Ilir Meta dhe Sali Berisha

Disa arsye pse nuk duhen votuar kandidatët e dyshes Berisha-Meta

11 Maj 2023, 10:21| Përditesimi: 11 Maj 2023, 10:24

  • Share

Partia Demokratike vjen në këto zgjedhje e përçarë si kurrë më parë. Pjesa zyrtare e PD-së ka kandidatë vetëm në një grusht bashkish dhe shpreson tek vota për këshillat bashkiakë. Pjesa tjetër e PD-së, e cila identifikohet me emrin e Berishës, shpreson tek emrat e kandidatëve për kryetar, sepse listën për këshilltarë ia ka shitur partisë aleate të Ilir Metajt.

Praktikisht nga zgjedhjet e 14 majit, Partia e Ilirit do dalë forcë e parë opozitare në rang bashkish, duke i bërë një dëm afatgjatë Partisë Demokratike në zgjedhjet e viteve pasues. Kur ta kuptojë këtë gjë elektorati demokrat do të jetë shumë vonë, por ende ka kohë për reflektim.

Fraksioni i Berishës, që u strehua nën emrin e Metajt, Ndokës dhe Dules, duke refuzuar kolegët e këtyre 3 dekadave në PD-në zyrtare, kandidon në të 61 bashkitë e Shqipërisë. Ndonëse të hallakatur e të shpallur të padëshirueshëm nga aleatët tanë perëndimorë, oreksin e kanë të madh duke synuar disa bashki qendër qarku.

Kandidati Belind Këlliçi, i identifikuar si Belo këto 30 ditët e fundit, pretendon të marrë kryeqytetin. Ndonëse shanset i ka të pakta, kjo edhe nga sondazhet që kemi parë, sërish është në të drejtën e tij që të shpresojë deri në minutën e fundit.

Ajo që duhet të zgjedhin qytetarët e Tiranës, kur të hedhin votën në kuti, është që duhet të mbajnë në punë një kryetar si Erion Veliaj që i ka dalë zot kryeqytetit në çastet më të vështira, apo duan të sjellin në krye të bashkisë Belindin, i cili do të jetë thjesht një noter i urdhrave të shefes së kuadrit me emrin Monika.

Po erdhi puna që do zgjidhet Belindi, ky do jetë një figurinë që as frymë nuk do marrë pa lejen e Ilirit dhe Monikës. Po t’ia doja të keqen Tiranës, do thosha “votoni Belindin”, thjesht për t’ua vërtetuar fjalët që po them. Por të bësh eksperiment kaq tragjik me kryeqytetin e shqiptarëve, thjesht për t’ua provuar këtë të vërtetë, do jetë fatalitet; 4 vite të çuara dëm dhe të parikthyeshme.

Të mos harrojmë diçka shumë thelbësore. Tre muaj pasi kryebashkiakët aktualë të bashkive Tiranë, Kamëz, Vorë, Durrës, Shijak, Kavajë, Krujë, Kurbin e Lezhë, morën detyrën, ata u përballën me tërmetin shkatërrimtar të nëntorit 2019. Tërmeti ishte fatkeqësi natyrore, por qenia në detyrë në këto bashki i kryebashkiakëve socialistë, ishte një fat i madh. Them fat, sepse disa nga këto bashki (që u morën në tavolinë), ishin drejtuar deri përpara tërmetin nga e djathta.

E pra, ishin këta kryebashkiakë që si një orë zvicerane, punuan ditë e natë me qeverinë Rama, duke mos sjellë asnjë pengesë e burokraci, për të siguruar një histori suksesi, e pangjashme me asnjë vend tjetër.

Nëse këto bashki do i kishin kryetarët nga opozita, procesi i rindërtimit do ecte me hapat e breshkës, për shkak të sabotimit. Jo se nuk do donin t’u ndërtoheshin shtëpitë të dëmtuarve, porse me sorollatje dhe justifikime do kishin si alibi faktin që, qeveria nuk e mbajti premtimin, prandaj nuk duhet t’ua jepni votën asaj. Dhe sot do përballeshim me mijëra njerëz rrugëve në kërkim të një strehimi. Mjafton vetëm ky aspekt që më datë 14 maj, shqiptarët të jenë të qartë e të kthjellët se për kë duhet të votojnë.

Vijojmë më tej me synimin e Berishës dhe Metajt për të marrë Elbasanin. Ajo që mund të them për kandidatin e tyre është se zotëron një urrejtje patologjike ndaj kryeministrit Rama. Por nëse ka një moment sinqeriteti tek kandidati i Berishës për bashkinë e Elbasanit, është ajo video që doli disa muaj më parë, kur ky “profesor” grushtonte me breshëri një biznesmen të suksesshëm që ka punësuar me mijëra qytetarë, edhe në bashkinë ku ky kandidat pretendon ta drejtojë.

Them “moment sinqeriteti”, sepse aty kandidati i sotëm tregoi veten e tij kur është jashtë kamerave. Ai nuk ka vetëpërmbajtje, pra nuk e kontrollon dot veten kur është në fazën e avancuar të krizës nervore. Çdo akt dhune është i dënueshëm, por ajo dhunë nuk ishte një lajthitje e çastit ku njeriu e humb toruan dhe i jep një grusht dikujt. Ajo ishte shumë më tepër, një agresion me instinkt shtazarak ku “preja” mundësisht duhet vënë përfund deri në asgjësim.

