Betejë të vështirë për opozitën i ka cilësuar zgjedhjet e 11 majit, politologu Ermal Hasimja.
I ftuar ditën e sotme në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’, në Report Tv me gazetarin Nertil Agalliu, ai u shpreh se Berisha nuk arrin që të krijoj më besueshmëri tek populli.
‘Ishte një betejë shumë e vështirë për opozitën sepse është investuar i gjithë shteti për të bërë fushatën e PS, për këdo lloj opozitë do të ishte shumë e vështirë. PD ka vuajtur në shumë aspekte dhe ka rrjedhje votash, por në kushtet e vendit është e kuptueshme që kjo të ndodh, jemi në një situatë që njerëzit shantazhohen përmes vendit të punës dhe për shuma të vogla parash dhe s’është e lehtë për një opozitë që të veprojnë në këto kushte.
Do të duhet që partitë e opozitës të arrinin që të kishin të gjitha personazhe të besueshme dhe që japin shpresë për një ndryshim real. Për një pjesë të elektoratit sidomos gri nuk është më i besueshëm Berisha. Problemi që ka PD, është se nuk arrin që të garantojë besueshmëri dhe është problem që do të duhet ta zgjedh. Sot PD thotë se ka humbur zgjedhjet se i ka vjedhur Rama pa bërë një analizë në vetvete’, tha ai.
Një koment e pati edhe për këshilltarin elektoral të PD në zgjedhjet e 11 majit.
‘Mediat e kanë fryrë më tepër se sa duhet dhe vet PD për ta përdorur si reklamë La Civita, këtu mund të vinte edhe vet Trump dhe prap rezultati nuk do të ndryshonte. Në këtë aspekt La Civita nuk mund të ndryshonte asgjë. Berisha e ndjen të nevojshme që të pastrojë imazhin e tij dhe nuk besoj se ka pasur ndonjë lloj roli’, tha ai.
Urimin e Ambasadës së SHBA për zgjedhjet, ai e cilësoi si ndër më të ftohtit dhe më indiferentët ndër vite.
‘Është një reagim që thotë bëni ca të doni se nuk kemi kohë që të merremi me ju. Mesazhet e mëparshme kanë qenë duke uruar qeverinë dhe kjo deklarate është më e kursyera që ka bërë ndonjëherë dhe tregon se nuk e ka në vëmendje Shqipërinë në këto momente’, tha ai.
Komente
