Papa Leon XIV

Bota

Diplomacia e Selisë së Shenjtë, WSJ: Samiti Rusi-Ukrainë në Vatikan mund të mbahet në mesin e qershorit

22 Maj, 11:58| Përditesimi: 22 Maj, 12:01

  • Share

“Rikthehet diplomacia zyrtare e Vatikanit. Kjo i jep kuptim kërkesës për riorganizim që doli para dhe gjatë Konklavit. Dhe i rikthen Kishës qendërsinë…”. Konstatimi bëhet pa tone polemike ndaj papnisë së kaluar, as si një paralajmërim për një restaurim. Qëndrimet e para të Leonit XIV mbi Ukrainën; fjalët e shkrirjes, të kthyer në të njëjtën mënyrë, me Izraelin; dhe gatishmëria për ta propozuar sërish Vatikanin si zemër të përpjekjeve për një armëpushim botëror janë vetëm hapëset e para të një operacioni të madh për të ndërtuar një “paqë me copa”, që të përballojë dhe mundë “luftën me copa” që Papa Françesku e kishte parandjerë me largpamësi. Një operacion që, sipas zërave të mbledhur nga Wall Street Journal, mund të çojë në një samit Rusi-Ukrainë në Vatikan në mesin e qershorit, me një delegacion amerikan të përbërë nga sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari presidencial për Ukrainën, Keith Kellogg.

Por dallimet janë të dukshme. Më shumë se një vazhdimësi, jemi përballë një kapitulli krejt të ri. Askush në Vatikan nuk flet hapur për një shkëputje, edhe për të mos cenuar klimën e unitetit që u krijua me zgjedhjen e Papa Prevost-it. Kujdestarët e “bergoglizmit” (rrymës së Papa Françeskut) priren ta paraqesin atë si një krijesë të Françeskut, që garanton vijimësinë e tij. Dhe në thelb ashtu është. Për më tepër, Leone XIV nuk bën shumë për t’i kundërshtuar ata – përkundrazi. Ai nuk harron asnjëherë të përmendë dhe falënderojë Françeskun. Por, duke ia përvetësuar trashëgiminë, në të vërtetë e kapërcen dhe e përpunon atë, duke i zbuluar kufijtë. Dhe në fakt, e arkivon atë.

Leone XIV është lidhësi dhe pajtuesi natyral jo vetëm i dy universiteteve kulturalisht të largët si Amerika e Veriut dhe ajo e Jugut. Ai është mbi të gjitha ai që mund të ribëjë me kujdes, por me vendosmëri, plagët brenda episkopatit amerikan; dhe pika e bashkimit, gjithnjë e më pak e vetëkuptueshme gjatë papnisë argjentinase, e përçarjeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Vatikanit dhe midis Papës dhe Kurisë së tij. Në vetëm disa ditë, të gjitha idetë për një diplomaci paralele të besuar tek rrethi i ngushtë apo i gjerë i Shtëpisë Shën Marta – hoteli brenda Vatikanit ku banonte Françesku – janë shpërbërë.

Strategjia e qeverisjes është rikthyer në duart e Sekretarisë së Shtetit dhe të kardinalit Pietro Parolin. Por jo sepse Parolin, kandidati i humbur në Konklav, e kaloi menjëherë mbështetjen e tij tek Prevost, duke shmangur përçarjet. Më thjesht: “rikthehet diplomacia në duart e atij që ka përgjegjësinë institucionale për të”, vëren një nga kardinalët më me ndikim. “Edhe sepse ajo paralelja e Shtëpisë Shën Marta dha rezultate të pakta, në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme”. “Paqja me copa” e Leonit XIV fillon, hap pas hapi, etapë pas etape, me marrëdhëniet brenda Kishës. Rindërtimi i harmonisë kalon që andej.