Ishte po ky që kur kryeministri Rama shkonte për fushatë në vendoret 2019 në Elbasan, organizonte militantët e tij që t’i prisnin rrugën me barrikada. Nëse qytetarët e Elbasanit e pëlqejnë këtë karakter të mbrapshtë që personifikon kandidati i Berishës, le ta zgjedhin, por të kenë parasysh që mos guxojnë më pas ta kritikojnë se dihet se ç’i gjen.

Le të kalojmë paksa në veri të Shqipërisë, në kryeqendrën e saj, Shkodrën. Është një nga bashkitë kryesore ku përveç kandidatit tradicional të së djathtës që e fiton këtë bashki për 30 vjet, kësaj herë sfidanti që përfaqëson Partinë Socialiste është më afër fitores se kurrë më parë. Zoti Beci është oferta më e mirë për kryebashkiak që i ofrohet Shkodrës, përtej ngjyrimeve politike, aq të theksuara në atë qytet.

Shpesh kryeministri Rama është akuzuar se e ka fiksim që ta marrë Shkodrën, edhe pse ironia e fatit nuk e ndihmoi në vitin 2019 për ta marrë pa garë. Por ishte pikërisht viti 2019 treguesi më domethënës që Rama nuk e do fitoren në Shkodër me çdo çmim, por si rrjedhim logjik i votëbesimit të shkodranëve.

Nëse Rama do ishte i brumosur me mentalitetin e Berishës, ish-kryebashkiakja Ademi nuk do rrinte asnjë ditë në detyrë përtej mandatit që kishte marrë në vitin 2015. Në rastin më të mirë, kandidati fitues i PS, do bënte betimin dhe më pas dorëheqjen. Në rastin më të keq, Rama do kishte bërë betejë për ta shkarkuar nga detyra zonjën Ademi, sa kohë ligji ia njeh drejtimin e bashkisë nënkryetarit të saj. Dhe me nënkryetar janë drejtuar për afro 3 vjet, Durrësi e Vora, e diçka më pak, Lushnja, Dibra e Bulqiza.

Kryeministri Rama nuk ia vuri kurrë në dyshim drejtimin e bashkisë zonjës Ademi që po qeveriste pa mandat, ndonëse kjo e fundit nuk la dy gurë bashkë në prag të vendoreve 2019 ku me militantën e saj i prishte mitingjet me kapsolla e bomba tymuese kryeministrit Rama. Nga ana e tij, Berisha nuk do e kishte kurrë këtë tolerancë nëse gjatë viteve 2007-2011 (kur pati zgjedhje vendore), do përballej me një situatë të ngjashme në bashkitë bastion i socialistëve. Nëse mendoni se në këtë rast jam duke hamendësuar, ju sjell shembullin e konfliktit të vitit 2012 ku kryeministri Berisha nuk njihte as vendimet e gjykatës të cilat njihnin si kryetar të këshillit të qarkut Fier, përfaqësuesin e PS-së.

Nuk po zgjatem duke i marrë bashkitë me radhë, sepse më mjafton fakti se cilët personazhe përfaqësojnë këta kandidatë. Ata do jenë bllokues projektesh zhvillimi për qytetet e tyre dhe mos bashkëpunues me qeverinë Rama. Shembull mund të marr kryebashkiakun aktual të Shkodrës, i cili, në së paku dy takime që janë kryer me kryetarë bashkish me anëtarë të qeverisë, ai ka munguar, ndonëse ka qenë i ftuar. Në ndryshim nga ish-kryebashkiakët socialistë që edhe në vitet 1992 - 1996 dhe 2005 - 2013 e prisnin ish-kryeministrin Berisha me ceremoni, vetëm e vetëm për të përfituar sadopak fonde shtesë për qytetet e tyre.

Si përfundim, mund të them se zgjedhjet e 14 majit janë shumë të rëndësishme si për sa i përket votës për kryetar të bashkisë, ashtu edhe për votën për këshillat bashkiakë. Zhvillimi që kanë marrë bashkitë, sidomos në aspektin turistik, ku deri vitin 2013 edhe linjat ajrore ishin me orar të kufizuar fluturimi e sot punojnë 24 orë në 7 ditë të javës me kapacitet të plotë; ku numrat e turistëve të huaj janë disa milionëshe; ku Shqipëria nuk ka më nevojë që të zhvillojë më si dikur tender për publicitet në CNN, atëherë vota duhet të ketë vetëm një drejtim: Kandidatët e Partisë Socialiste dhe listën e këshilltarëve të saj, për të pasur shumicën vendimmarrëse që bashkitë të mos mbeten peng shantazhi i dyshes famëkeqe Berisha e Metaj.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • timi: 11/05/2023 12:12

    sipas shkrimit tuaj ne duhet te votojme ne te gjitha bashkite vetem kanditatet e partise socialiste ><

    Përgjigju
  • Shqipëria: 11/05/2023 11:23

    Unë dua te votoj Lul Bashën, te partia Taulantit është, ne cilin numër apartamenti? Me fal ne cilin numër rendor doka të thoja.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?