Zef Brozi

Brozi: Disa sugjerime dhe përvoja për Reformën Zgjedhore

7 Nëntor 2019, 21:42| Përditesimi: 7 Nëntor 2019, 23:12

  • Share

Reforma zgjedhore që shpresojmë të realizohet këtë vit duhet t’u ktheje qytetarëve të drejtën reale për të zgjedhur Presidentin, përfaqësuesit e vet në Parlament dhe në pushtetin lokal. Reforma mund e duhet t’i japë Shqipërisë shansin e munguar në këto tre dekada për të pasur zgjedhje të lira, demokratike dhe të ndershme.

Mendoj se edhe Presidenti duhet të zgjidhet nga populli ashtu sikurse ndodh në shumë vende të botës, përfshire edhe Maqedoninë. Përvoja e turpshme e zgjedhjes së presidentëve në këto 28 vitet e fundit në vendin tonë e bën edhe më të domosdoshme zgjedhjen e presidentit nga populli.  Justifikimet dhe opinionet që kanë disa në Shqipëri se presidenti zgjidhet nga populli vetëm në republikat presidenciale tregon se sa prapa realitetit të sotëm botëror kanë mbetur këta juristë e politikanë, ose se ata qëllimisht bëhen manipulues të opinionit shqiptar për interesat e dy a tre kryetar partish që duan ta emërojnë ata vetë presidentin edhe në të ardhmen. Ndryshimi përkatës në Kushtetutë për zgjedhjen e presidentit nga populli është lehtësisht i mundshëm dhe drafti mund të bëhet brenda ditës.

Mendoj gjithashtu se Parlamenti i ardhshëm nuk duhet të ketë 140 deputetë, por jo më shumë se 100 deputetë.  Për një vend aq te vogël si nga popullsia ashtu edhe nga sipërfaqja territoriale, një parlament me 80-100 deputetë është i mjaftueshëm për përfaqësimin e zgjedhësve.  Ky zvogëlim i numrit të deputetëve lidhet edhe mundësitë e kufizuara ekonomike të vendit dhe me nevojën që deputetët duhet të kenë kushte të mira pune, të jenë më pranë zgjedhësve dhe në kontakt me zonën ku janë zgjedhur.

Mendoj se Reforma Zgjedhore do të jetë e mangët, jo demokratike dhe jo e ndershme nëse nuk ndryshohet sistemi i sotëm zgjedhor- sistem i korruptuar dhe antidemokratik. Mendoj se drafti i Reformës Zgjedhore do ishte mirë dhe më efektiv të fillonte me ndryshimin dhe zgjedhjen e sistemit zgjedhor. Kjo çështje nuk duhet të shtyhet për një fazë tjetër të reformës sikurse ka disa opinione.  Fakti se institucionet ndërkombëtare nuk e kanë theksuar në rekomandimet e tyre çështjen e sistemit zgjedhor nuk mund të merret si justifikim apo argument se sistemi i sotëm zgjedhor është i mirë apo se kjo çështje duhet të diskutohet në një fazë e kohë tjetër.  Shqipëria ka humbur shumë kohë, energji e shanse me debate për zgjedhjet e reformat zgjedhore në këto 30 vite.  Në përzgjedhjen e sistemit zgjedhor duhet të mbahet parasysh se ka ardhur koha që partitë politike të mos mbahen si të tilla me paterica, lëmosha, falje e pazare votash e listash nga parti të tjera a koalicione false.  Për një vend të vogël si Shqipëria 4-5 parti politike do të ishin më se të mjaftueshme për të pasur një opozitë reale e konstruktive dhe një mazhorancë të përgjegjshme.  Pra mendoj se një sistem i pastër mazhoritar ose proporcional do ishte sistem që shpreh vullnetin e zgjedhësve dhe forcën real të çdo partie.

Mendoj se koalicionet parazgjedhore nuk duhet të lejohen, ndërsa koalicionet paszgjedhore për qeverisjen i bën të nevojshme vetë rezultati i zgjedhjeve.

Mendoj se votimi dhe administrimi i zgjedhjeve duhet të jetë i thjeshtë e jo aq i komplikuar dhe me shume shpenzime të buxhetit të shtetit sikurse është i sotmi. Votat duhet të numërohen në qendrën e votimit, aty ku votohet, dhe jo në qendra të tjera numërimi.

