Gjatë vitit 2020 ka pasur një numër më të lartë vdekjesh nga kanceri në vendin tonë. Specialisti pranë ISHP, Alban Ylli tregon se kjo rritje lidhet me ndikimin e COVID-19.
“Lidhur me vdekjet ne kemi të dhëna të pjesshme që tregojnë se për vitin 2020 kemi pak më shumë vdekje nga kanceri se sa prisnim dhe me shumë gjasë duhet të jetë efekt i COVID. Tek persona të moshuar të cilët mund të kenë qenë të diagnostikuar ndërkohë me kancer, COVID mund të ketë përshpejtuar procesin dhe mund të ketë shkaktuar vdekje të parakohshme. Deri në shtator janë rreth 3000 vdekje nga kanceri vitin e kaluar, ne presim çdo vit rreth 3600 vdekje nga kanceri në vit. Ne kalkulojmë që ky vit duhet të ketë rreth 3800-3900 vdekje nga kanceri”-u shpreh specialisti i ISHP, Alban Ylli.
Edhe moshat e reja po preken nga kanceri, por në vitet e fundit në Shqipëri ka pasur prirje për tu pakësuar vdekjet nën 50 vjeç.
“Shumica dërrmuese e kancerave i shkaktojnë vdekjet tek të moshuarit. Në 10 vitet e fundit ka një prirje për tu pakësuar vdekjet tek moshat nën 50 vjeç në Shqipëri”- tha Alban Ylli.
Drejtori mjekësor i spitalit onkologjik në QSUT, Profesor Helidon Nina tregon se gjatë viti që lamë pas, pacientët për shkak të frikës së COVID janë paraqitur më me vonesë tek mjeku.
“Ne kemi parë që pacientët mund të jenë paraqitur pak me vonesë për kuadrin e një frike të përgjithshme në ditët ku ne po jetojmë sot, efekti i pandemisë dhe kjo i ka frikësuar ndonjë cik pacientët për tu paraqitur më herët. Pra mund të kemi parë raste pak më të agravuara”- tregoi Profesor Helidon Nina.
Kanceri i mushkërive vijon të jetë ndër më të shpeshtët.
“Kancerët më të shpeshtë kuptohet që është kanceri i mushkërisë, kanceri i stomakut, kanceri i gjiriti, kancer të sistemit nervor, kanceri gjinekologjik aty aty”-tha Nina.
Sipas të dhënave të ISHP në Shqipëri më të prekur nga kanceri janë femrat, por janë meshkujt ata që vdesin më shumë nga kjo lloj sëmundje. Këshillat e mjekëve janë që për çdo person që ka një historik të mëparshëm të familjarëve me këtë patologji, të nisin më herët ekzaminimet.