Dyfishimi i shkëmbimeve tregtare, rritja e investimeve dhe fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik ishte në fokus të ‘Misionit të Biznesit Turqi-Shqipëri’ të zhvilluar në Tiranë.
“Aktualisht kemi 600 sipërmarrje në vend, me 15 mijë të punësuar dhe xhiro 1 miliardë euro”, tha Nikolin Jaka kryetari i dhomës së tregtisë në Tiranë.
“Shqipëria është një destinacion investimesh për biznesin turk gjithashtu edhe një partner i qëndrueshëm. Turqia është një treg i vyer për Shqipërinë në fushën e prodhimit, teknologjisë dhe eksportit”, u shpreh biznesi turk.
Edhe pse Shqipëria konsiderohet e preferuar për investitorët turq, përsëri marrëdhëniet ekonomike nuk janë aty ku duhet sipas ambasadorit të Turqisë në vendin tonë, Tayyar Kağan Atay.
“Marrëdhëniet ekonomike 1 miliardë dollarë nuk janë mjaftueshëm dhe ne kërkojmë të arrijmë në nivelin 2 miliardë”, tha ambasadori Tayyar Kağan Atay.
Ambasadori ftoi sipërmarrjen turke të rrisë prezencën në Shqipëri, e cila ka avancuar në rrugën e integrimit në BE.
“Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE po ecën shumë shpejt falë politikave të shtetit shqiptar, do të dëshiroja që kompanitë turke të vijnë në Shqipëri e të investojnë pasi rruga e Bashkimit Evropian është shumë e mundur”, tha ambasadori.
Turqia është partneri i tretë tregtar më i rëndësishëm i Shqipërisë sa i takon tregtisë. Vitin e shkuar kemi blerë nga Turqia mallra me vlerë 966 milionë euro, dhe i kemi shitur produkte me vlerë 48 milionë euro.
Komente
