Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë. Znj. Kushi kërkoi nga të sapo diplomuarit që ta kryejnë me shumë profesionalizëm dhe humanizëm këtë mision që kanë ndërmarrë.
“Nga ju të dashur të diplomuar që nga sot do të jeni mjekë të rinj, nuk pritet që të jeni thjesht një mjek, por pritshmëritë e pacientëve, njerëzve, të sëmurëve janë shumë të larta për ju. Ju nuk mjafton të keni vetëm diplomën dhe bluzën e bardhë. Por ju duhet të jeni dhe shumë humanistë. Të sëmurët kanë shumë nevojë edhe për fjalë të ngrohta, kanë nevojë edhe për një shtrëngim duarsh, kanë nevojë edhe për një përfaqim. Kështu do ta kryeni siç duhet misionin e lartë të mjekut. Dhe për këtë duhet shumë punë dhe shumë sakrifica, dhe nëse ka një shprehje që mund t’iu duket klishe që e themi në çdo ceremoni diplomimi që studimet tuaja nuk përfundojnë këtu. Por nuk ka profesion që kjo shprehje të jetë më e vërtetë dhe më aktuale sesa te mjeku. Pra vërtetë studimet tuaja nuk përfundojnë këtu, tashmë duhet të jeni të përgatitur që do të vazhdoni gjithë jetën të punoni, të eksploroni, të bëni kërkime, të merrni pjesë në konferenca, sepse vetëm kështu do të arrini të përmbushni misionin që keni ndaj shoqërisë.”
Ministrja tha se falë arritjeve dhe rolit aktiv në procesin e ndërkombëtarizimit sot UMT është ngritur në nivelin e universiteteve më prestigjioze evropiane.
“Jam e bindur që është një nga modelet më të mira që ju duhet të keni për tu frymëzuar dhe për të ndjekur si shembull në karrierën tuaj. E po ashtu edhe si rektor profesor Gjata ka meritën që Universiteti i Mjekësisë të Tiranës është ngritur në një nivel të ri edhe për sa i takon procesit të ndërkombëtarizimit me shumë marrëveshje bashkëpunimi me shumë programe të përbashkëta të dyfishta me universitete më prestigjioze evropiane por po ashtu edhe me punën kërkimore shkencore të stafit pedagogjik pjesëmarrje në projekte të rëndësishme të Bashkimit Evropian përmirësimin e infrastrukturës universitare e kështu me radhë.
Ministrja u kërkoi studentëve që ta çojnë përpara traditën e këtij universiteti dhe në shembullin e pedagogëve e mjekëve më të mirë në Shqipëri.
“Por profesor Gjata sigurisht që nuk i bën i vetëm gjithë këto sepse ka një staf të mrekullueshëm të cilët kanë njohuri shumë të madhe në diplomimin tuaj. Një falënderim dhe një duartrokitje të fortë për të gjithë stafin pedagogjik. Unë kam fatin të njoh shumë prej tyre dhe janë vërtet modele dhe unë uroj që ju një ditë të jeni njësoj si ata, të afroheni madje pse jo edhe të bëheni më të mirë natyrisht.”
Një falënderim të veçantë Ministrja Kushi e pati edhe për familjet të sapo diplomuar, për mbështetjen dhe sakrificat që kanë bërë gjatë gjithë periudhës së studimeve.
Lajmi kryesor:
Ceremonia/ 1 mijë të diplomuar në mjekësi ‘hedhin kapelat’! Studentja: U bëra mjeke se doja të shëroja familjarët
SI.E./ReportTv.al