Dita e 15-të e barrikadave në veri të Kosovës, Kurti paralajmëron takim me komandantin e KFOR-it

24 Dhjetor 2022, 08:49| Përditesimi: 25 Dhjetor 2022, 19:18

  • Share

Situata në veriun e Kosovës vijon të jetë problematike. Sot është dita e 15-të prej kur serbët vendosën barrikada nëpër rrugë, në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit, Dejan Pantiç. Për heqjen e këtyre barrikadave, KFOR-i ka kërkuar zgjidhje përmes dialogut, ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi deklaron se barrikadat në pjesën veriore të Mitrovicës duhet të hiqen sa më shpejtë të jetë e mundur.

Në një thirrje për qetësim të situatës, KFOR i ka kërkuar Kosovës kohë që të zgjidhte problemin e heqjeve të barrikadave dhe të gjente zgjidhjen efikase për të dyja palët në konflikt. Nisur nga deklarata e fundit e Rrustemit, largimi i barrikadave është një çështje që duhet zgjidhur menjëherë pasi tensionon më shumë situatën dhe mund të krijojë hapësirë për problemë të tjera dhe agravim të situatës.  Madje Rrustemi ka thënë se nëse kjo çështje është ë pazgjidhshme për KFOR-in, atëherë do e zgjidhë Kosova.

"Duhet ta themi rendin e gjërave ndonëse ai është shumë i thjeshtë dhe i qartë: Në Republikën e Kosovës janë bllokuar disa prej rrugëve nacionale. Dhe kjo është e paligjshme.  Këto barrikada janë vendosura nga struktura kriminale dhe të armatosura që dirigjohen direkt nga Beogradi, madje këtë edhe e kanë pranuar zyrtarisht. KFOR ka kërkuar pak kohë nga institucionet e Republikës së Kosovës për t’i hequr këto barrikada të paligjshme. Jemi në ditën e 14 dhe sot KFOR deklaron që kjo punë të zgjidhet me dialog. Këto deklarata dhe kjo zhagitje vërtetë po bëhen të papranueshme dhe janë duke kaluar çdo pritje. Rendi dhe ligji duhet të mbizotërojë. Me krimin dhe paligjshmërinë nuk mund të negociohet. Barrikadat duhet të hiqen sa më parë dhe Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet ta bëjë këtë gjë", shkruan Rustemi.

Ora 18:09
Tensionet në veri të Kosovës, Kurti paralajmëron takim me komandantin e KFOR-it për barrikadat

1671452008_6362e3593563dalbinkurti.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se pas Krishtlindjeve do të takohet me komandantin e KFOR-it, për të sqaruar se si do veprohet me barrikadat në veri të Kosovës.

Në një konferencë për media të shtunën, Kurti tha se Qeveria është në pritje që KFOR-i të veprojë, por “kjo nuk mund të tolerohet pafundësisht”, sepse këto nuk janë barrikada civile, por "barrikada të njerëzve të uniformuar dhe të armatosur".

Grupe të qytetarëve serbë në veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës.

Ora 14:58
Bërnabiç: S’bisedojmë për planin franko-gjerman pa u zbatuar Marrëveshja e Brukselit

1571061893_bernabic.jpg

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, është pyetur nga gazetarët në qeverinë serbe për planin franko-gjerman dhe ajo është shprehur se nuk e ka të qartë çfarë të thotë për këtë rast, kjo sepse sipas saj Kosova nuk ka zbatuar Marrëveshjen e Brukselit.

 “Pala serbe është ende në pritje të zbatimit të marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën – Marrëveshja e Brukselit, e cila është nënshkruar në vitin 2013. Gjithmonë pyes ndërkombëtarët dhe partnerët e huaj se kush do të garantojë marrëveshjen e dytë, nëse e para ende nuk është zbatuar”, ka thënë ajo.

Bërnabiç ka folur edhe për situatën në veri të vendit, konkretisht për barrikadat dheka thënë se e ka të pamundur të mendojë që Policia e Kosovës t’i heqi barrikadat.

“As që do të doja të mendoja se policia e Kosovës po heq barrikada dhe po vë në pikëpyetje jetët e njerëzve, siç ka paralajmëruar Albin Kurti”, duke shtuar se po të ndodhte kjo do të përbënte “sulm ndaj grave dhe fëmijëve, të moshuarve që janë prapa barrikadave. Unë nuk besoj në një skenar të tillë", tha kryeministrja e Serbisë.

Plani franko-gjerman fillon me pajtim për marrëdhënie normale mes Kosovës dhe Serbisë, angazhimin për integrim në BE, zgjidhjen e mospajtimeve dhe respektimin e integritetit territorial, respektimin e subjektivitetit të njëra-tjetrës, respektimin e ndërsjellë të juridiksionit, zotimin për rritje të bashkëpunimit në fusha të ndryshme - përfshirë ekonominë, shkencën, gjyqësorin, fushën e mbrojtjes etj. Plani, siç thuhet, parasheh edhe shkëmbimin e misioneve të përhershme, si dhe pajtimin e palëve që kjo marrëveshje nuk ndikon në marrëveshjet e arritura më parë.

Ora 12:41
Ish-emisari shqetësohet për situatën në veri të Kosovës: A është e vetëdijshme Serbia se nxitja e dhunës e pamundëson procesin e anëtarësimit në BE

Ish-emisari, Wolfgang Ischinger ka shprehur shqetësimet e tij për tensionet në veri të Kosovës.  Përmes një postimi në Twitter ai ka shkruar se veprimi i Bashkimit Evropian është urgjent, ndërsa shtron pyetjen nëse Serbia është e vetëdijshme që nxitja e dhunës në Kosovë do ta bënte të pamundur vazhdimin e procesit të anëtarësimit në BE.

“Thellësisht i shqetësuar për tensionet e vazhdueshme. Roli vendimtar i BE-së urgjent. A është vënë në dijeni Serbia se nxitja e dhunës në shtetin fqinj, Kosovën, do ta bënte të pamundur vazhdimin e procesit të anëtarësimit në BE”, shkruan Ischinger.

Lidhur me gjendjen e tensionuar në veri të Kosovës dhe me barrikadat atje, ka dhënë një konferencë për media, edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se barrikadat në veri kanë humbur kuptimin.

Ndërkaq, komandanti i KFOR-it Angelo Michele Ristuccia të premten në mbrëmje tha se duhet të shmanget shfaqja provokuese e forcës dhe zgjidhja duhet përmes dialogut. KFOR ka kërkuar më tepër kohë nga palët në konflikt e pas kësaj kërkeseka pasur pakënaqësi nga zyrtarë të Kosovës.

Gjenerali Ristuccia thotë se është vazhdimisht në kontakt të ngushtë me të dyja palët për të ruajtur qetësinë dhe për të gjetur zgjidhjen më të mirë edhe për popullin e thjeshtë të Kosovës, jo vetëm ushtarakët.

“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve”, thuhet në komunikatën e komandantit të KFOR-it.

F.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?