Politikë

Këshilli Bashkiak i Tiranës mblidhet më 23 shtator për shkarkimin e Erion Veliajt, socialistët nisin procedurën për 'mosparaqitje në detyrë'

17 Shtator, 09:09| Përditesimi: 17 Shtator, 21:12

  • Share

Këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës do të kërkojnë ditën e martë (23 shtator) shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Lajmi bëhet i ditur nga burime të Report Tv, brenda mbledhjes së këshilltarëve socialistëve të Bashkisë Tiranë që u zhvillua në selinë e PS.

Sipas këtyre informacioneve, këshilltarëve socialistë të Tiranës ju kërkua që të procedojnë me kërkesën për shkarkimin e Erion Veliajt, duke aktivizuar nenin 62 të qeverisjes vendore, që ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë prej 3 muajsh. Kërkesa është firmosur nga të gjithë këshilltarët socialistë të pranishëm në mbledhje. 

Kujtojmë që Erion Veliaj nuk është paraqitur në detyrë prej më shumë se 6 muaj, që prej arrestimit të tij më 10 shkurt 2025. Që prej asaj kohe ai ndodhet me masë sigurie arrest në burg nga GJKKO, me kërkesë të SPAK. Vetë Veliaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe ka kërkuar disa herë në shkallët e ndryshme të gjyqësorit një masë më të lehtë sigurie, por të gjitha kërkesat i janë rrëzuar.

Mbledhja në selinë e PS, që nisi në orën 17:00 dhe përfundoi në orën 18:30, drejtohej nga Kryetarja e Këshillit Bashkiak Megi Fino dhe kryetari i grupit socialist në Bashkinë e Tiranës, Eridian Salianji.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e Veliajt do të duhen 31 vota nga 61 anëtarë që janë gjithsej, numra të cilat socialistët i kanë. Pas vendimit që do të marrë Këshilli Bashkiak i Tiranës, firmën përfundimtare do të duhet ta hedhë Kryeministri.

Shkarkimin e Erion Veliajt e kërkuan edhe këshilltarët e PD në Bashkinë e Tiranës, që në muajin maj 2025.

Më 10 shtator SPAK njoftoi se e dërgoi në gjykatë dosjen Veliaj. Ndërsa më 11 shtator, në Asamblenë e PS, Kryeministri Edi Rama u kërkoi kryebashkiakëve socialistë që të nisin procedurat për shkarkimin e Veliajt dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës. Rama deklaroi gjithashtu se PS do të kandidojë Ogerta Manastirliun për Bashkinë e Tiranës.

Sipas ligjit, këshilli bashkiak ka për detyrë të propozojë shkarkimin e kryebashkiakut, ndërsa vendimi merret nga Kryeministri.

Nëse Kryeministri Edi Rama firmos shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj, socialistët e kanë gati kandidaten, Ogerta Manastirliun. Por kjo mund të ndodhë nëse kryebashkiaku Erion Veliaj nuk e ankimon procedurën e shkarkimit në Gjykatën Kushtetuese.

Kryebashkiaku ka të drejtë ta kundërshtojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese. Për momentin Veliaj, i cili ndodhet prej 7 muajsh në paraburgim, nuk ka bërë asnjë koment për vendimin politik.

Ligji thotë se në rast se Veliaj e kundërshton Ramën pranë kësaj gjykate, procesi duhet të pezullohet dhe zgjedhjet për zëvendësimin e tij, të mos zhvillohen, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetutese.

Nga ana tjetër, nëse Bashkia e Tiranës shkon në zgjedhje të parakohshme, opozita deri më tani nuk ka gati asnjë kandidat gati që do të rivalizonte Manastirliun. Edhe ata pak emra që u përfolën si kandidatë të mundshëm, Ilir Alimehmeti apo Jorida Tabaku kanë refuzuar publikisht kandidimin.  

Aktualisht, Bashkia e Tiranës drejtohet nga kryetarja e komanduar, Anuela Ristani.

Ora 17:33
Çfarë ndodh nëse shkarkohet Veliaj? Avokati Hoxha: Do të ishte hera e parë nga viti 1994, procesi do ishte jokushtetues

 

Avokati Arbër Hoxha thotë se nëse kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, shkarkohet nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, do të ishte një proces jokushtetues dhe do t’i shkelej e drejta e tij e prezumimit të pafajësisë.

