Diplomohen 85 oficerë të FA, ministri Peleshi: Pagë deri në 900 mijë për nëntogerët e rinj! Forcojmë bashkëpunimin me Kosovën

27 Korrik, 12:42| Përditesimi: 27 Korrik, 12:58

  • Share

85 oficerë të rinj të Forcave të Armatosura që përfunduan studimet e ciklit trevjeçar (bachelor) dhe kursin pasuniversitar të Përgatitjes së Oficerit në Akademinë e Forcave të Armatosura, u diplomuan në një ceremoni të veçantë ditën e sotme.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, teksa u uroi suksese në një karrierë të gjatë dhe të sigurt brenda Forcave të Armatosura tha se me të mbaruar shkollën nëntogerët do të marrin një pagë rreth 900 mijë lekë të vjetra në muaj.

Sipas tij, ka pasur një interesim të madh nga ana e të rinjve për tu regjistruar.

“Treguesi më i mirë është numri i lartë i aplikimeve, që jam i bindur se këtë vit do të kalojë 1000 për 70 kuota. Është një interesim shumë i madh, që nuk lidhet vetëm me ofertën e pakonkurrueshme me asnjë institucion të arsimit të lartë në vend, sepse me të mbaruar shkollën nëntogerët do të marrin një pagë rreth 900 mijë lekë të vjetra në muaj dhe ky është një fillim shumë i mirë i një karriere të gjatë dhe të sigurt. Por nuk është vetëm kjo, është natyrisht edhe krenaria kombëtare, patriotizmi dhe dashuria për vendin”, deklaroi ministri Peleshi

Ministri Peleshi përgëzoi edhe 4 kadetët e Republikës së Kosovës që u diplomuan në bachelor dhe që do t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës. Njëherësh ministri Peleshi shprehu angazhimin për të forcuar bashkëpunimin me Kosovën në fushën e arsimit ushtarak.

“Kosova dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për liderë ushtarakë me vizion dhe integritet për të ndërtuar një të ardhme të ndritur dhe të sigurt. Ne do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin dhe mundësitë për kadetët e Kosovës, duke shumfishuar numrat dhe çdo mundësi për rritjen dhe zhvillimin e përbashkët, krah për krah me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, theksoi ai.

Nga ana e tij edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Arben Kingji u uroi suksese oficerëve më të rinj të FA. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Komandanti i AFA, Gjeneral Brigade Bardhyl Nuredinaj, përfaqësues të Qeverisë, deputetë të Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, zv.ministri i Mbrojtjes i Kosovës Shemsi Syla, ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë si dhe familjarë.

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?