Po jap përvojën e thjeshtë të votimit këtu ne Amerikë (Shtetin e Virginias) ku unë votova edhe me 5 Nëntor 2019. Kur u paraqita për të votuar paraqita Driver License (patentën) dhe një nga personat e qendrës së votimit më kërkoi të them me zë emrin e plote dhe adresën e banimit, pastaj personi në tavolinën tjetër me dha fletën e votimit dhe unë u shkova në dhomën e fshehtë dhe plotësova fletën e votimit. Pastaj shkova tek skaneri dhe futa fletën e plotësuar dhe kur në ekran doli mesazhi se vota u numërua, një person tjetër që shërben në qendrën e votimit më dha një stikër ku shkruhet (Unë Votova) dhe pastaj u largova. Pra ndryshe nga pak vite më parë ku votohej me kompjuter, ka dy vjet që votohet me fletë votimi edhe si një masë për të parandaluar ndërhyrjet e hakerave dhe për të siguruar integritetin e votimit.

Unë përshëndes propozimet e OSBE-s dhe ODIHR-it për reformën zgjedhore që duhet të bëjë Shqipëria për depolitizimin e administrimit të zgjedhjeve dhe komisioneve të zgjedhjeve të të gjitha niveleve, pra që ato të mos emërohen e kontrollohen nga partitë por të jenë të pavarura. Nga sa kam lexuar përmes internetit Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore po shqyrton disa drafte të paraqitura që shpresoj të realizojnë këtë qëllim e rekomandim.

Një përvojë pozitive për zgjedhjet nga e cila Shqipëria mund të mësojë është edhe përvoja e Meksikës për zgjedhjet Federale, për të cilën unë kam botuar në shtypin shqiptar një artikull të detajuar në Prill 2007 dhe ua kam dërguar edhe disa deputetëve.  (Mbase mund të duket si e pabesueshme për mua dhe lexuesit që Meksika të ketë një ndër sistemet më të avancuara të zgjedhjeve federale- ZB).

Me poshtë do flas për disa aspekte konkrete te eksperiencës se Meksikës për zgjedhjet që mund t’i marrin në konsideratë edhe Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore në Shqipëri.

Meksika ka ndërtuar institucione profesionale dhe jo partiake për zgjedhjet.

Institucioni kryesor për organizimin e zgjedhjeve është Instituti Federal i Zgjedhjeve, i cili është komision zgjedhor kombëtar, i pavarur dhe jo partiak. Anëtarët e tij duhet të miratohen nga jo më pak se 2/3 e votave të Legjislativit.  Ky është ndër institucionet më të besuara e më të respektuara në Meksikë. 

Meksika ka Gjykatë të Posaçme e të Specializuar për Zgjedhjet, gjykatë që është e pavarur dhe me autoritet.

Meksika ofron një model të shkëlqyer për Shqipërinë dhe mbase për të gjithë botën edhe lidhur me Komisionet në Qendrat e Votimit, te cilat janë një problem i pazgjidhur dhe aq shqetësues për Shqipërinë.

Këto komisione në Meksikë nuk janë caktuar nga partitë, por përzgjidhen nga listat e qytetarëve.  Shërbimi në administrimin e zgjedhjeve konsiderohet nga shtetasit si një detyrim civil e qytetar, i ngjashëm me juritë në Amerikë. Në zgjedhjet e vitit 2006 Instituti i Zgjedhjeve përzgjodhi 7.2 milion shtetas për t’i trajnuar për zgjedhjet dhe nga këta seleksionoi 913000 vetë si më të mirët për të drejtuar zgjedhjet ne 136477 qendra votimi. Këta komisione të vetë shtetasve përgatisin qendrën e votimit dhe organizojnë gjithë procedurën e votimit, bëjnë numërimin e votave dhe nxjerrjen e rezultateve të votimit në qendrën e tyre të votimit.  Vëzhguesit e partive politike, organizatave joqeveritare dhe të institucioneve ndërkombëtare kanë të drejtë të vëzhgojnë gjithë procedurën e votimit, numërimit të votave dhe nxjerrjes se rezultateve.

