Shqipëria duket se është më pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian, kjo edhe për shkak të Qeverisë Shqiptare që ka vendosur afat vitin 2029. Por edhe deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së, janë në të njëjtën linjë.
Ish-kryenegociatori për Integrimin e Shqipërisë në BE, Zef Mazi, në një intervistë ka folur për këto afate, sa realiste janë dhe cilat janë pritshmëritë e Shqipërisë.
Pyetje: Z. Mazi, duke qenë ish-kryenegociator për Integrimin e Shqipërisë në BE, si e vlerësoni ndryshimin e fokusit tuaj nga çështjet e BE-së në gjeopolitikë, veçanërisht duke pasur parasysh dinamikat aktuale të zgjerimit dhe pritshmëritë shpesh kontradiktore nga palët e përfshira?
Përgjigje: Me njohje dhe analizë të thellë të situatës, BE-ja dhe strukturat e saj nuk të shtojnë shpresë. Ato bëjnë të zbehen disa gjëra të besuara dhe të marra si të vërteta. Ato të bëjnë të rishikosh mendime dhe pozicione me sy krejt realist dhe të vendosura në një plan më të gjerë. Popullit, kandidatëve, i duhet thënë e vërteta, jo premtime të pambajtura dhe fjalë të bukura, që e kanë çuar situatën e integrimit deri në abstraksion. Është më mirë të shihet nga muaji tetor çështja e integrimit dhe e deklaratave jo serioze që dëgjohen herë pas here.
Pyetje: Në kontekstin e deklaratave të ndryshme nga zyrtarë të BE-së për ‘mundësinë’ e integrimit, si e interpretoni ndikimin e këtij lloj komunikimi mbi perceptimin publik dhe procesin real të reformave në vendet kandidate, duke pasur parasysh historinë 30-vjeçare të Shqipërisë me këtë proces?
Përgjigje: Përvoja ka treguar se me BE-në nuk mund të vendosësh afate kohore. Ne e kemi filluar procesin para 30 vjetësh. Përdorimi i fjalës ”mundet” do të thotë edhe se “nuk mundet…”, ose “nuk ishte e mundur…”. Disa deklarata që lëshohen nga drejtues të BE-së, nga elita politike në organizata ndërkombëtare, do të mjaftonin për të kuptuar sesa të çuditshme, absurde dhe fyese janë ato për inteligjencën e njerëzve. Drejtues kryesorë të këtyre organizatave janë krejt të shkëputur nga realiteti, jetojnë në flluskën e tyre dhe janë larg interesave, halleve dhe nevojave të njerëzve. Ndërkohë flasin “sikur u pikon zemra”! Nuk është i ulët niveli i hipokrizisë.
Mediat, me entuziazmin e një “vogëlushi” të varur, jashtë dhe tek ne, në linjë të plotë me narrativën zyrtare shtetërore, i amplifikojnë ato thënie pa bërë as edhe një analizë të besueshme, as kritikë, as thënieve dhe as sjelljeve të çuditshme të politikanëve. Është humbur çfarë duhet të ketë media si busull – të vërtetën – dhe është kthyer në bashkëfajtore e madhe për situatën e sotme.
Pyetje: Në dritën e përshkallëzimit të tensioneve gjeopolitike, bazuar në analizën tuaj për Aktin Final të Helsinkit dhe historinë e marrëdhënieve Rusi-Perëndim, cilat janë implikimet afatgjata për arkitekturën e sigurisë globale dhe rolin e Shqipërisë në këtë dinamikë?
Përgjigje: Është thënë dhe përsëritur se aspektet e sigurisë, apo një kornizë e sigurisë ndërkombëtare, në themel ka që siguria e njërit nuk duhet të arrihet në dëm dhe kundër sigurisë së tjetrit, por duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Sipas Aktit Final të Helsinkit, që nisi 50 vjet më parë (1975), si ide në themel kishte sesi ish-blloku komunist në Lindje dhe Perëndimi të mund të binin në një marrëveshje të përbashkët sesi të jetonin bashkërisht në këtë kontinent. Sot unë nuk kam interpretim optimist për atë proces. Shumëçka ka ndodhur prapa skenave midis diplomacisë amerikane dhe asaj ruse, që e tregojnë arkivat e hapura. Në rastin më të mirë, SHBA-ja dhe drejtuesit e qendrës së djathtë evropiane e shihnin procesin e KSBE-së si “politikë gjesti”, ose „gjeste politike”, e shihnin më tepër si simbolike sesa përmbajtësore. Në rastin më të keq, ajo mund të karakterizohet si diplomacia e të mosbesuarit, e mashtrimit, e pabesisë, siç e ka pasë karakterizuar ndër shekuj Franca diplomacinë e Anglisë, pasi ajo bënte të tillë diplomaci.
