Dita 18-të e grevës së naftëtarëve/ Dalin burrat, futen gratë: Jemi këtu pa lejen e familjes, do rrimë deri sa të vdesim! Balluku të mendojë si grua e nënë! Dy prej tyre dërgohen në urgjencë (VIDEO)

15 Tetor 2020, 09:56| Përditesimi: 15 Tetor 2020, 19:45

  • Share

BALLSH - Në ditën e 18 të grevës së naftëtarëve, punonjëset gra të rafinerisë kanë zëvendësuar burrat të cilët kishin qëndruar deri më tani. Ato u vendosën në një ambient tjetër nga ku qëndronin naftëtarët të cilët kanë dalë. Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj shprehet se greva do të vijojë deri në pafundësi dhe herë pas here do të bëhen ndërrime mes tyre.

"Shkuam me një përfaqësi nga ana jonë por ishin thjeshtë premtime boshe. Ishin të njëjtët persona që na kanë bërë kontratat. Me ato nuk na ka ndodhur asgjë, duhet të ishim me pagesë. Gjithmonë na thonë që do fillojmë por pa një datë konkrete. Unë nuk e quaj pozitive. Ata derën e kanë të hapur. Grevën mund ta çojmë deri në pafundësi, do i zëvendësojmë kolegët" , tha Dautaj.

Nuk kaluan shumë orë, kur 2 prej grave u dërguan në urgjencë pasi kishin probleme me tensionin. Pavarësisht kësaj, ato deklaruan se do të rikthehen sërish në grevë dhe do të qëndrojnë aty derisa të vdesin. Gjatë kësaj kohe, pranë naftëtarëve kanë qenë bluzat e bardha të cilët herë pas here kryenin kontrolle mjekësore mbi grevistët.

Ndërkohë ditën e djeshme naftëtarët zhvilluan një takim me përfaqësues të kompanisë së uzinës, por ajo nuk prodhoi asnjë marrëveshje mes tyre. Kreu i Sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj ishte i pranishëm në këtë takim i cili tha se këto janë tentativa për të prishur grevën e urisë dhe për të ndaluar protestat e tyre, por pa marrë një zgjidhje konkrete janë të vendosur të vazhdojnë.

Ora 12:43
Gratë për Report Tv: Hymë në grevë pa lejen e familjes! Do rrimë këtu deri sa të vdesim! Balluku të mendojë si grua e nënë (VIDEO)

Kanë hyrë në grevë e urisë, ku kërkojnë minimumin e një përgjigje nga ministrja e Infrastrukturës, Belina Balluku, për të cilën thonë se nëse nuk preket si ministre, të paktën të mendojë si një nënë, si një grua. Ato shprehen se janë futur në grevë pa lejen e familjarëve të tyre dhe janë të vendosur që do të rrinë atje.

"Kemi fol mjaft sa jemi lodhur. Të vijë ministrja, të na japë një përgjigje të paktën të jemi këtu. se është grua dhe nënë, ne kemi lënë fëmijët dhe bashkëshortët pa lejen e tyre, e kemi vendosur se nuk po na jepet një zgjidhje, po kërkojmë pagat tona, t'i gjejë Rama e Meta se kush i ka gjetur, t'i gjejë SPAK a BKH ca janë ata. Ruci dhe Brace na ka dhënë premtime para 3 vitesh që do fillojë punë, ku janë këto premtime. Takimi i djeshëm gënjeshtra dhe mashtrime të radhës, ne i nxorëm kolegët tanë dhe hymë vetë, e morëm këtë risk mbi supe që të reagojë ministrja, që vjen deri në Fier dhe nuk na takon", tha një nga grevistet.

Paralajmërojnë se do të rrinë deri në vdekje.

"Flasin lotët e nënave dhe grave, të na japin ca na takojnë, të më japin 8 mln sa na takojnë dhe ne ikim nga greva, jam me tension dhe nuk dua as të ha e as të pi, këtu do vdes dhe nuk dal. Jemi në buzë gremine", tha një tjetër.

"Nuk kishim asnjë mundësi tjetër, o do vdes në shtëpi ose më mirë të vdes këtu që ta marrin vesh të gjithë, me kredi me borxhe, fëmijët pa punë pa shkollë. Nuk kemi ç'bëjmë".

"Këtu do rrimë deri sa të gjejmë një zgjidhje. Për ca diskutohet për ne. Kur vjen koha e zgjedhjeve e vijnë dhe na premtojnë", tha tha grevistë të tjera për Report Tv.

Ora 12:02
Vetëm pak orë në grevë, 2 gra shoqërohen në urgjencë për ndihmë mjekësore (VIDEO)

Dy prej grave që janë futur në grevë urie janë marrë nga stafi mjekësor i spitalit të Ballshit pasi kanë pasur probleme me tensionin.

Pas marrjes së ndihmës mhekësore ato thonë se do t'i bashkohen sërish grevës. Shumë prej grave që janë futur në grevë urie trajtohen me ilaçe për shkak të probleme shëndetësore që ato kanë.

Ora 10:54
Mjekja: Grevistët nuk duhet të vijojnë, gjendja e tyre është rënduar shumë

Pranë grevistëve kanë shkuar dhe mjekë të cilët thonë se nuk duhet që të vijojnë grevën e urisë.

"Gjendja paraqitet shumë e rënduar. Mbizotëron ankthi, atakikardia e disa janë me tension të ulët dhe disa me të lartë. Janë me probleme me frymëmarrjen. Për mua duhet ta ndërpresin grevën për shkak të gjendjes shëndetësore. Ndihma nuk u mungon asnjëherë, por për shkak të  kapaciteteve të vogla mjekësore këtu në qytetin tonë ndaj nuk mund të qëndrojmë 24 orë" - thotë një mjeke.

 

Ora 10:31
Greva e urisë, dalin burrat dhe futen gratë, punonjëse të rafinerisë

Greva e naftëtarëve do të vijojë sërish. Asaj i janë bashkuar dhe gratë të cilat ishin punonjëse të rafinerisë së Ballshit.

"Ne do të qëndrojmë në grevë derisa të gjendet një zgjidhje. Drita dhe ujë ne nuk kemi në shtëpi, sepse na janë prerë dhe nuk duan tja dinë. Ne nuk punojmë këtu dhe nuk kemi asnjë të ardhur. Na vjen për të qarë se kemi 35 vite që punojmë dhe tani hidhemi në rrugë. Ne nuk kemi bukë të hamë. Listat kanë vajtur shumë" - thotë njëra prej grave.

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?