Presidenti i Institutit Federal te Zgjedhjeve ne Meksike theksonte se “ Ne besojmë në qytetarët dhe në aftësitë e tyre për të marrë përgjegjësi dhe për të kryer me korrektësi e ndershmëri detyrën në qendrën e votimit, si edhe për të bërë zgjedhje të pastra.”

Kjo ka edhe përfitime të shumanshme:  Së pari, duke trajnuar për zgjedhjet një masë të madhe qytetarësh, këta vetë mësojnë si të votohet, dhe pastaj këta mësojnë familjarët dhe të afërmit e miqtë e tyre dhe procesi shkon zinxhir. Pra populli edukohet gjithnjë e më shumë për votimet dhe zgjedhjet.  Sedyti, qytetarët bëhen më të përgjegjshëm për votën e tyre dhe për ruajtjen e pastërtisë e korrektësisë së zgjedhjeve.

Mendoj se Kodi Zgjedhor duhet të caktojë kriteret morale dhe arsimore që duhet të plotësojnë shtetasit që mund të përzgjidhen për të qenë kandidatë të mundshëm për t’u caktuar me detyra në qendrat e votimit.  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën ose organizon trajnimin e vazhdueshëm të këtyre qytetarëve të përzgjedhur, harton listat e tyre dhe kur ka zgjedhje, sipas nevojave, i thërret ata për të shërbyer në qendrat e votimit.

Meksika ka bërë zgjidhjen më të mirë për Regjistrin e Votuesve dhe Kartat e Identitetit të Votuesve.

Regjistri i Votuesve

Meksika ka hartuar regjistrin e votuesve te cilin e ka edhe të kompjuterizuar.  Ajo çfarë e dallon nga vendet e tjera këtë regjistër është edhe fakti se krahas emrit dhe të dhënave të tjera, aty çdo votues ka edhe fotografinë.  Ky regjistër votuesish rishikohet dhe plotësohet çdo vit, dhe jo vetëm kur ka zgjedhje. Listat e votuesve duhet të kenë përfunduar jo më pak se gjashtë muaj para zgjedhjeve.  

Karta e Identitetit te Votuesit

Meksika përdor Kartën e Identitetit të Votuesit e cila është bërë me teknologjinë bashkëkohore, me fotografi dhe elementë të shumtë sigurie (përfshire edhe ate biometrik). Lista e votuesve te pajisur me Karte Identiteti mbahet nga Instituti Federal i Zgjedhjeve dhe teknikisht është dhënë zgjidhja që një person të mos ketë mundeëi të pajiset me dy a më shumë Karta Identiteti.

Si e ka zgjidhur Meksika problemin e votimit të imigrantëve?

Imigrantët meksikanë (si edhe të shumë vendeve të tjera) kanë të drejtë të votojnë. Ata mund të votojnë me postë në vendet ku ata jetojnë jashtë Meksikës, pra fletën e votimit e plotësojnë dhe e postojnë. 

Këto sugjerime dhe përvoja të vendeve të tjera shpresoj t’u vijnë në ndihmë Komisionit të Reformës Zgjedhore, Parlamentit, Qeverisë dhe të gjitha partive politike për të realizuar pa vonesë reformën zgjedhore. Mundësitë janë, veçse duhet vullneti i mirë politik e bashkëpunues për një reformë zgjedhore për më të mirën e vendit tonë të dashur.

G.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Delinquenti: 09/11/2019 18:18

    Bravo zoti Brozi e drejte analizza dhe keshillat por duhet te kemi parasysh nje gje shum shum te rendesishme qe ne si popull dhe si politikane tjeter themi dhe tjeter bejme dhe me e keqja è te gjith te keqijave eshte se NJE FJALI E THJESHTE NE SHQIPERI LEXOHET NE 10 MENYRA DHE KETU MERR FUND C'DO GJE. Respekt per ju.

    Përgjigju
  • A po vjen drejtësia?: 08/11/2019 08:45

    Ju urojm shendet z Brozi por do t ishte ma e vlefshme të bani plane me u kthy n atdhe.Keto jan momente vendimtare për kombin ton dhe njerëz si Ju jan nji humbje e madhe që jan largu.Respekt

    Përgjigju
    • alban lleshaj: 08/11/2019 21:32

      Ananoze e plote z.Brozi.Shpresojm se reforma e re ne drejtesi e ajo e kodit zgjedhor mund te gjeje zbatim

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?