Një element tjetër domethënës është vlerësimi që i pati bërë Kisingeri Aktit Final të Helsinkit pasi tre Balltikët protestuan pas nënshkrimit të Aktit të Helsinkit. Arsyeja ishte se sipas atij Akti Final, kufijtë mbeten të paprekshëm, të pandryshueshëm, pra ato shtete do të mbeteshin brenda bllokut sovjetik. Kisingeri i pati qetësuar: mos u shqetësoni, KSBE-ja është e pakuptimtë, nuk është traktat por një letër pa vlerë.
Kjo flet shumë për mendimin që në vitin 1975, pa kaluar tek 20 apo 30 vitet e fundit kur, për SHBA-në, e rëndësishme ishte NATO. KSBE-ja ishte thjesht një pretendim për madhështinë e Lindjes – le ta tolerojmë, le të luajë me konceptin e ndërtimit të një arkitekture të përbashkët të sigurisë. Pra, ishte një lloj Kali Troje, sepse përmes shportës 3 të Dimensionit Human dhe demokracisë politike, mundej të ndihmoheshin grupe vendesh lindore në Evropë si dhe Balltikët që të dobësonin Bashkimin Sovjetik. Nga ana e tij, Bashkimi Sovjetik e shihte KSBE-në si rregullim, si marrëveshje për çështjen e sigurisë. SHBA-ja e shihte përqasjen e saj ndaj Evropës të mbështetur në tre shtylla:
1) NATO,
2) BE
3) OSBE.
Ndryshe nga njëra-tjetra. Prandaj, opsioni evropian i viteve ’90 është abandonuar.
Hegjemonia e pas viteve ’90 është në rënie, nuk është ajo që ishte. Ndërkohë bëhen përpjekje të ethshme për të ruajtur atë që ka mbetur. Bëhen përpjekje për një „paqe hegjemoniste”, që është krejt e lexueshme. Shpenzohen miliarda dollarë kundër Rusisë sepse mendohet se ajo është receta e paqes! Konfrontimi me Rusinë nuk është receta për paqe në Evropë, pavarësisht përpjekjeve të armatosjes deri në dhëmbë. Helmut Kol ka pasë thënë se pa marrëdhënie të mira midis Gjermanisë dhe Rusisë nuk ka Evropë në paqe dhe stabilitet.
Ajo që po shohim sot është histori e vjetër, është e njëjta linjë që pati filluar që në vitet 1800, më saktë që në vitin 1815, kur Napoleoni sulmoi Rusinë. Vlen të dihet se gjatë Luftës së Dytë Botërore, sipas dokumenteve të deklasifikuara, Komiteti i Shefave të Shtabit Britanik pat hartuar plane për të sulmuar Bashkimin Sovjetik. Plani buronte nga një lloj ankthi i Churchillit për synimet sovjetike në Evropë. Sipas planit, bëhej thirrje për sulm masiv të aleatëve kundër Ushtrisë së Kuqe më 1 korrik 1945, me trupa angleze, amerikane, polake dhe gjermane, për t‘a përzënë ushtrinë ruse nga Gjermania Lindore dhe Polonia dhe për t‘a detyruar Stalinin që t‘a rimendonte dominimin në Evropën Lindore. Ai plan nuk u zbatua kurrë. Por vlen të mendohet se, ndërkohë që punohej me aleatin për të shkatërruar Hitlerin dhe makinerinë e tij ushtarake, mendohej sesi dhe kur të sulmohej dhe të mundej aleati yt!
Në psikozën dhe mendësinë e Perëndimit, duke u nisur nga ajo që ka ndodhur në shekullin XIX dhe XX, dhe çfarë po ndodh sot, e vetmja Rusi me të cilën mund të jetojë Perëndimi nuk është ajo e një partneri të barabartë, por duhet të jetë ajo ose e një Rusie të dobët ose të mposhtur. Kjo të çon në luftë botërore, nëse nuk i thirret mendjes sot dhe të rimendohet mirë, edhe pse duken shkëndijat e para të kësaj lufte në tre zona.
Pyetje: Keni theksuar sjellje dhe deklarata ‘të çuditshme’ nga liderë ndërkombëtarë. Si i shpjegoni këto sjellje në kontekstin e krizave aktuale globale dhe cilat rreziqe paraqesin ato për stabilitetin dhe besueshmërinë e institucioneve ndërkombëtare?
