Ilir Meta dhe Artan Lame

Disa drejtori të Kadastrës vonojnë informacionin për KED për kandidatët për Gjykatën Kushtetuese, Presidenca letër Artan Lames: Zhbllokoni procesin

6 Qershor 2022, 16:28| Përditesimi: 6 Qershor 2022, 16:44

  • Share

Disa drejtori vendore të Kadastrës nuk po i japën informacionin që kërkon Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), për kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ky është pretendimi i Presidencës në një letër drejtuar drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame.

Meta shkruan në letër se ky proces duhet të zhbllokohet sa më parë.

“Pikërisht lidhur me ecurinë e procedurave të verifikimit të kandidatëve prej KED-së, është evidentuar si një çështje shumë problematike, pengesa që po krijohet nga mosdhënia e informacionit të kërkuar prej KED, nga disa drejtori vendore të ASHK-së, në varësinë direkte tuajën”, thuhet në letër.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, është duke punuar për verifikimin e kandidaturave për plotësimin e 4 (katër) vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, vakanca këto të shpallura nga Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë dhe që u përkasin për emërim këtyre organeve.

Në letër thuhet se problematika është një situatë e përsëritur, prej 4 vitesh që funksionon KED.

“Në të gjitha proceset e mëparshme ka pasur vonesa në dhënien e informacionit prej drejtorive vendore të ASHK-së, apo ish-ZVRPP-ve në rrethe, dhe kjo po përsëritet edhe këtë vit, duke u kthyer në një fenomen shqetësues fakti që, institucione publike, aktualisht në varësi direkte të Kryeministrit, nuk reflektojnë të njëjtin vullnet dhe praktikë administrative, dhe nuk tregojnë bashkëpunimin në kohën e duhur duke mospërmbushur si detyrimet që rrjedhin nga zbatimi i ligjit, por dhe nga bashkëpunimi ndërinstitucional, veçanërisht në procese kaq të rëndësishme për vendin, si është ai i verifikimit të kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në letrën e Metës.

Sipas Presidencës Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në funksion të verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave të paraqitura, me shkresë zyrtare i është drejtuar në mënyrë të përsëritur Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që prej muajit mars 2022, duke kërkuar të dhëna lidhur me pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale të regjistruara në regjistrat e pasurive të paluajtshme të kandidatëve që kanë shprehur interes për t`u emëruar/zgjedhur si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe personave të lidhur me ta, për arsye se disa drejtori vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nuk kanë përcjellë ende përgjigje.

Meta thotë se në mbledhjen e tij të fundit të datës 31 maj, KED ka diskutuar mbi këtë çështje duke i kushtuar një pikë të veçantë në rendin e ditës. Pas diskutimit vendosi Në këtë mbledhje, KED në përfundim vendosi që t’i ri-drejtohet me një shkresë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe t’i risjellë në vëmendje detyrimin kushtetues për të vënë në dispozicion të KED informacionin e kërkuar brenda afatit 7 (shtatë) ditor. Po ashtu, ky komunikim me drejtuesin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, u vendos t’i bëhet me dije edhe Presidentit të Republikës, Këshillit të Ministrave, Kuvendit të Republikës, si edhe Bordit të Administrimit të Kadastrave.”  

Kjo vendimmarrje e KED është mbështetur dhe është kërkuar të procedohet pa asnjë vonesë, edhe nga përfaqësuesit e Presidentit të Republikës që marrin pjesë në këto mbledhje. Shqetësimi mbi vonesa të mundshme që mund të përballet KED në procesin e verifikimit të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, i është bërë prezent Këshillit nga përfaqësuesit e Presidentit të Republikës në disa mbledhje edhe përgjatë këtij viti (2022).

“Në mbledhjen e KED të datës 31.05.2022 u diskutua gjithashtu edhe mbi drejtoritë vendore konkrete që nuk kanë sjellë informacionin e kërkuar , ndërkohë që shumë të tjera (rreth 40) e kishin përmbushur detyrimin e tyre ligjor dhe e kishin përcjellë informacionin e kërkuar prej KED.   Në kushtet kur shumica e zyrave vendore kanë kthyer përgjigje dhe vetëm disa prej tyre ende jo, është e qartë se nuk ka asnjë pengesë objektive për këtë mosreagim, por është e dukshme që këto zyra ose nuk kanë njohuritë për zbatimin e ligjit, ose nuk kanë vullnet për të vlerësuar dhe mbështetur këtë proces me kaq rëndësi për vendin, siç është një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale”, vijon letra e Metës, i cili nënvizon se nisur nga historiku i procedurave të kaluara të zhvilluara në KED (përgjatë vitit 2019, 2020 dhe 2021), apo dhe përgjatë vitit 2022, çdo pengesë në kthimin e përgjigjeve shkakton drejtpërdrejt bllokimin e procesit të verifikimit të kandidaturave nga ana e KED, duke bërë që të vonohet procesi i verifikimeve dhe plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

“Në kushtet kur sërish edhe pas kësaj kërkese të përsëritur të KED për informacion, nuk do të kthehet përgjigje brenda afatit të caktuar nga KED (afat që përfundon në datën 10.6.2022), çdo vonesë do të konsiderohet si veprimtari e qëllimshme, që provon tashmë çdo dyshim se kjo veprimtari bllokuese bëhet për të shtyrë në kohë procesin e verifikimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, përtej datës 24 korrik 2022 , në shkelje të çdo afati ligjor. Për të mos vërtetuar bindjen në këtë drejtim, nevojitet angazhimi juaj si Drejtor i Përgjithshëm, por dhe i strukturave vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të trajtuar me urgjencë këtë çështje duke përcjellë informacionin shterues pranë KED-së, duke ofruar bashkëpunimin me këtë organ (KED), si dhe duke marrë masa për nxjerrjen e përgjegjësive për këto zvarritje të deritanishme në dhënien e informacionit të kërkuar. Është e papranueshme që shumica e Drejtorive Vendore të ASHK-së e kanë përmbushur detyrimin ligjor ndaj KED, ndërkohë që një pjesë shumë e vogël heziton të kthejë përgjigje duke bllokuar të gjithë procesin”.

Meta thotë se vonesa nuk duhet të ndodhë aq më pak, kur për një proces që zhvillohet nga një organ i pavarur kushtetues siç është KED, shkaktohen pengesa nga organe në varësi të drejtpërdrejtë nga ekzekutivi (Kryeministri).

“Si Presidenti i Republikës, do vijoj të mbetem i gatshëm për të ndihmuar në kapërcimin e çdo pengese që mund të hasin institucionet e pavarura në përmbushjen e këtyre detyrave”, përfundon letra e Metës për Artan Lamen.

(Kliko ketu per te lexuar dokumentin e plote)

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?