Shëndeti

Dita Botërore e Zemrës, Ministria e Shëndetësisë: Rritet ndërgjegjësimi për kryerjen e kontrolleve! Shefi i Kardiologjisë: 40% e vdekshmërisë së popullatës, nga sëmundjet e zemrës

29 Shtator 2021, 17:12| Përditesimi: 29 Shtator 2021, 19:37

  • Share

Në Ditën Botërore të Zemrës, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, drejtuesit e shërbimit të kardiokirurgjisë, ekspertët e shëndetit publik dhe strukturave të kujdesit parësor si dhe përfaqësuesi i OBSH-së në Shqipëri, u kanë bërë apel qytetarëve për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare përmes jetesës së shëndetshme dhe kontrolleve periodike tek mjeku.

Duke folur për një nga programet parandaluese, që është Kontrolli Mjekësor Bazë, Ministrja Manastirliu tha se janë shtuar këto kontrolle.

 “Jam e kënaqur të them që përgjatë këtij muaji më shumë se 36 mijë qytetarë u janë drejtuar qendrave shëndetësore dhe kanë kryer kontrollin mjekësor bazë. Kjo është një e dhënë absolutisht shumë e mirë, e cila në kushtet e rikthimit pas 17 muajve të këtij programi, tregon që jo vetëm qytetarët janë të ndërgjegjësuar për të kryer kontrollin mjekësor bazë në mënyrë të përvitshme, një kontroll falas i ofruar dhe mbështetur financiarisht nga qeveria shqiptare, por edhe për efektin që ka ky program në uljen e barrës së sëmundshmërisë së sëmundjeve kardiovaskulare. Janë më shumë se 6 mijë ndërhyrje invasive dhe kardiokirurgjikale që kryhen në sistemin tonë publik, por edhe në sistemin jopublik të financuar me paratë publike dhe kjo është e rëndësishme. Sepse ne sot, dhe këtë e them me krenari, mbulojmë më shumë se 85% të nevojave në sistemin tonë publik. Kjo do të thotë, para të kursyera nga paratë e qytetarëve dhe këtë mundesi për trajtim e kanë në sistemin tonë publik, me një efiçentë por mbi të gjitha me një profesionalizëm”, tha Manastirliu.

Manastirliu deklaroi se shumë shpejt do vihet plotësisht në funksion  qendra e dytë e kardiokirurgjisë në vend në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

“Me kthimin në normalitet të spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”, edhe aty laboratori i hemodinamikës funksionon shumë mirë, për të gjitha ato nivele të diagnostikës që ai kryen për sëmundjet kardiovaksulare. E reja është që tashmë ne përgatitemi për ta vënë në efiçencë dhe qendrën e dytë të kardiokirurgjisë në vend, që është pikërisht në këtë spital”, u shpreh Manastirliu.

Prof. Artan Goda, Shefi i Shërbimi i Kardiologjisë në QSUT tha se 40% e vdekshmërisë së popullatës moderne në vendin tonë, vdesin nga sëmundjet e zemrës

“Vëmendja nga sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut nuk duhet larguar, sepse  është vrasësi më i madh i shoqërive moderne, më shumë se COVID19. 40% e vdekshmërisë së popullatës moderne në vendin tonë dhe në Botë vdesin nga sëmundjet e zemrës. Ne ndihemi krenar që kemi bërë shumë për të parandaluar këto vdekje dhe përmirësuar cilësinë e të sëmurëve kardiak”, tha Goda.

Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri dr. Gerald Rockenschaub apeloi për jetesë të shëndetshme dhe kryerje të kontrolleve në kohë.

“Eshtë shumë e rëndësishme të bëjmë kujdes në ushqimet që konsumojmë dhe të ndjekim kontrolle të vazhdueshme të zemrës”, tha Rockenschaub.

Deklaratat u bënë gjatë një aktiviteti ndërgjegjësues për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Në Shqipëri, sëmundjet kardiovaskulare zënë barrën më të madhe të sëmundshmërisë. Më shume se 17% e personave të grupmoshës 35-70 vjeç që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë, kanë rezultuar me hipertension, ndërsa kjo shifër kalon 40% për grupmoshën 60-70 vjeç.

Sipas të dhënave të raportuara nga ISHP, numri i vizitave dhe shtrimeve spitalore që lidhen me sëmundjet e zemrës ka ardhur në rritje, ndërsa vdekshmëria e konsideruar e parakohshme (për grupmoshat 30-69 vjeç) nga këto sëmundje, ka filluar qartësisht të ulet gjatë 5 vjeçarit të fundit.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?