Pa zhurmë, ata që ishin marrë me çështjen e Ukrainës duke e mbështetur kardinalin Matteo Zuppi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, protagonist i një ndërmjetësimi të vështirë për të kthyer në shtëpi fëmijët ukrainas të rrëmbyer nga rusët, janë zhvendosur nga Sekretaria e Shtetit – edhe pse Zuppi do të vazhdojë përpjekjen e tij të çmuar humanitare. Në krah të Parolinit, kur më 26 prill në Romë takoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, u shfaq një monsinjor i panjohur leton, Antons Prikulis, i cili për shkak të origjinës së tij baltike njeh gjuhën polake dhe ukrainase. Ndërkohë që bashkëpunëtori kryesor i sekretarit të Shtetit mbetet për momentin monsinjor Paul Richard Gallagher, “ministri i Jashtëm” i Selisë së Shenjtë, i respektuar edhe nga Moska.

Frika e shprehur nga shumëkush është se patriarku ortodoks i Moskës, Kirill, zor se do t’i lejojë një Pape katolik, aq më tepër amerikan, të promovojë një armëpushim. Pushtimi rus i Ukrainës nuk ka ndarë vetëm dy shtetet, por edhe dy ortodoksitë – atë ruse dhe atë ukrainase. Ka pra edhe pasoja fetare, po aq të ndërlikuara sa ato politike. Por kush ka folur së fundmi me Kirillin kujton se, në të vërtetë, sjellja e tij është nënshtruese ndaj dëshirave të Vladimir Putinit: një konstantë historike e Patriarkanës së Moskës që nga koha e Stalinit.

Frika e vërtetë është se, nëse Putini do të tregonte njëfarë gatishmërie për të negociuar – diçka shumë e paqëndrueshme aktualisht – Kirill mund të shfaqte ndonjë hezitim ndaj Vatikanit të Leonit XIV; dhe të bëhej një alibi për të mos nënshkruar një armëpushim. Megjithatë, për ata që kanë përdorur në mënyrë të qëllimshme keqkuptimet e Françeskut argjentinas ndaj Amerikës së Veriut dhe Perëndimit, do të jetë më e vështirë ta bëjnë të njëjtën gjë me Papën Prevost. Strategjia e tij është të paraqitet, sepse ky është mandati i Konklavit, si Papa që duhet t’i rikthejë Kishës siguri dhe strategji të qarta.

“Dëshira më e madhe” që ai shprehu në ditën e marrjes së detyrës ishte ajo për të rikrijuar unitetin në botën katolike. Në vijimësi, ndoshta si parakushte të një sinteze të re, janë qeverisja dhe kolegjialiteti, me një rikthim të traditës. Kjo do të kuptohet më mirë nga zgjedhjet e bashkëpunëtorëve të tij. Por ajo që po ndodh përmbys ndjesinë e spontanitetit të disa veprimeve të paraardhësit, edhe në politikën e jashtme: atyre që e detyronin Parolinin të rregullonte daljet profetike, por tronditëse. Aq të papritura sa e bënin të vështirë ndërtimin e çdo strategjie.

Rezultati ishte që Kishës i ofroheshin armë të papërshtatshme nga kundërshtarët e saj, në Lindje dhe në Perëndim; dhe që ushtria kishtare të mbetej e çoroditur. Rikuperimi i parashikueshmërisë së Selisë së Shenjtë, i referencave të saj institucionale, i strukturave të saj, shihet si mënyra më e mirë për të marrë më të mirën nga përvoja e Françeskut, duke lënë mënjanë aspektet më të diskutueshme dhe ndarëse. “Ndonjëherë, për të ecur përpara, duhet të hedhësh një hap prapa”, është mantra që dëgjohet sot në rrethin e Prevost.

Nuk janë premisa për një restaurim, por për një rindërtim në gjurmët e Françeskut dhe Benediktit XVI, që të dy viktima të një faze të stuhishme: të një “lufte me copa” edhe brenda Kishës, që me Konklavin tregoi nevojën për një “paqë leoniane”, ende në embrion, por të vendosur të përhapet si një virus i mirë./Corriere della Sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?