TIRANW- Në 5 dhjetor 2019, Arta Marku u zgjodh anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2020 në cilësinë e Prokurores së Përgjithshme. Po në këtë datë, Kuvendi zgjodhi kryeprokurorin e ri Olsian Çelën. Në këto rrethana, Arta Marku nuk mori pjesë në mbledhjen e parë të KED të ri. Zonja Marku iu drejtuar me një letër KED, duke i kërkuar që të mbante një qëndrim nëse duhet të vazhdojë funksionin si anëtare e KED, duhet organizuar ndonjë short tjetër nga Presidenti i Republikës apo duhet që në vendin e saj pa qenë nevoja e një shorti, të kalojë anëtari zëvendësues. Në 15 janar 2020 u mbledh për herë të parë KED i ri, i cili ka një mandat njëvjeçar, ndërsa ka diskutuar çështjen e Arta Markut.
Gjatë kësaj mbledhje, Ardian Dvorani, në atë kohë kryetar i KED, si dhe anëtarët, Saida Dollani, Arjan Qafa, Bilbil Mete, Nazmi Troka dhe Nezir Gjoka janë shprehur se Arta Marku është anëtare e KED deri në fund të mandatit njëvjeçar. Edhe Miranda Andoni dhe Fatjona Memçaj janë shprehur se KED nuk mund të shprehet për mandatin e anëtarëve të tij. Gjatë diktimeve, anëtarja dhe zëvendëskryetarja e KED, Vitore Tusha është shprehur se “KED nuk e ka të parashikuar të shprehet për mbarim mandati të anëtarit të Këshillit. Gjithashtu mbarimi i mandatit të anëtarit në KED lidhet me mbarimin e mandatit të tij si magjistrat. Znj. Marku është magjistrate dhe nuk është në kushte papajtueshmërie për ushtrimin e detyrës si anëtare e KED, situatë që do të sillte problematika për veprimtarinë e Këshillit”.
Gjatë kësaj mbledhje, vetëm përfaqësuesi i Presidentit Ilir Meta në KED, Bledar Dervishaj,është shprehur për largimin e zonjës Marku si anëtare e KED, meqenëse sipas tij nuk ishte më kryeprokurore. Ndërsa, Avokatja e Popullit Erinda Balanca ka mbajtur një qëndrim të dyzuar. Sot Arta Marku vijon të jetë anëtare e KED. Ky precedent kthen automatikisht Ardian Dvoranin në KED, edhe pse është larguar si anëtar i Gjykatës së Lartë pasi ishte zgjedhur anëtar dhe kryetar i KED. Në këto rrethana, Vitore Tusha ka ftuar Dvoranin që të rikthehet në KED. Nga ana e tij, Dvorani me anë të një letre, ka shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer, por i ka kërkuar KED që të shprehet për mandatin e tij, si në rastin e Arta Markut.
Diskutimet në KED për precedentin Arta Marku në datën 15 janar 2020
-Ardian Dvorani: Znj. Marku, në thelb, konfirmon marrjen e njoftimit për datën, orën mbledhjes dhe rendin e ditës, thekson se pjesëmarrja në mbledhje është detyrim ligjor. Nga ana tjetër parashtron se është e detyruar të mos marrë pjesë në këtë mbledhje për shkak se në 5 Dhjetor 2019 është realizuar shorti dhe është përzgjedhur si pjesë e Këshillit si përfaqësuese e Prokurorisë së Përgjithshme dhe, po në këtë date, më vonë, Kuvendi i Shqipërisë ka zgjedhur Prokurorin e ri të Përgjithshëm, moment pas të cilit nuk ishte më Prokurore e Përgjithshme. Znj. Marku shprehet se ndjen detyrim moral që ti kërkojë Këshillit të mbajë një qëndrim në lidhje me këtë fakt, pra nëse duhet të vazhdojë funksionin si anëtare e KED apo duhet organizuar ndonjë short tjetër nga Presidenti i Republikës ose duhet që në vendin e saj pa qenë nevoja e një shorti, të kalojë anëtari zëvendësues. Thekson faktin se nuk e konsideron si shmangie nga detyrimet ligjore mosparaqitjen në këtë mbledhje por e ka vlerësuar si një moment që ajo përpara se të ushtrojë detyrën të ketë edhe një qëndrim nga ana e këtij Këshilli. Përbërja e KED është e vendosur në momentin e realizimit të shortit nga Presidenti i Republikës apo Kuvendi dhe sipas kushteve të zgjedhshmërisë në atë moment, nuk ndikohet nga lëvizjet në detyrë të anëtarit pas zgjedhjes për sa kohë është në sistem dhe KED nuk ka kompetencë të vendosë për mandatin e një anëtari.
-Saida Dollani: Këshillit ligji nuk i ka dhënë autoritet të verifikojë mandatin e një anëtari tjetër të KED dhe as për të vendosur mbi çfarë ka parashtruar znj. Arta Marku. Sipas ligjit, zgjedhjen e anëtarëve e ka realizuar Presidenti i Republikës me anë të shortit dhe, sipas nenit 288 të ligjit nr. 115/2015, Komisioni i Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimin e Ligjit nr. 115/2016, ka dhënë opinionin e tij.
