Është hapur Qendra e re Komunitare e Shëndetit Mendor në Lezhë, e cila do të ofrojë shërbime multidisiplinare për shëndetin mendor, për këdo që ka nevojë për mbështetje të specializuar në zonën e Lezhës, Kurbinit dhe Rrëshenit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof.Evis Sala, shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, zhvilloi një vizitë në këtë qendër, nga ku theksoi rëndësinë e angazhimit të institucioneve për forcimin e shërbimeve të shëndetit mendor dhe ofrimin e tyre në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe sa më pranë komunitetit.
“Shëndeti mendor nuk duhet të jetë më një tabu. Është një problem, një sëmundje si gjithë sëmundjet e tjera, prandaj është i rëndësishëm ndërgjegjësimi për të mos parë ndryshe një njeri që ka pprobleme të shëndetit mendor. Qasja në shërbime të shëndetit mendor duhet të jetë e barabartë për të gjithë. Pa stigmatizim, pa vonesa, pa përjashtime”, u shpreh ministrja Sala.
Qendra Kombëtare e Shëndetit Mendor Lezhë, e para e këtij lloji në këtë Qark, është një investim i Bashkisë Lezhë në bashkëpunim me MSHMS-në. Qendra ka në përbërje ekip mjekësor profesional me dy mjekë psikiatër, dy infermierë të shëndetit mendor, një psikolog dhe një punonjës social, të cilët veprojnë në koordinim sipas protokolleve të shëndetit mendor dhe do të ofrojnë përkujdesje nëpërmjet shërbimeve psikiatrike, psikologjike, infermierore dhe sociale, në nivel rajonal.
Kjo qendër synon identifikimin e hershëm të problematikave në shëndetin mendor dhe trajtimin e pacientëve përmes shërbimeve bio-psiko-sociale. Shërbimet ofrohen sa më afër komunitetit për të parandaluar shtrimet në spital, sipas protokolleve të përcaktuara, dhe ofrohet rehabilitim dhe aftësim psiko-social.
Përveç kësaj, ofrohen shërbime advokacie dhe psikoedukimi, si dhe promovimi i shëndetit mendor pozitiv.
Dita Botërore e Shëndetit Mendor shërben si një kujtesë e fuqishme, se: “Nuk ka shëndet të mirëfilltë, pa shëndet mendor!
Komente
