Presidenti Bajram Begaj ka dhënë mesazhin e tij për Ditën Botërore për Lirinë e Shtypit. Në një postim në Facebook shkruan se mediat apo gazetarët nuk duhet të ndihen të shantazhuar apo të kërcënuar por të vijojnë misionin në mënyrë transparente.
“Në Ditën Botërore për Lirinë e Shtypit me një grup gazetarësh të rinj në Shqipëri. Media në një shoqëri demokratike formon opinionin publik, ka një rol të pazëvendësueshëm në informimin e saktë të shoqërisë, në misionin e saj për të shprehur të vërtetat në mënyrë të paanshme e transparente. Asnjë media, apo punonjës i saj nuk duhet të ndiehet e shantazhuar apo e kërcënuar për shkak të kryerjes së këtij misioni.
Bashkëbisedimi i frytshëm mbi realitetin mediatik, lirinë e shtypit, censurën dhe vetëcensurën, organizimet e munguara sindikale të punonjësve të medias japin shpresë se me gazetarë të lirë e profesionistë do të kemi një media më cilësore”, shkruan Begaj.
Edhe deputetja e PD-së, Flutura Açka ka shkruar një status në rrjete sociale ku thotë se një ndër arsyet se pse demokracia shqiptare është shembur është flirti i korruptimit politik i medias.
Në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, bazuar edhe në nenin 19 të “Deklaratës së të Drejtave të Njeriut” mbi lirinë e shprehjes, shpalli 3 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Kjo ditë shënohet çdo vit në mbarë botën.
3 maji, sipas Kombeve të Bashkuara, shërben për të nënvizuar parimet themelore të lirisë së shtypit si dhe për të vlerësuar këtë liri në mbarë botën. Gjithashtu në këtë ditë theksohet rëndësia e mbrojtjes së mediave nga sulmet ndaj lirisë së tyre dhe nderohen gazetarët që kanë humbur jetën në krye të detyrës.
Në ditën botërore të Shtypit të Lirë, deputetja e PD-së, Flutura Açka ka shkruar një status në rrjete sociale ku thotë se një ndër arsyet se pse demokracia shqiptare është shembur është flirti i korruptimit politik i medias.
“3 Maj: Dita Botërore e Shtypit të Lirë
Mjafton sjellja në fushatën elektorale, për të kuptuar nivelin e lirisë së medias shqiptare.
Asgjë nuk e shembi më shumë demokracinë shqiptare, se flirti dhe korruptimi politik i medias.
Madje edhe ata që mbrëmjeve hiqen si të pavarur, diku firmosin për jetën e tyre luksoze, nga e cila nuk mund të heqin më dorë.
Kanë një vit e gjysmë që hanë të vjellat e tridhjetë viteve të tyre libertine.
Mirënjohja ime, dhe besoj edhe e Komisionit Parlamentar që drejtoj, shkon për të gjithë brezat e gazetarëve të terrenit, të studiove të padukshme, investigativë dhe kudo ku kanë punuar me përkushtim, të cilët kanē mbajtur për tridhjetë vjet - në kushte tē vështira, të paguar keq, të trysnuar nga mjedisi politik - eshtrën e demokracisë.”- shkroi Açka.