-Ludovik Dodaj: Nuk është e përcaktuar në ligj dhe aktet nënligjore të KED që Këshilli të shprehet për mandatin e një anëtari. Zgjedhja e këtij KED për vitin 2020 është e kryer siç është përcaktuar në Kushtetutë e ligj dhe znj. Arta Marku duhet të ishte e pranishme në mbledhje.
-Arjan Qafa: Nuk është në kompetencën e këtij KED për t’u shprehur për shkresën e znj. Arta Marku dhe secili nga anëtarët duhet të qëndrojë në këtë detyrë sipas kuadrit ligjor.
-Bilbil Mete: Nuk ka shkaqe ligjore për të zëvendësuar anëtaren Arta Marku në përbërje të KED 2020. Në kohën e hedhjes së shortit nga Presidenti i Republikës ishte përfaqësuese e Prokurorisë së Përgjithshme dhe aktualisht është brenda sistemit të prokurorisë.
-Nazmi Troka: Nuk është në kompetencën e KED të japë mendimin nëse duhet të pranohet që të jetë apo të mos jetë anëtare e KED për vitin 2020, znj. Arta Marku.
-Nezir Gjoka: Nuk është objekt shqyrtimi i këtij Këshilli ajo që parashtron në shkresën e saj znj. Arta Marku.
-Vitore Tusha: Më përbërjen e Këshillit për vitin kalendarik 2020 jemi të njohur nga momenti i organizimit të shortit nga Presidenti i Republikës në datën 05 dhjetor 2019. Prandaj znj. Arta Marku është njoftuar rregullisht për të qenë e pranishme në mbledhje dhe duhet të ishte pranishme. KED nuk e ka të parashikuar të shprehet për mbarim mandati të anëtarit të Këshillit. Gjithashtu mbarimi i mandatit të anëtarit në KED lidhet me mbarimin e mandatit të tij si magjistrat. Znj. Marku është magjistrate dhe nuk është në kushte papajtueshmërie për ushtrimin e detyrës si anëtare e KED, situatë që do të sillte problematika për veprimtarinë e Këshillit.
-Fiona Papajorgji: KED nuk e ka të parashikuar në ligj dhe akte nënligjore kompetencën të shprehet dhe të mbajë qëndrim për mbarimin ose jo të mandatit të anëtarit në një situatë të tillë si ajo që parashtron me shkresë znj. Arta Marku. Gjithsesi, Kushtetuta dhe ligji e ka të përcaktuar se kriteret në përzgjedhjen e anëtareve të KED-së lidhen me momentin e organizimit të shortit. Nuk ka asnjë parashikim kushtetues apo ligjor që të përcaktojë procedurë përsëritje të shortit dhe nga ana tjetër nuk parashikohet përfundimi i mandatit si anëtar i KED për shkak të ndryshimit të funksionit të anëtarit.
-Miranda Andoni: Arta Marku duhet të ishte pjesë e kësaj mbledhje. Gjithashtu, edhe në lidhje me shkresën e saj, në asnjë dispozitë ligjore nuk përcaktohet që KED të diskutojë dhe të disponojë lidhur me vazhdimësinë ose jo të mandatit të një anëtari të tij në një situatë të tillë.
-Fatjona Memçaj: Këto çështje janë diskutuar në parim edhe në fillim të veprimtarisë së KED 2019, ku qëndrimi ishte se nuk e kemi kompetencën që në Rregulloren tonë të Brendshme të përfshijmë një parashikim të tillë. Duke mirëkuptuar shkresën e paraqitur nga znj. Marku, sepse secili mund të ndodhet në një situatë të tillë, KED si organ kolegjial, sipas ligjit, nuk ka për këtë rast kompetencë vendimmarrje. Qëndrimet e Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimin e Ligjit nr. 115/2016 ngelen në kuadrin e një rekomandimi. Gjithsesi janë në thelb të njëjtat argumente që i kam dhënë një vit më përpara. Kriteret që përcakton ligji për të qenë anëtar i KED në nenin 221 të tij vlejnë dhe lidhen me momentin e organizimit të shortit. Kriteri themelor mbetet ai i qenies magjistrat. Humbja e një cilësie të tillë është ajo që e bën anëtarin të mos jetë më pjesë e KED.
-Marsida Xhaferllari: Për sa i takon mandatit të anëtares kompetenca nuk i takon Këshillit të shprehet, por vetë znj. Marku të bëjë një vlerësim shumë të kujdesshëm të fakteve dhe të shprehë qëndrimin e saj.
-Erinda Ballanca: ...në këtë rast vlerësimi duhet të bëhet, në gjykimin tim, drejtpërsëdrejti nga ana e zonjës Marku.
-Bledar Dervishaj: ...Zonja Marku ta vlerësoj personalisht vetë, por unë si jurist e vlerësoj që në momentin që humbet funksionin bazë ke humbur dhe funksionet e tjera që delegojnë dhe burojnë prej tij. Mund të ndodhemi në një situatë që kjo gjë mund të përsëritet në Këshill edhe për anëtarë të tjerë. Psh hipotetikisht, merret një masë disiplinore ndaj një anëtari të Këshillit me uljen në gradën e funksionit që mban. A qëndron besimi plotësisht tek ky që ka marrë një masë disiplinore? Pra, është një hapësirë boshe e ligjit për të cilën Kuvendi investohet menjëherë dhe unë falënderoj edhe deputetin e opozitës që ka ardhur sot prezent për ta rregulluar si normë menjëherë.