Politikë

Disfata e 11 majit/ Dule: Dështuam sepse njerëz nga radhët tona u blenë, qeveria u investua tek përçarja e opozitës

10 Korrik, 12:17| Përditesimi: 10 Korrik, 15:23

  • Share

TIRANË- Pas disfatës së thellë më 11 maj, aleati i Sali Berishës, Vangjel Dule, thotë se opozita duhet të kthejë gishtin nga vetja. Ndonëse i qëndron ‘tezës’ së opozitës së më 11 maj nuk pati zgjedhje, duke thënë se reagimet e ndërkombëtarëve dhe raportin paraprak të OSBE-ODIHR, në asnjë rast nuk e ka lexuar si certifikim.

“Opozita në çdo rast duhet ta kthejmë gishtin nga vetja, edhe në rast fitoreje duhet ta drejtonte gishtin nga vetja. Çdo politikan duhet ta bëjë, çdo formacion politik dhe në mënyrë të përditshme. Për vlerësimin tonë dhe e kam thënë në mënyrë të përsëritur, nuk ka pasur zgjedhje më 11 maj.

Nuk kam konstatuar certifikim të këtyre zgjedhjeve, nga asnjë deklaratë, nga asnjë autoritet unilateral apo multilateral ndërkombëtar. Përkundrazi, është hera e parë që në raport nuk kemi atë shprehjen e famshme që pavarësisht problematikave u shënuan hapa para. Është thembra e Akilit. Nuk janë zgjedhje, për rrjedhojë mos prisni dhe nuk duhet të presim që të na thonë se zgjedhjet ishin të papranueshme dhe duhen përsëritur”, tha Dule.

Por, dështimin e opozitës Dule e sheh edhe tek përçarja mes radhëve të tyre. Në një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit, kreu i PBDNJ tha se më 11 maj pësuan disfatë elektorale pasi njerëz nga opozita u blenë apo ranë viktima të ‘represionit’. Për Dulen, nëse vota opozitare do të ishte e unifikuar, do të kishte sjellë përmbysjen e rezultatit.

“Është programi më i plotë ai i paraqitur nga opozita më 11 maj. Dështuam, sepse edhe njerëz nga radhët tanë u blenë, apo ranë viktima të presionit. Apo edhe fenomene të tjera, të cilat kanë të bëjnë me divergjenca brenda kampit opozitar. Imagjinoni për një moment nëse vota opozitare do të ishte e unifikuar, se çfarë votë të shtuar do të kishte sjellë në rezultatin përfundimtar dhe ndoshta edhe përmbysje të rezultatit”, tha Dule.

Shkaktare për përçarjen e opozitës sheh edhe qeverinë Rama.

“Është investuar qeveria në përçarjen e opozitës. Mos harroni se kreu i opozitës ka qenë për njëmbëdhjetë muaj. I privuar nga ushtrimi i të drejtave të drejtimit të opozitës, kryetari i forcës së dytë opozitare të koalicionit është ende i paraburgosur”, vijoi Dule.

Ndërsa Sali Berisha është përpjekur prej gati tre muajsh të faktojë ‘farsën’ e 11 majit me deklarata nga selia blu, Dule thotë se protestat duhet të ishin pandalshme.

“Është çështje e shoqërisë sonë, e zgjedhësve tanë, që të reagojnë. Në çdo vend tjetër, pas një procesi të tillë si ai i 11 majit, protestat do të ishin të pandalshme. Por çfarë po ndodh? Ne kemi fenomene të tjera sociale që kanë ndodhur në vendin tonë. Qytetari im ndihet i mundur. Shoqëria jonë ndihet e mundur nga partia shtet. Këtu është përgjegjësia e opozitës”, thekson Dule.

Deputeti kritikoi qeverinë për trajtimin e çështjeve të pronave për minoritetin grek, duke shigjetuar edhe kryebashkiakun e ri të Himarës, Vangjel Tavo, i cili sipas Dules, nuk e ka përmirësuar këtë situatë.

"Një përkeqësim në maksimum i politikave të ndjekura ndër vite pavarësisht se kush ka qenë kreu i emëruar i bashkisë së Himarës. Kemi mëkëmbësit e kryeministrit Rama. Rama është de facto kryetari i Bashkisë së Himarës. Nuk e trajton as si bashki, por si çiflig", tha Dule. 

Kisha Ortodokse ka marrë nga qeveria një leje ndërtimi në Tiranë për të bërë në rrugën e Kavajës një pallat 10 katësh, por Dule vijon të jetë kritik që Rama nuk po i kthen pronat Kishës.

"Mënyra e trajtimit të pronës së vet nga një komunitet fetar, është në ekskluzivitetin e përgjegjësive dhe kompetencave të tyre, konform rregullave të funksionimit të tyre", vijoi ai.

Vangjel Dule e quajti raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, një nga më kritikët për vendin tonë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Beni: 10/07/2025 16:43

    Pse ky akoma merret me politike?Eshte zgjedhur deputet me list te hapur apo mbyllur?E çuditshme.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?