Këshilltarët socialistë të bashkisë Tiranë do të mblidhen sot në orën 17:00 në selinë e PS-së. Nuk dihet ende arsyeja e saktë, por mbledhja vjen pak ditë pasi kryeministri Edi Rama, në Asamblenë e PS-së, theksoi se këshilli do të shkarkonte kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili ndodhet prej muajsh në paraburgimin e Durrësit.
Rama paralajmëroi zgjedhje të reja dhe njoftoi se Ogerta Manastirliu do të jetë kandidatja e PS-së.
Nëse Këshilli e shkarkon dhe kryeministri e firmos, Veliaj ka të drejtë ta kundërshtojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese dhe të pezullojë procesin. Ende nuk ka asnjë koment publik nga Veliaj për këtë vendim, por nëse Këshilli e shkarkon dhe Rama firmos, ai ka të drejtë ta kundërshtojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese.
Ligji thotë se në rast se Veliaj e kundërshton Ramën pranë kësaj gjykate, procesi duhet të pezullohet dhe zgjedhjet për zëvendësimin e tij, të mos zhvillohen.
Por si mund të bëhet shkarkimi i Erion Veliajt?
Shqiptarja.com, pak ditë më parë, publikoi një shkrim mbi mënyrat sesi Erion Veliaj mund të shkarkohet nga kreu i Bashkisë Tiranë. Një mundësi, është edhe futja në procedurë e një kërkese të depozituar më herët nga anëtarët e opozitës.
Këshilli në vendimmarrje pritet t’i referohet pikës c të nenit 62 të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore” që thotë se Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave kur propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.
Megjithatë duhet thënë se në këtë nen ka paqartësi dhe interpretim të kuadrit ligjor, të cilin edhe vetë Rama e konstatoi se duhet rregulluar nga parlamenti i ri. Është e paqartë nëse mungesa në detyrë duhet të jetë e arsyetuar apo jo. A do ta rrezikonte pavarësinë e pushtetit lokal dhe do të ekspozonte ndaj ‘arbitraritetit’ ky boshllëk ligjor?
Megjithëkëtë në këshillin bashkiak vendimmarrje për t’i propozuar qeverisë shkarkimin e kryebashkiakut do të duhet të marrë votën e shumicës së të gjithë këshilltarëve, pra 31 pro nga 61 anëtarë gjithsej. Pas votimit, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës. Qeveria më pas vendos shkarkimin.
Por vendimi i qeverisë për shkarkimin e kryebashkiakut mund të mos jetë fjala e fundit. Neni 115 i Kushtetutës e thotë qartë se Kryetari i bashkisë ka të drejtë ta ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh, dhe në këtë rast vendimi i qeverisë do të pezullohej, deri në një vendimmarrje të gjykatës më të lartë në vend. Pra do t’i takonte Erion Veliajt nëse do ta ndiqte këtë procedurë nga ana ligjore dhe kushtetuese.
Në rast se ankimi nuk ndodh, atëherë i hapet rrugë zgjedhjeve të reja, të cilat Presidenti i Republikës do të duhet t’i shpallë menjëherë sapo të informohet për vakancën.
Për periudhën deri në zgjedhjen e kryebashkiakut të ri, kryeqyteti do të drejtohej nga një prej nënkryetarëve, tashmë i zgjedhur nga Këshilli Bashkiak. E mandatuara si ushtruese e detyrës nga Veliaj, Anuela Ristani, nuk do të ishte më, fakt të cilin duket se e pranoi edhe vetë kur përmes një postimi falënderoi Veliajn dhe Ramën për mundësinë.
Komente
