K.F Iliria

Disiplina/ Kërcënoi arbitrin, presidenti i Ilirias pezullohet me 1 vit nga futbolli! E pësojnë dhe djemtë e tij, skuadra do vijojë sezonin në fushë asnjëanëse

7 Nëntor, 19:49| Përditesimi: 7 Nëntor, 20:37

  • Share

Komisioni i Disiplinës në mbledhjen e radhës ka marrë disa vendime për disa prej klubeve dhe lojtarëve që luajnë në kategori inferiore.

Klubi Iliria e Fushë Krujës në Kategorinë e dytë dënohet që pjesën e mbetur të sezonit të luajë në fushë asnjëanëse dhe me gjobë 500 mijë lek për hyrjen e disa personave në fushë që kërcënuan edhe arbitrat e ndeshjes me Luzin. Ndeshej e cila u ndërpre për disa minuta derisa të përfundonte në barazim.

Presidenti i klubit Iliria, Nazmi Selmani pezullohet me 1 vit nga futbolli për kërcënim të arbitrave, ndërsa e pësojnë edhe djemtë e tij Adolf Selmani me 1 vit pezullim, Santiago Selmani 10 ndeshje pezullim dhe Brajan Selmani me 10 ndeshje pezullim.

'FK Iliria, për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, duke lejuar hyrjen e personave të paautorizuar në fushën e lojës dhe duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes në bazë të neneve 6/3/d, 8, 13/2, 17/1, 17/2/a, 17/2/h dhe 77 të KDE, dënohet me zhvillimin pjesës së mbetur të ndeshjeve të sezonit futbollistik 2024-2025 në fushë asnjanëse dhe gjobë në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/b të KDE, gjoba të aplikohet në masën 20%.

Zyrtari i KF Iliria, Nazmi Selmani, për sjellje të dhunshme dhe kërcënime ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 14/1/h dhe 14/1/k të KDE, dënohet me 1 (një) vit pezullim nga të gjitha veprimtaritë e organizuara nga FSHF. Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet, në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.

Lojtari i KF Iliria, Adolf Selmani, për sjellje josportive dhe sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 14/1/j dhe 14/1/l të KDE, dënohet me 1 (një) vit pezullim nga të gjitha veprimtaritë e organizuara nga FSHF.

Lojtari i KF Iliria, Santiago Selmani, për kërcënim ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/k të KDE, dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga të gjitha veprimtaritë e organituara nga FSHF.

Lojtari i KF Iliria, Brajan Selmani, për kërcënim ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/k të KDE, dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga të gjitha veprimtaritë e organituara nga FSHF.', thuhet në vendimet e Komisionit të Disiplinës në FSHF.

Tre nga këto persona Nazmi Selmani, Brajan Selmani dhe Santiago Selmani u arrestuan në fund të gushtit për kërcënim të Armand Dukës, për djalin tjetër Gentianin që ta merrte kombëtarja, por me pas u lanë të lirë.

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?