Probleme me financimin dhe mbështetjen e veprimtarisë botuese, biblioteka që nuk ekzistojnë apo ekzistojnë jo siç duhet apo rënia e numrit të lexuesve, janë disa nga çështjet dhe sfidat me të cilat përballet letërsia shqiptare sot e që sillen në vëmendje nga kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, në një intervistë për “Report TV” në Ditën Botërore të Librit.
“Ka nevojë për më shumë mbështetje fusha e botimeve, puna e bibliotekave, puna me institucionet kulturore, që nganjëherë nuk ekzistojnë fare, me libraritë, shkollat e kështu me rradhë. Ka shumë nevojë për të bashkëpunuar të gjitha palët për të gjetur rrugët më të mira, më të frytshme për të ndihmuar lexuesit, sidomos të rinjtë dhe fëmijët, lexuesit e së ardhmes.”, - thotë Ymeri.
Ai nuk jep shifra përsa i përket numrit të librave të botuar apo lexuesve, por vëren se botuesit nuk janë atje ku mendojnë se duhet të jenë. Sipas tij në vend ka më shumë shtëpi botuese se ç’duhet dhe disa prej tyre bëjnë punë të dobët.
“Nuk jap dot shifra, por vitet e fundit ka rënë shitja e librave, ka rënë numri i botimeve me gjithë përpjekjet tona për të mbajtur njëlloj ekuilibri. Nuk jemi aty ku ne mendojmë që duhet të jemi. Ka shumë përpjekje nga ana jonë dhe presim mbështetje nga institucionet. Libraritë nuk mund të them që janë shtuar por janë pakësuar. Duhet një ndërhyrje e vendosur dhe e menduar, e konsultuar se si do të ecim në punën me librin. Kemi nevojë për diskutime serioze, ballafaqime serioze, t’i themi gjërat siç duhet. Kjo është diçka që ka ndikime afatgjata.”, - vijon botuesi.
Ymeri vëren se nuk ka një shifër të saktë as përsa i takon numrit të lexuesve, ndërsa analiza e fundit në këtë drejtim është bërë tetë vite më parë. Lidhur me letërsinë shqipe, ai nënvizon se ka mjaft autorë të mirë, të rinj dhe me përvojë.
“Kam përshtypjen që botohet më shumë këto 3-4 vitet e fundit letërsi shqiptare, por puna është çfarë letërsie është ajo. Këtu duhet të ketë mendim profesional më të dukshëm, nuk mund të them kritikë letrare, se pothuajse nuk kemi. Mendimi profesional shpesh mungon se hezitojnë t’i thonë gjërat ashtu siç duhet.”, - nënvizon Ymeri.
Klajdi Thaçi, një autor i ri që deri më tani ka botuar tre libra, vëren se sipas tij, interesi për të lexuar është i madh, pavarësisht se sipas tij të jesh autor i ri në Shqipëri nuk është e thjeshtë se ka dhe një lloj stigmatizimi për shkak edhe të disa botimeve jocilësore.
“Interesi për librin është pavarësisht përshtypjes së përgjithshme, që të rinjtë veçanërisht nuk lexojnë. Kam parë në librari plot të rinj, madje edhe vetë shpesh më vjen 'feed-back; nga të rinj, që kanë edhe blogje librash. Se çfarë literature lexojnë, preferencat ndryshojnë me kohën.”, - shprehet Thaçi.
Veç librarive, një tjetër ‘treg’ shitjeje për lexuesit janë edhe vendet ku shiten librat e përdorur. Ky shitës, i cili nuk dëshiron të identifikohet me emër vëren se interesi për librin së fundmi është rritur me ardhjen e turistëve të huaj. Sipas tij është interesante të vërehet edhe një fakt, që blerësit më të mëdhenj të këtyre librave janë vajzat.
“Nuk është popull që nuk lexon, madje blerësit më të mëdhenj janë vajzat. Ata janë blerësit më të mëdhenj. Ka ndodhur një fenomen, që është i ditur në të gjithë botën, që është teknologjia. Sa më larg të shkojë teknologjia, aq më keq është për letrën, për librin. E ardhmja nuk i dihet, por besoj se libri do të ekzistojë. Të huajt kërkojnë libra të huaj: frëngjisht, italisht, anglisht dhe kjo më bën mua që të ekzistoj, të rezistoj.”, - thotë shitësi për "Report TV".
Sa i përket llojit të librave që lexohen ky shitës nuk mund të bëjë një ndarje, ndërsa kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri thotë se më tepër lexohet letërsi, por edhe libra historikë.
“Letërsia lexohet më shumë, por nuk mund të them që edhe historia nuk lexohet. Sigurisht që lexuesi është më i profilizuar, por ka rënë leximi. Kjo tendencë është shumë e dukshme.”,- thotë Ymeri.
Ky 23 prill shënon vitin e 30-të të Ditës Botërore të Libritl. Kjo datë është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive.
Komente