I ftuar në Report Tv, në emisionin Studio Live, avokati Hoxha theksoi se një proces i tillë, nëse ndodh siç kërkoi Kryeministri Edi Rama, do të ishte hera e parë që ndodh që prej vitit 1994.

Sipas tij, motivi për shkarkimin e tij që pritet të përdoret është mosparaqitja në detyrë për 3 muaj ( në rastin Veliaj është mbi 6 muaj), por avokati theksoi se edhe në këtë rast ka ndodhur jo për neglizhencë, por për shkak se Veliaj ka masë sigurie arrest në burg nga GJKKO për hetimet e SPAK.

“Kryetari i bashkisë nuk është paraqitur në detyrë për shkaqe që nuk lidhen nga vullneti i tij. Në rastin konkret është me masë sigurimi arrest në burg, kërkesa e rrëzuar disa herë me pretendimin për t’u kthyer pranë vendit të punës, në këto kushtet kërkesa e Kryeministrit dhe një vendimmarrje shumë e pritshme e anëtarëve të Këshillit të Ministrave është në kushtet e antikushtetueshmërisë. Unë besoj që nga Veliaj dhe mbrojtësit e tij është mëse e pritshme që kjo lloj vendimmarrje mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese”.

Avokati theksoi gjithashtu se nëse ankimohet nga Veliaj vendimi i Këshillit të Ministrave, atëherë do të ngecë edhe procesin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Tiranës, deri sa të ketë një vendimmarrje përfundimtare nga Gjykata Kushtetuese.

“Kjo është e hera e parë që ndodhë nga viti 1994 që do shkarkohet një kryetar bashkie për mosparaqitje në punë. Gjykata Kushtetuese, në raste të ngjashme, zgjat gjykimi nga 4-7 muaj. Por besoj se në rastin konkret mund të shprehet edhe për 2 apo 3 muaj, por patjetër që do të marrë kohën e saj”.

Edhe pse ky proces, nëse ndodh, mund të jetë politik, për avokatin Hoxha është i paligjshëm pasi Erion Velajt i prezumohet e drejta e pafajësisë.

“Është një proces që mund të jetë poltik, por aspak kushtetues dhe në kundërshtim me kushtetutën. Shkelet një nga parimet themelore të prezumimit të pafajësisë, gjithashtu nuk ka asnjë përfitim politik”.

 

Xh.D/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Romeo: 17/09/2025 20:32

    Prezumimi i pafajesise ka lidhje me procesin gjyqësore, jo me permbushjen e detyres kushtetuese, si Kryetar i Bashkisë. Ti, Arber e mban veten per avokat, por interpretimi yt juridik, është sa foshnjarak dhe aq i gabuar. Çfarë lidhje ka permendja e vitit 1994 me ketë rast? Lidhje Kushtetuese nuk ka, se Shqiperia nuk kishte Kishtetute në victim 1994, por veten Dispozite ligjore. Çfarë lidhje ka dispozita kushteteuese e autonomiese vendore me viting 1994? Çfarë ka ndodhir në vitin 1994, që e merr si rast krahasimor me rastin Veliaj? Shkarkimi ose jo i Kryetarit të Bashkisë nuk ka lidhje me prezumimi e pafajesisë, pasi as Keshilli Bashkiak, as KM Edi Rama nuk e gjykojnë dhe e denojnë Erioni Veliaj, por Tirana ka nevojë për Kryetarin e saj që të shërbejë për qytetaret e saj. Është mëse e kuptueshme që nga Burgu, nuk mund të drejtosh as një kioske, e jo më Bashkinë e Kryeqytetit, që u shërben një të treatës së popullsisë së Vendit. Erioni, duhet të fokusohet te procesi penale, të provojë pafajesine e tij. Mos bëjmë sikur po i marrim "pronën" Erionit, pasi Bashkia është e tè gjithëve dhe u sherben të gjithëve. Erioni, per Allu në Gjykatë, futon çështjen dhe pastaj ke të gjithë të drejten e zotit të behesh edhe Kryeminister i Shqiperise jo Kryetar Bashkie. Sa per Arber Hoxhen, mos merr në konsiderate çfarë ai flet, pasi sto janë thjesht per Konsum, jo se janë mendim i specializuar i nje Konstutionalisti. Erion, ju uroj suksese në përballje me drejtesine e reformuar. Qellofsh në shenjë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?