Përgjigje: Në Samitin e NATO-s në Hagë më 24-25 qershor Mark Rutte e karakterizoi punën si ”charm offensive” (ofensivë sharmi) por që, sipas mediave holandeze, ai e paska thënë këtë sepse Trampi kërkonte t‘i bëheshin lajka për t‘a pasur në krah. Rutte e quajti Trampin ”Baba” (Daddy) kur diskutohej Irani dhe Izraeli. Ai e karakterizoi Trampin si figurën e babait për „ruajtjen e paqes”, bile edhe duke e propozuar për çmimin Nobel për Paqe! Kjo e bëri vendin e tij dhe vetë Ruten qesharak, sjellje foshnjore! Ai tha edhe se është normale që do të ketë prani të NATO-s në Ukrainë. Kjo do të thotë luftë direkte NATO-Rusi, edhe pse deri tani në Ukrainë është luftë SHBA-Rusi përmes një të treti.
Pas Samitit, në intervistë me Fox Neës, Rutte u bë edhe më qesharak kur lëshoi një tiradë të pakontrolluar fyerjesh kundër rusëve „live” në televizor, duke vazhduar indirekt t’i bënte lajka Trampit. Ai u tall me ministrin e jashtëm rus, Lavrov, një nga diplomatët më të shquar dhe të vlerësuar, duke thënë, “asgjë të mirë nuk ka dalë nga goja e tij që nga lindja e Jezu Krishtit. Le të mos i kushtojmë shumë vëmendje atij”. Kur e dëgjon mendon si mundet të thotë çfarë po thotë ky njeri!
Gjatë konfliktit 12-ditor Izrael-Iran, kancelari gjerman Merz, që është në atë post vetëm me rreth 20% të votës popullore (sepse koalicioni CDU-CSU së bashku mori 28%), lëshoi një deklaratë domethënëse se çfarë mendon. Në të kaluarën, në Evropën ndryshe nga ajo sot, do të ishte ngritur furtunë, do t’i ishte kërkuar dorëheqja! Në intervistë me mediat gjermane Merz tha “Izraeli dhe Ukraina po kryejnë “Drecksarbeit”, punën e pisët për Gjermaninë dhe Evropën. Do të kishte qenë mirë nëse do t’i jepej fund këtij regjimi “mullah’, hoxhallarësh”. E pabesueshme por e vërtetë.
Një numër partish të djathta të Parlamentit Evropian kërkuan para pak ditësh votëbesimin për von der Leyen, duke e akuzuar se kishte fshehur, ose kishte fshirë, mesazhet SMS gjatë pandemisë COVID-19 me Burlën e Pfizer-it. Ato mesazhe pretendohet se vërtetojnë që ajo kishte pranuar ryshfet nga Pfizer për blerjen e një numri shumë më të madh dozash vaksine sesa nevojiteshin në BE. Është bërë normale të fshihen SMS-et dhe stafit t’u dërgohen vetëm SMS të mirëseleksionuara nën mbulesën e “arkivimit në kohë reale”, domethënë “fshirje në kohë reale”.
Për von der Leyen ishte Pfizergate, ndërsa për Ruten ishte e ashtuquajtura “Childcare benefits affair” (afera e përfitimeve të kujdesit për fëmijët), në atë aferë mijëra fëmijë ishin nxjerrë jashtë shtëpisë falë llogaritjeve të gabuara të autoritetit holandez të taksave.
Këto janë vetëm disa shembuj. Ato nuk tregojnë se të gjithë drejtuesit mund të gënjejnë dhe të mashtrojnë, të paktën disa prej tyre po, sepse janë aq të intoksikuar sa nuk kuptojnë çfarë bëjnë dhe thonë. Nuk ka si shpjegohen këto sjellje të çuditshme, të pakontrolluara. Disa edhe kanë fshehur të kaluarën familjare deri te gjyshërit e tyre. /JavaNews
Komente

Profesor më vjen keq por po të kujtoj një muhabet budallenjsh që thoshin që:-pas meje u bëftë kiameti.Jo vtëm kur ishe ti bëhej punë e kishte rezultate.Ata që punojnë jan djem,vajza,bura e gra shqipëtare,dhe po je shqiptar ei ndershëm NDIHMOJI.MIS I PËRÇMO MUNDIN ME PËRALLA ME E.U,E90 ETJ.
Përgjigju