Edhe pse klasat kolektive janë përgjysmuar, ende në zonat periferike të Shqipërisë janë 20 mijë nxënës që mësojnë në klasa kolektive. Shifrën e ka dhënë vetë ministrja e Arsimit, Evis Kushi, teksa ka raportuar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë projektbuxhetin 2022.
Sipas ministres kjo lidhet ngushtë dhe me transportin pasi infrastruktura është e vështirë dhe ccmimi i biletës kushton.
Kushi tha se për vitin e ardhshëm buxheti i parashikuar është 45.658 mld lekë, që në krahasim me buxhetin e 2021, kanë një rritje 2.767 mld lekë. Sipas saj duhet theksuar që në këtë total nuk është përfshirë rritja e pagave me 6% që nis në korrik të këtij viti.
"Ky është një premtim i qeverisë për të rritur pagat me 40% në këtë mandat të tretë. Për herë të parë përfshihen edhe punonjësit psikosocial në rritjen e pagave, si një vlerësim për punën dhe kontributin që japin. Në buxhetin e arsimit në këtë që sapo citova nuk janë përfshirë fondet e dedikuara për arsimin që administrohen nga institucione dhe ministri të tjera që kanë fonde të dedikuara për arsimin, si dhe nuk janë përfshirë fondet për arsimin nga organet e qeverisjes vendore. Nëse do të llogariteshin edhe këto institucione në total buxheti do të shkonte 65.6 miliardë lekë", tha Kushi.
Ministrja e Arsimit bëri me dije se kanë 167 shkolla që janë përfshirë në programin e rindërtimit, 58 kanë përfunduar. 91 prej tyre janë me financim të buxhetit shqiptar.
"Në arsimin parauniversitar, 32.6 miliardë lekë. Prioriteti kryesor është cilësia e reformave dhe gjithëpërfshirja. Risi është investimi për fuqizimin e teknologjisë dhe informacionit dhe laboratorët didaktik. Në shumë shkolla laboratorët kanë qenë të vjetruara, ose kanë qenë dhumë pak, ndërsa teknologjia e informacionit është emergjencë. Janë përcaktuar 570 milionë lekë për teknologjinë për një infrastrukturë moderne. Investimet nuk janë vetëm për këtë vit, për 3 vitet e ardhshme buxheti për teknologjinë të jetë 1.7 miliardë lekë, për të mundësuar 550 shkolla porsa i takon TIK . E njëjta edhe me laboratorët didaktik për lëndët, biologji, fizikë dhe kimi kemi parashikuar 400 milionë lekë këtë vit, ndërsa në tre vite do investohen 1.2 miliardë lekë, për 300 shkolla për laboratorët", ka thënë ndër të tjera ministrja Kushi.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka folur edhe për rastet e fundit të ngacmimeve seksuale që janë denoncuar, ku tha se për parandalimin dhe identifikimin në kohë të këtyre ngjarjeve të renda janë dyfishuar dhe po rriten gjithnjë e më shumë numri i punonjësve psiko-social në shkolla.
“Rastet e fundit janë tronditëse kemi zhvilluar disa takime me autoritete e shkollave se si mund të parandalojmë raste të tilla. Përgjatë viteve kemi dyfishuar punonjësit psiko-social në shkolla dhe të ofrohen shërbime sa më cilësore. Për fat të keq ngjarjet e fundit na kanë tronditur të gjithëve, por shërbimi psiko-social ka qenë në krye të detyrës dhe kanë qenë ata që kanë identifikuar rastin ose kanë trajtuar të miturit e prekur.