Në Ditën Botërore të Astmës, autoritetet shëndetësore synojnë ndërgjegjësimin e rreziqeve që vijnë nga alergjitë, që shpesh edhe neglizhohen, ndërsa sipas ekspertëve ndotja e ajrit dhe stili i jetesës janë ndër faktorët kryesorë.
“Mënyra e ushqyerjes, ambienti kur rriten fëmijët dhe ku ne jetojmë. Ndikon kontakti me alergjenët. Është një sëmundje shkak pasojë. Shfaqin sëmundje alergjike, astmën bronkiale. Por ndikojnë shumë edhe virozat, tymi i duhanit dhe ndotja atmosferike”, thotë mjeku Mehmet Hoxha.
Alergologu Mehmet Hoxha thotë se shqetësues mbetet fakti se shumë prej pacientëve në vend që të kërkojnë ndihmë te mjeku specialist, shpesh mjaftohen me këshillat e farmacistëve.
“Është kjo neglizhence, në rastin e polinozave priren të mjekohen në farmaci, priren të bëjnë mjekime qetësuese. Është gabim! Çdo problem i rrugëve të sipërme, të hundës apo edhe të syve, është e prirur që në një kohë 2 apo 3 vitesh të kalojë në rrugët e poshtme të frymëmarrjes”, vijoi ai.
Po si mund të trajtohet astma?
“Maksimumi për të garantuar një cilësi ajri sa më të mirë, masa e dytë terapia mbajtëse me aparate kortikosteroidi inhalator, që janë të rimbursueshme dhe të aksesueshme për popullatën edhe e treta është imuniterapia, specifike kundër alergjive, ajo që quhet rëndomë në popull: vaksina”, evidenton doktor Hoxha.
Skuqja e syve edhe vështirësi në frymëmarrje janë disa nga shenjat më të zakonshme të alergjisë
“Kam pengës në frymëmarrje, sidomos këtë kohë kam teshtinë edhe rrufë”, thotë një qytetare.
“Rrufa dhe djegia e syve janë dy gjëra që ndiej”, thotë një tjetër.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 250 milionë njerëz në mbarë botën vuajnë nga astma bronkiale, një sëmundje që shkakton rreth 450 mijë viktima çdo vit.
Komente
