Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka ndërmarrë masa të rënda ndëshkuese ndaj ekipeve të moshave, pas konstatimit të shkeljeve të rënda në disa ndeshje të zhvilluara së fundmi në kampionatet e të rinjve.
Në vendimet e fundit të publikuara, bie në sy hapja e një hetimi disiplinor për përballjen e Superligës U-19 mes Teutës dhe Tiranës, ku nuk munguan grushtat dhe dhuna. Drejtuesit janë duke shqyrtuar elementët problematikë të këtij takimi, duke sinjalizuar mundësinë e sanksioneve të mëtejshme në varësi të përfundimeve të hetimit.
Ndërkohë, në kategoritë më të ulëta të moshave, janë marrë masa të menjëhershme. Ekipi FC Albanët U-13 është dënuar me humbje në tavolinë, pasi në ndeshjen e vlefshme për Kampionatin e Kategorisë së Dytë U-13, Zona Rajonale Tiranë, ka aktivizuar lojtarë të cilët nuk kishin të drejtë të merrnin pjesë.
Disiplina ka treguar një qasje të prerë në respektimin e rregullores, duke dhënë një mesazh të qartë për të gjitha klubet e moshave; toleranca ndaj parregullsive është zero.
Vendimet e plota:
Çeljen e hetimit disiplinor në lidhje me incidentet e ndodhura pas ndeshjes KF Teuta U-19 kundër KF Tirana U-19.
Zyrtari i FC Albanet U-16, Amarildo Hoti, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (kater) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Lojtari i FC Albanet U-16, Besjan Metalia, per sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Zyrtari i KFF Gramshi, Andrit Bici, për sjellje josportive ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/b të KDE dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
FC Albanet U-13, për aktivizimin e lojtarëve që nuk kishin të drejtë të luanin në ndeshjen e vlefshme të Kampionatit Kategoria e Dytë U-13, Zona Rajonale Tirane kundër Don Bosko Academy U-13, në bazë të neneve 19/2 dhe 19/4/a të KDE si dhe nenit 16/7 të Rregullores së Aktivitetit të SHRFT, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0.
Don Bosko Academy U-13, për aktivizimin e lojtarëve që nuk kishin të drejtë të luanin në ndeshjen e vlefshme të Kampionatit Kategoria e Dytë U-13, Zona Rajonale Tiranë kundër FC Albanët U-13, në bazë të neneve 19/2 dhe 19/4/a të KDE si dhe nenit 16/7 të Rregullores së Aktivitetit të SHRFT, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0.
Zyrtarja e KF Egnatia Femra U-13, Rabie Tota, për shkelje të parimeve fair-play dhe rregullave themelore të sjelljes së mirë si dhe sjellje josportive ndaj zyrtareve të ndeshjes duke shkaktuar braktisjen e ndeshjes, në bazë të neneve 13 dhe 14/1/j të KDE dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
KF Egnatia Femra U-13, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të kampionatit Kategoria e Dytë U-13 Femra, Zona Rajonale Tiranë, kundër Astiri A U-13, në bazë të nenit 16/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Sipas nenit 76/1/e të KDE, gjoba të aplikohet në masën 3%.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.
Komente
