Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, në Ditën Botërore të Tokës apeloi për mbrojtjen e tokës si një pasuri që i shërben jetës.
Me rastin e kësaj dite ministrja Krifca, publikoi një video ku prezantohen disa nga veprimtaritë e MBZHR në mbrojtje të Tokës.
“Posaçërisht në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, Fushë Krujë, kryejmë analizat e tokës (dheut) me qëllim përdorimin e qëndrueshëm të tokës dhe zhvillimin e bujqësisë me kosto të ulët e me cilësi të lartë prodhimi” u shpreh Krifca.
Ministrja bëri të ditur se, tashmë është lehtësuar aksesi në këtë informacion, i cili mund të gjendet në portalin e fermerit www.agroalbania.al.
Sot në Laboratorin e Qendrën së Transferimit të Teknologjive Bujqësore Fushë Krujë, kryhen rreth 36 lloje analizash për treguesit fiziko kimik të tokës, që përcaktojnë treguesit kryesorë ushqyes të tokës dhe deri tek ngarkesa e metaleve të rënda që konsiderohen si ndotës të tokës.
Në këtë laborator gjatë një viti kryhen rreth 500 analiza për 6 mijë tregus të tokës, ku më kryesoret janë ato për PH, azotin, fosforin, kaliumin e karbonatat.
Gjithashtu, krahas analizave në këtë qendër zbatohet edhe Program për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Tokës Bujqësore. Ky program është i shtrirë në 10 qarqe, 40 bashki dhe 63 njësi administrative të vendit. I gjithë informacioni i analizave të tokës gjendet në një dada baze që shëben si një One Stop Shop, ku me një klik merren të dhëna për çdo parcele toke në kohë reale.
Në këtë dada bazë që përditësohet me të dhënat nga terreni sistematikisht, reflektohen treguesit për përshtatçmërinë e tokës, tipin e saj, drenazhimin, erozionin, treguesit fiziko kimik dhe potencialin e tokës.
I gjithë ky informacion i shërben fermerit për zgjedhjen e kulturës që do të prodhojë me rendimet maksimal dhe efikasitet.
Brenda këtij viti ky sistem informacioni do të jetë i aksesueshëm online për të gjithë fermerët përmes Portalit të Fermerit.
QTTB-të po forcojnë rolin e tyre në mbështetjen e investimeve të fermerëve dhe orientimin e ekonomisë bujqësore.
Bledar Çaçi enologu i një kantine në Krujë, tregon se sipërmarrësi i kësaj kantine, përpara se të investonte për mbjelljen e vreshtit bashkëpunoi me Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, Fushë Krujë për të përcaktuar se ku ishte toka më e mirë dhe llojin e hardhisë që i përshtatej kësaj toke, për një kultivim të shëndetshëm të vreshtit dhe prodhim cilësor të rrushit.
Gjithashtu thekson Çaçi, analizat e tokës shërbejnë për të mos e mbingarkur tokës me plehra kimik të panevojshëm.
Ndërsa Ilir Salillari Drejtor i në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, Fushë Krujë, në mesazhin e tij në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, apelon për mbrojtjen dhe ruajtjen e tokës duke nxitur fermerët të bëjnë analizat e tokës ku prodhojnë.” Kryerja e analizave është një hap i rëndësishëm në garantimin e prodhimit të shëndetshëm bujqësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tokës bujqësore”, tha ai .
Analizat e tokës i ndihmojnë fermerët në përdorimin e duhur të plehrave kimik duke siguruar jo vetëm mbrojtjen e tokës por edhe prodhimin e shëndetshëm bujqësor.
Fermerët krahas nevojës që kanë për të rritur prodhimin duhet të tregojnë kujdes të veçantë për mbrojtjen e tokës.
“Në këtë konteks ata duhet t’i drejtohen në çdo moment Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore, Fushë Krujë, ku do të marrin një asistencë të kualifikuar si në analizat e tokës por dhe këshillimin si duhet të veprojnë për përdorimin e plerave kimik për kulturën që kanë mbjellë”, u shpreh Çaçi.