Në Aeroportin e Rinasit me kalimin nga kinezët te kompania 'Kastrati Group' parashikohet që të bëhet një investim prej 99 milionë eurosh, investime që do të shtojnë shërbimet dhe rrisin sigurinë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë diskutimit kontratës së kalimit të aksioneve në Komisionin Parlamentar të Ligjeve tha se një tjetër element shumë i rëndësishëm i arritur në këtë kontratë është vendosja me nene përkatëse e penaliteteve në vlerë monetare e deri në heqje të së drejtës së koncesionit ndaj shoqërisë, nëse nuk realizon angazhimet e marra në kontratë.
“Investimi në infrastrukturën e aeroportit parashikohet me fonde 100% të shoqërisë koncesionare, investim, i cili arrin mbi 99 milionë euro. Përcaktohet ulja e vlerës ekonomike të biletës për qytetarët që do të fluturojnë nga dhe drejt këtij aeroporti, duke reduktuar tarifat me 20% (per te rriturit) dhe 40% për fëmijët. Aeroporti ndërkombëtar i Tiranës do të operojë avionë të kategorisë 4E, një kategori më e lartë se ajo aktuale 4D, duke bërë të mundur për herë të parë lidhjen e drejtpërdrejtë me shtete, të cilat janë konsideruar strategjike për zhvillimin e ekonomisë së vendit", tha Balluku.
Ndërkohë që ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj vlerësoi marrëveshjen e arritur, teksa siguroi se problematikat e nxjerra në raportin e BDO-së janë adresuar.