Volodymyr Zelensky, Emmanuel Macron dhe Donald Trump

Bota

Diplomatët perëndimorë diskutojnë armëpushimin pas ofertës së papritur të Trumpit për Ukrainën

13 Maj, 09:20| Përditesimi: 13 Maj, 09:24

  • Share

Një ofertë e papritur nga presidenti amerikan, Donald Trump, më 12 maj, për t’iu bashkuar bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë, që pritet të zhvillohen këtë javë në Stamboll, ka nxitur bisedë mes diplomatëve amerikanë dhe evropianë, të cilët vazhdojnë të kërkojnë një rrugë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Mos e nënvlerësoni të enjten në Turqi”, tha Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, para nisjes për një udhëtim në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, duke iu referuar bisedimeve të mundshme më 15 maj.

“Po mendoja të fluturoja atje. Nuk e di ku do të jem të enjten”, tha Trump. “Kam aq shumë takime… Ndoshta do të jem atje, nëse e shoh që mund të ndodhë diçka”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi më vonë, më 12 maj, një bisedë telefonike me ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë, Polonisë, Britanisë, Ukrainës dhe me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit, përmes zëdhënëses Tammy Bruce.

“Udhëheqësit diskutuan për hapat e mëtejshëm drejt një armëpushimi dhe rrugës për paqe në Ukrainë”, tha Bruce.

Aleatët e Ukrainës, më herët më 12 maj, ishin skeptikë për mundësinë e bisedimeve dhe për sinqeritetin e presidentit rus, Vladimir Putin.

“Nuk mund të ketë bisedime nën zjarr, nëse nuk ka armëpushim”, tha Kallas gjatë një takimi për Ukrainën në Londër.

“Duam të shohim që edhe Rusia e dëshiron paqen. Duhet që të dyja palët ta duan paqen; për luftë mjafton vetëm një - dhe po shohim që Rusia e do luftën”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha më herët në platformën X se është i gatshëm të takohet me Putinin më 15 maj në Stamboll.

Nuk ka ende përgjigje nga Kremlini për ofertën e Zelenskyt, dhe Moska nuk ka komentuar as ofertën e Trumpit për të marrë pjesë në bisedime.

Zelensky ka propozuar një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar, duke thënë se kjo do ta afronte ndjeshëm paqen.

“Ukraina e ka propozuar këtë prej kohësh, partnerët tanë gjithashtu, dhe e gjithë bota po e kërkon”, tha ai më 11 maj.

“Po presim një përgjigje të qartë nga Rusia.”

Më 12 maj, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u takua me homologun e tij turk, Hakan Fidan, për të diskutuar bisedimet e drejtpërdrejta me Kievin – një propozim i dalë nga Putini gjatë fundjavës, sipas Ministrisë së Jashtme ruse.

Nuk dihet ende se kush nga pala ruse do të marrë pjesë në bisedime, të cilat do të ishin të parat mes dy palëve që nga fillimi i luftës së plotë në shkurt të vitit 2022.

Oleg Saakian, analist politik që foli për Current Time, tha se si Ukraina, ashtu edhe Evropa, e dinë që nuk mund t’i besojnë Putinit dhe se ai ndoshta ka filluar përgatitjet për një fazë të re të luftës, duke forcuar pozitat e tij përmes bisedimeve me presidentin kinez, Xi Jinping, gjatë vizitës së fundit në Moskë.

“I gjithë ky spektakël rreth armëpushimit dhe bisedimeve është ndërtuar për një spektator - Trumpin - me qëllim që të ekspozohet Putini si një figurë me të cilën nuk mund të bësh marrëveshje”, tha Saakian, duke shprehur dyshime për mundësinë që Putini të udhëtojë në Stamboll, apo që të ketë ndonjë marrëveshje të mundshme atje.

“Fokusi tani me shumë gjasë do të zhvendoset drejt boshtit transatlantik dhe gatishmërisë së Perëndimit për të vendosur së bashku sanksione të forta ndaj Rusisë”, shtoi ai.

“Kjo është çështja kyç dhe do të formësojë ndjeshëm të ardhmen e bisedimeve”.

Konstantin Kosachev, kryetar i Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Dhomën e Lartë të Parlamentit rus, i tha gazetës Izvestia se bisedimet mes Moskës dhe Kievit mund të shkojnë më tej se sa ato të vitit 2022.

“Nëse delegacioni ukrainas vjen në këto bisedime me një mandat për të hequr dorë nga ultimatume dhe për të kërkuar pika të përbashkëta, jam i bindur se mund të arrijmë më shumë se sa atëherë”, citohet të ketë thënë Kosachev./REL

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Pse sipas jush vonohet kaq shumë procesi i numërimit: