Dosje

Diplomati (spiun) polak që tentoi të futej me forcë në 'Bllok': Interesohej për fëmijët e udhëheqësit tonë, Enver Hoxha…

18 Korrik, 19:35| Përditesimi: 18 Korrik, 19:39

  • Share

Ashtu siç dihet tashmë, para viteve 90-të, pothuaj në të gjithë vendet e Europës Lindore dhe Azisë, apo siç njiheshin ndryshe si vendet e “Kampit Socialist”, udhëheqja kryesore e këtyre vendeve, banonte në një lagje të veçantë, me vila dhe banesa komode e luksoze, e cila sigurohej me roja të shumta të armatosura ushtarake dhe civile, nga shërbimet sekrete të tyre, etj. Këtij rregulli nuk i bënte përjashtim as udhëheqja komuniste shqiptare e Tiranës, me në krye Enver Hoxhën dhe pasardhësin e tij Ramiz Alia, të cilët që nga viti 1945, e deri në vitin 1991, banuan në lagjen e famshme në “Tiranën e Re”, e cila dhe sot e kësaj dite, njihet me emërtesën e saj të para viteve ’90-të, si; “Blloku”.

Ashtu si dhe lagjet e tjera simotra të vendeve të Lindjes Komuniste, “Blloku” i udhëheqjes në Tiranë, ishte nën masa të rrepta sigurie dhe aty bënin shërbim 24 orësh efektivët (ushtarë, oficer e civilë) të Gardës së Republikës, e cila kishte në ruajtje rrethimin e perimetrit të jashtëm, ndërsa perimetrin e brendshëm, ku përfshiheshin rrugët, godinat, vilat etj., mbuloheshin me shërbim nga oficerë civilë të Sigurimit të Shtetit, (Drejtorisë së Dytë), që si detyrë kryesore, kishin ruajtjen dhe sigurinë fizike të personaliteteve të udhëheqjes së lartë komuniste, partiake dhe shtetërore.

Nisur nga kjo, por edhe nga klima politike e terrorit që mbizotëronte në Shqipërinë komuniste që nga viti 1945 e, deri në 1991-in, kur dhe u shemb ai regjim, “Blloku”, i udhëheqjes, nuk dihet që të ketë pasur probleme sigurie apo, të jetë rrezikuar ndonjëherë, me ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme. Të paktën, ndonjë gjë e tillë, nuk është bërë publike pas viteve ’90-të, me dëshmi të ndryshme nga persona që kanë shërbyer aty apo, dhe nëpërmjet dokumenteve arkivore, nuk rezulton ndonjë incident me lagjen e famshme ku banonte udhëheqja e lartë komuniste, gjatë gjithë ekzistencës së atij regjimi.

Por një dokument sekret arkivor (tashmë i deklasfikuar), të cilin e ka siguruar Memorie.al, rezulton se edhe “Blloku” i udhëheqjes së lartë komuniste të Tiranës, nuk ka qenë i “paprekshëm”, madje jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga të huajt, të cilët siç dihet, ishin në çdo moment të survejuar dhe ndiqeshin në çdo hap që ata bënin, nga ana e Sigurimit të Shtetit dhe efektivëve të tjerë ushtarakë dhe civilë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Siç do të shohim nga dokumenti në fjalë, që siç theksuam pak më lart, publikohet për herë të parë, më datën 9 prill të vitit 1970, një autoveturë “FIAT” e ambasadës polake të akredituar në Tiranë, ka tentuar të futet me forcë në një nga rrugët kryesore që të çonin në brendësi të “Bllokut” të udhëheqjes! Madje duke goditur me parafangon e makinës dhe ushtarin e armatosur të Gardës së Republikës, që shërbente aty dhe tentoi t’i ndalonte ata! Jo vetëm kaq, por sipas dokumentit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga të dhënat që kishte Sigurimi i Shtetit, Jerzhi Legucki, rezultonte kuadër i Zbulimit Polak dhe kohët e fundit ai interesohej për fëmijët e udhëheqësit kryesor të Partisë, Enver Hoxha!

Dokumenti në fjalë vetëm sa jep një informacion të shkurtër rreth atij incidenti, (pasi ajo është vetëm një komunikatë operative) dhe nuk dihet se si kanë rrjedhur e precipituar më pas ngjarjet për atë incident dhe pasojat që patën diplomatët e ambasadës polake në Tiranë. Po kështu nuk dihet me saktësi se sa ka ndikuar kjo ngjarje në raportet në mes dy shteteve dhe kryesisht të udhëheqësit të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, me kreun e Partisë Komuniste Polake, Vladislav Gomulka, i cili në fjalën e tij të mbajtur në mbledhjen e 81 Partive në Moskë në dhjetor të 1960-ës, e kishte etiketuar Enver Hoxhën, si; “rrugaç ordiner”!

Po kështu nuk dihet me saktësi, se sa ka ndikuar incidenti i 9 prillit 1970, në psikikën dhe paranojën e Enver Hoxhës, në masat represive që kishte ndërmarrë në ato vite Sigurimi i Shtetit, ndaj disa grave polake që jetonin në Shqipëri, pasi ishin martuar me shqiptarë, si Barbara Wladislaw Gluc, (bashkëshortja e Vasillaq Orgockës nga Korça, vëllai i aktorit dhe regjisorit të njohur, Dhimitër Orgocka), e cila u dënua me 25 vjet burg politik, së bashku me bashkëshortin e saj. Dhe pas torturave në hetuesi, duke i krijuar trauma të rënda psikike, me ndërhyrjen e presionin e madh të shtetit polak dhe ambasadës së tyre në kryeqytetin shqiptar, Tirana zyrtare u detyrua që, jo vetëm ta lironte nga burgu, (më 24.6.1971), por bashkë me shoqen e kolegen e saj, Barbara Kwiatkowska (Mullai), gjithashtu e burgosur politike, t’i lejonte të riatdhesoheshin në Poloni, ku ato jetuan deri pas viteve ’90-të, (Barbara Orgocka, e papërgjegjshme, për shkak të traumave psikike).

Apo në dënimin që iu bë në vitin 1974, një grupi të madh intelektualësh e kuadrosh të lartë që kishin studiuar e diplomuar në Poloni në fundin e viteve ’50-të, me në krye Vedat Buzin, (kryeinxhinier dhe drejtor i Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi” me babanë “Dëshmor i Atdheut”, dhe vëllanë “Hero i Popullit”), ku bënin pjesë edhe Ylli Alibali, Xhevat Alibali, Spiro Nikolla, Adem Nurja, Shuaip Nurja, Sofokli Lulo, Faik Gojani, Dhimitër Stramarko, etj., të cilët, edhe pse vinin nga familje të lidhura ngushtë me regjimin komunist në fuqi dhe me kontribute të spikatura në “Luftën Antifashiste dhe ndërtimin e vendit”, u dënuan me vite të gjata burgu politik, duke u akuzuar si; “agjentë polakë”!

Sa më sipër këto janë dhe mbeten në kuadrin e hipotezave që, për t’i vërtetuar duhet investiguar më tej nëpër arkiva dhe dëshmi të ish-funksionarëve të lartë të Sigurimit të Shtetit, ndërsa për ngjarjen e 9 prillit 1970, na njeh dokumenti në fjalë, të cilin po e publikojmë me faksimilen përkatëse në këtë shkrim.

DOKUMENTI ARKIVOR SEKRET, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, TË DATËS 9 PRILL 1970, PËR INCIDENTIN E DIPLOMATËVE TË AMBASADËS POLAKE NË TIRANË, NË “BLLOKUN” E UDHËHEQJES

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË                                                             

S E K R E T

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                                            

Ekzemplar Nr. 1

DEGA E PËRGJITHSHME                                                                                      

Tiranë, më 10.4.1970

KOMUNIKATË OPERATIVE Nr. 84

DREJTORIA E I-rë

Më datën 9.4.1970, në ora 19.05, zëvendës atasheu përfaqësisë tregtare Polake, Jerzhi Legucki, tentoi të futet me makinën e tij TD-060, në Bllokun e udhëheqjes së Partisë. Së bashku me të në makinë, ndodheshin edhe tre tregtarë polakë, si dhe gruaja e tij. Gjate tentativës për t’u futur në Bllok, ai u ndalua nga ushtari, të cilin edhe e goditi lehtë në gjurin, parafangoja e makinës.

Në vendin e ngjarjes, shkuan shokët e auto-inspektoratit, të cilët konstatuan se; Jerzhi Legucki dirizhonte makinën pa patentë. Gjithashtu u krijuan dyshime se ai, mund të kishte pirë, por nuk pranoi t’i nënshtrohej verifikimit. Mbas një kohe në vendin e ngjarjes erdhën diplomatët polakë: I ngarkuari me punë, Pjotër Gollovcki, atasheu tregtar Brotisllav Osofski, Sekretari i II-të, Taderush Zavadski, si dhe nëpunës të tjerë.

Diplomatët polakë, nuk pranuan t’u nënshtrohen rregullave të auto-inspektoratit, nuk nënshkruan proces-verbalin dhe më në fund, u larguan, duke lënë vetëm makinën në vendin e ngjarjes, e cila ndodhet atje. Polakët thanë se; ky ishte një rast i vogël, një thyerje e thjeshtë e rregullave, por juve (shqiptarët), kërkoni ta bëni të madhe. Ata gjithashtu bënë dhe presione të hapta ndaj autoriteteve të auto-inspektoratit, se; “do të bëjmë skandal”, etj.

Nga sa u konstatua, pamë se polakët ishin shumë të shqetësuar për Jerzhi Leguckin dhe në një moment, atasheu tregtar i bëri me shenjë, që diçka të hiqte nga vetja. Në këtë kohë u pa se Jerzhi, hoqi diçka nga xhepi i brendshëm i xhaketës dhe mbas pak në makinë u fut sekretari i II-të, Taderush Zavadski, të cilit ja dha sendin.

Shtojmë se Pjotër Gollovcki, në mënyrë kërcënuese dhe autoritare, ndërroi Leguckin nga vendi shoferit dhe në vend të tij mori Zavadskin, duke thënë se: “Tashti ju nuk keni të drejtë që të ndërhyni, mbasi makina do të dirizhohet nga Sekretari i II-të”.

Jerzhi Legucki, ndiqet nga organet tona si kuadër i Zbulimit Polak. Kohët e fundit, janë marrë të dhëna se ai interesohet për fëmijët e udhëheqësit të Partisë sonë. Për këtë rast është njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe ju kërkua ndihmë për të ardhur një shok, por ata nuk erdhën.

KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME

PETRIT HAKANI/ Memorie.al

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Akademi për trajnimin e administratës lokale, si e vlerësoni?