur puthemi. Kështu që, mund të mos çuditemi nëse, pa vonuar shumë, kjo Diplomaci e Puthjeve mund të provohet produktive edhe me krerët e qeverive të vendeve të tjera të Bashkimit Europian, nëse janë gra (nëse janë burra përqafime të ngrohta vëllazërore dhe rënie supeve—“Hi, buddy, what’s up?”. DITA

B.V/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mohammad: 06/06/2023 00:32

    Si ka mundesi qe nuk heqim dore dot nga fronti demokratik dhe kto cfaqet e huaja ????????????. Nuk qahet e zonja qahen goret mediatike dhe jo vetem ne shqiperi ????????????. Ju qe doni me na kthy frontin demokratik jeni rraca me e ndyre e ketij vendi.

    Përgjigju
  • Berhold: 05/06/2023 15:59

    Kjo eshte e pa pare se si media i merr gjera microskopike dhe i ben qe te duken gjigande media Po mundohet qe puthjen qe i dha Rama kryeministres Italiane ta bejne te duket sikur ishte me shume si nje puthje erotike gje qe per mua eshte shume fallso

    Përgjigju
  • Maku banaj: 05/06/2023 14:39

    Ne mardhenjet e personaliteteve politik ka nje protokoll qe ruhet por kur e shkel ddenohesh moralisht si shembulli I Erdoganit qe e uli kryetarin e komisjonit europjan ne divan ky ishte skandal por meqe e beri nje person qe nuk ka edukate demokratike heshten edhe me Ramen e njejta gje sic eshte shprehja varja se aq I pret

    Përgjigju
  • Fatjon Alushi: 05/06/2023 13:42

    Gjithë ai artikull për mustaqet e Çelos.Vetëm ne merremi me gjëra pa rëndësi. Tamam tipike shqiptarësh. Po sja vlen të merret tani një diplomat serioz me një puthje. Ka të tjera gjëra që mund të botojë që do ti vlenin dhe publikut më shumë se sa ky koment.

    Përgjigju
  • Tos: 05/06/2023 11:47

    Futi nje vetes nga pas si shkak i diplomacise

    Përgjigju
  • Haka Tekizoti: 05/06/2023 08:05

    Me emërtimin "Diplomaci e puthjeve" tani e tutje jemi në pritje të thellimit të zhvillimeve të diplomacisë deri te "Diplomacia seksuale" ose Niki-niki.

    Përgjigju
  • Ethem Lalaj-MallaKASTRIOTI: 05/06/2023 07:56

    Unë lexoj PRESIDENTIN MË TË MIRË ALFRED MOISIU DHE RILINDASIN KOSOVAR REXHEP QOSE QËTHONË " Edi Rama është KM më i mirë në 32 vite. " Kaq mjafton të dinë të majtët Shqipëtar. -Edi Rama është 99 % i punëve të mira në pilitikë. -Mos u merrni ME PUTHJET VLLAZËRORE NË PUBLIK ME MELONIN,POR ME PUTHJET EROTIKE NË SKUTAT E ERRTA..O SHPIFS TË BERISHIZMIT PA DIN E PA IMAN.

    Përgjigju
    • Çim.ça.ko: 07/06/2023 05:39

      Janë kryesisht blu! Për politikën e jashtme; -- z.Edi Rama.., është k.ministri më i suksesshëm që ka kaluar ndonjë herë vendi ynë. Me puthjen ndaj Melonit tregojë llojin më të mirë të të njërit politikë . Tregojë një ndërgjegje të përzemërt në llojin e vetë si politikan i mirëfilltë i një shteti të vogël por me një udhëheqës gjigant! Për këtë eventë e faleminderoj përzemërsisht! !

  • Mergimtari: 05/06/2023 06:41

    Puthja qe Z.Rama i beri Znj.Melon,nuk ishte puthja familjare,se nuke ka asgje.Natyrisht nuk ishte puthje erotike se nuk dime te kene dicka midis tyre.Ajo puthje ishte "diplomatike",pra per shkak te punes,per te treguar se sa i afert eshte me te medhenje e Europes.Nje puthje thjesht populiste,per teu bere protagonist ne mbeshtetesit e tij.

    Përgjigju
  • Erik: 04/06/2023 23:47

    Shkruaj me shkurt te behesh i lexueshem, z Tarifa.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?