Koronavirus ka dhënë ndikimin e parë në Premier League-n angleze. Supersfida e ditës së mërkurë mes Manchester City dhe Arsenal është pezulluar për shkak të frikës së përhapjes së virusit. Indiciet janë që disa prej futbollistëve të Arsenal të jenë infketuar me këtë virus, që deri më tani i ka marrë jetën 4, 377 personave në të gjithë botën.
Raportohet se disa prej futbollistëve të Arsenal pas ndeshjes së 28 shkurtit në Europa League kundër Olympiacos ku eliminuan nga ky kompeticion, kanë takuar presidentin e klubit grek, Evangelos Marinakis, i cili të martën vetëdeklaroi se është prekur nga koronavirus dhe se po qëndronte në karantinë.
Për këtë arsye Arsenal ka konfirmuar se disa futbollistë janë karantinuar në shtëpitë e tyre deri ditën e premte, kur bëhën edhe 14 ditë që pas ndeshjes me Olympiacos. Londinezët në faqen zyrtare kanë shkruar: “Lojtarët do të qëndrojnë në shtëpitë e tyre derisa të skadojë periudha 14-ditore. Gjithashtu disa anëtarë të stafit, të cilët ishin ulur pranë Z. Marinakis gjatë ndeshjes, do të qëndrojnë në shtëpi derisa të përfundojnë 14 ditët.”
Në postimin e tyre Arsenal gjithashtu i uronte shërimin sa më të shpejtë biznesmenit grek Marinakis, ndërsa bën me dije se futbollistët do të kthehen në stërvitje ditën e premte. Në vijim pritet që federata angleze të vendosë për datën e rikuperimit të kësaj ndeshjeje.
Ndërkohë dyshime të forta ka hedhur edhe gazeta Bild për klubin e Schalke-s. Thuhet se blutë po qëndrojnë në karantinë pasi dyshohet se një futbollist është i infektuar. Deri më tani asnjë gazetar nuk është lejuar ti afrohet qendrës stërvitore, ndërsa në fundjavë Schalke duhet të ndeshet me Dortmund-in. E sigurtë është që kjo ndeshje do të luhet pa tifozë, por nuk përjashtohet edhe mundësia që të ndërpritet.