Manastirliu me stafin mjekësor në qendrën shëndetësore të Porto Romanos në Durrës

Dita Botërore e Mbulimit Universal, Manastirliu në Durrës: Rritje historike buxheti për shëndetësinë

12 Dhjetor 2020, 12:41| Përditesimi: 12 Dhjetor 2020, 12:49

  • Share

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ditën e sotme ditën Botërore të Mbulimit Shëndetësor Universal inspektoi qendrën shëndetësore të Porto Romanos në periferi të Durrësit, ku deklaroi se, programi i 300 qendrave shëndetësore do të vijojë, për të siguruar aksesin e barabartë dhe shërbimet falas për të gjithë qytetarët.

“Aksesi në shërbimin shëndetësor është thelbësor për të siguruar që popullata të ruajë shëndetin e mirë, pra një qytetar të ketë mundësi të shkojë në qendër shëndetësore,  pa asnjë barrierë dhe pa asnjë kufizim dhe të marrë shërbimin falas, me të njëjtin standard. Ndaj programi i 300 qendrave shëndetësore, është një angazhim direkt i qeverisë për të rehabilituar dhe për të krijuar kushte dhe mjedise të përshtatshme për mjekët dhe infermierët por mbi të gjitha për qytetarët dhe për t’i garantuar këto kudo, anë e mbanë vendit. 300 qendra shëndetësore dhe ambulanca ne do t’i përfundojmë, ashtu sikurse e kemi thënë, në 6 mujorin e parë të vitit 2021", tha Manastirliu.

Duke theksuar se paketa më e fundit e miratuar nga qeveria shqiptare për rimbursimin 100% të barnave për trajtimin ambulator në banesë për të prekurve nga COVID-19, Manastirliu tha se kjo do të vijojë të garantohet edhe me buxhetin 2021.

"Buxheti i ri i vitit 2021 ka 23% më shumë rritje, krahasuar me 2020, pra është rritje historike për sistemin shëndetësor. Mbi të gjitha, përpos rritjes së investimeve, rritjes së financimit publik për shëndetësinë në raport me zgjerimin e paketës së barnave të rimbusueshme, barnave në spitale, të gjithë shërbimeve që kanë nevojë qytetarët, kemi edhe rritjen e pagave historike për mjekët dhe infermierët, ku rritja e pagave 40% është një tjetër investim direkt i qeverisë për asetin tonë më të çmuar që janë mjekët dhe infermierët", tha Manastirliu.

Duke folur për situatën e epidemisë në vend, Ministrja Manastirliu theksoi se po bëhen të gjitha përpjekjet për sigurimin e vaksinës antiCOVID në kohë dhe për të gjitha grupet e riskut.

"Ne presim që vaksina antiCovid të vijë në një kohë të shpejtë, të jetë e aksesueshme, duke filluar me personelin mjekësor, të cilët do të jenë të parët që do të vaksinohen, e më pas të gjithë grupet e riskuara dhe kategoritë e veçanta të përcaktuara dhe më pas do të shtrihet për të gjithë qytetarët", tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë ka falënderuar stafet mjekësore për punën e pa lodhur në këto 9 muaj, duke u shprehur se Dita e Mbulimit Shëndetësor Universal është një ditë e përuljes ndaj atyre të cilët sakrifikojnë më shumë, që janë mjekët dhe infermierët, për t'ju dhënë garanci që puna do të vijojë, në funksion të përmirësimit dhe transformimit të sistemit tonë shëndetësor.

 

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?