Dita Botërore e Librit, kryetari i Shoqatës së Botuesve: Fotokopjet dhe bibliotekat universitare, plagë e vjetër

23 Prill 2019, 16:46| Përditesimi: 23 Prill 2019, 17:02

  • Share

Në Ditën Ndërkombëtare e Librit edhe të së Drejtës së Autorit u zhvilluan disa aktivitete, që në qendër kishin leximin dhe librin. Gjithçka nisi në Fakultetin e Histori-Filologjisë, ku pedagogia Lili Sula, përgjegjëse e departamentit të Letërsisë, shpalosi dëshirën, që kjo ditë të konsiderohej një ditë feste, për të promovuar kulturën e leximit, duke ndalur veçanërisht tek motoja e UNESCO-s, se:“Librat formojnë njerëzimin si një familje e tërë, duke ruajtur në kulturën e përbashkët, si një histori dhe trashëgimi e vetme, për të thurur fatin tonë të përgjithshëm, përmes së cilit të gjithë zërat dëgjohen në korin e madh të aspiratës njerëzore”.

 “E ideuam Ditën Botërore të Librit edhe të së Drejtës së Autorit, si një ditë feste, për të shkëmbyer ide, njohuri edhe informacione, për të promovuar tek të rinjtë kulturën e leximit”, u shpreh përgjegjësja në Departamentin e Letërsisë, Lili Sula.

Ndërsa, ministrja e Kulturës, e cila ishte e pranishme në këtë aktivitet u shpreh se letërsia ka arritur përherë të bashkojë kombe të ndryshëm.

“U ndala pak duke kujtuar sesi sytë e gjithë botës u ndalën në Notre Dame, ku të gjithë folën gjatë për arkitekturën, edhe të gjithë ranë dakord, se për ne Notre Dame, ishte edhe një vepër e Viktor Hygos. Nuk duhet harruar që u ringjallë përmes librit... Nëpërmjet këtij uniciteti, letërsia gjithmonë ka arritur që të bashkojë kombe edhe gjuhë, nuk besoj se ka pasur ndonjë zhanër tjetër, që ta ketë arritur këtë për kombet e ndryshme”, tha Margariti.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, i cili herë pas herë nënvizon problematikat që ka libri në vendin tonë mendon se, kjo ditë duhet të na shërbejë të gjithëve për të reflektuar më shumë, për librin.

“23 prill është një ditë e veçantë, por nuk është një ditë feste, por është një ngjarje e shënuar që duhet që të na shtyjnë të reflektojmë, edhe të shohim se shumë gjëra nuk ecin si duhet. Çështja e së Drejtës së Autorit, është një plagë e vjetër. Fotokopjimi i librave në fakultete, tregon se si shkelet me dy këmbët. Kemi autorë shumë të mirë që kanë botuar shtëpitë botuese, por është për të ardhur keq, që këta libra s’janë në bibliotekat e universiteteve. Le ta kthejmë këtë ditë, 23 prillin, si një betejë të mbështetjes së autorëve, të botuesve edhe të rrugëve të reja për të punuar me librin”, u shpreh Ymeri.

Pedagogjia Dhurata Shehri ndali tek titujt e vitit 2018, nga autorë shqiptarë edhe të huaj, pa harruar as letërsinë për fëmijë.

“Janë botuar 769 tituj gjatë vitit 2018, duke e krahasuar me vitet e shkuar janë më pak. Këtë vit janë 470 vepra të botuara nga autorë të letërsisë shqipe edhe 299 vepra nga letërsia botërore. Një kategori, që e trajtojmë më vete, është ajo e letërsisë për fëmijë, ku gjatë vitit që lamë pas janë botuar 109 tituj, prej të cilëve 46 nga letërsia shqipe edhe 63 tituj nga letërsia botërore”, tha Shehri.

Dita Botërore e Librit, bëri që në maratonën e leximit të përfshiheshin në Qendrën për Hapje edhe Dialog edhe emra të njohur, sikundër është vet kryeministri Edi Rama, apo aktorja Ema Andrea edhe futbollisti, Lorik Cana. Për herë të parë mori jetë edhe nisma njëditore “Udhëtoj përmes librit”, ku pasagjerët që udhëtuan në urban nuk paguan biletë.

Data 23 prill është një datë simbolike në literaturën botërore, sepse janë shuar disa autorë të shquar, si Uilljam Shekspir apo Migel Servantes. Ndërsa, në konferencën e përgjithshme të UNESCO-s, në vitin 1995, kjo datë u të jetë një ditë inkurajimi për librin.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?