Në ditën e 5-të të grevës së urisë, është rënduar shëndeti i naftëtareve të Ballshit.
Së bashku me grevën e naftëtarëve, bëhen 22 ditë që punëtorët e rafinerisë së naftës në Ballsh kërkojnë rrogat e tyre, të cilëve nuk iu janë dhënë pagat e fituara me gjyq.
Sipas informacioneve për Report Tv, dy prej grevistëve janë me tension të lartë dhe për t'i ndjekur ka ardhur një infermiere dhe një ambulancë, e cila u ka matur tensionin dhe sipas saj, grevistet kanë probleme të luhatjes së tensionit.
Këtë të hënë jashtë ambienteve janë edhe kolegë të tyre, të cilët kanë mbështetur që nga dita e parë kolegët që ndodhen në grevë urie. Pavarësisht se ndodhen në grevë urie mes të ftohtit dhe sëmundjeve, akoma nuk ka ardhur një zgjidhje për problemin e tyre.
"Nuk na ka ardhur asnjë njeri nga spitali dhe nuk presim asnjë njeri nga spitali. Sot jam me një dhimbje të madhe dhe iu bëj thirrje të gjitha grave dhe zonjave të parlamentit, ambasadores Yuri Kim, ambasadores suedeze, zonjës Spiropali, po jetojmë në një muaj të dhimbshëm, ku nënat po heqin nga shpirti i tyre për të ushqyer ato fëmijë. Inshallah arrij që të dal nga greva, jam shumë e shqetësuar që e kam shumë rëndë shoqen time, që punova 34 vjet, vallë do arrij që ta takoj atë shoqe, nuk e di, shpresoj. Nuk pyes për veten time se si jam, po kam kaluar shumë shqetësime kur mora vesh që shoqja ime është rëndë. Doli në pension e nuk e gëzoi. U bëj thirrje të dalim nga kjo dhomë skëterrë, se s'po na dalin as fëmijët, po na shikojnë në televizor me lot në sy. Po na acarohen dhe fëmijët", tha njëra nga naftëtaret.
"Gjendja jonë shëndetësore është shumë e keqe. Është e ditur që po të jesh 4 netë në grevë urie do të kesh probleme. Kanë probleme edhe burrat, jo gratë që nga natyre janë më të lodhura, më të sfilitura, sidomos ne që kemi punuar në këtë uzinë. Me probleme tensioni, me probleme aritmie, me diabet, me alergji nga të gjitha llojet e problemeve i kemi patur ne dhe i kemi shfaqur gjatë grevës. Mjekë nuk kanë ardhur ne kemi rezistuar edhe vetë duke ndihmuar njëra tjetrën dhe duke bërë edhe një rezistencë që s'kemi çfarë të bëjmë edhe më tepër dhe shikojmë që asnjë lloj reagimi nuk ka. Nuk e dimë se çfarë duan më nga ne, nuk e dimë. Nga kjo klasë punëtore që nuk ka pasur asnjë lloj dëmtimi shteti nga ne, përveç se të mirave materiale, përveç se respekteve që kemi kushtuar për ata që janë në krye, ashtu siç na i kanë kërkuar detyrimet, ashtu të përgjigjen edhe ata, sepse neve nuk ua kemi borxh fare", tha një tjetër naftëtare.
Ndërkohë janë mbledhur mbështetësit e grevisteve dhe njëri prej tyre sindikaliste ka thënë se kushtet e rënduara të grave nga gjendja shëndetësore i bëjmë thirrje qeverisë që drejtohet nga Rama që të marrë masa urgjente për të realizuar kërkesat e tyre, që janë marrja e pagave të 9 muajve që kanë fituar me gjyq, rifillimi i punës e librezat e punës.
Vijon në ditën e pesë greva e urisë së naftëtarëve të Uzinës së Ballshit. Ndërsa thonë se po kërkojnë thjesht bukën e fëmijëve, naftëtaret thonë se edhe deputetët që i kanë vizituar, “kanë ardhur për t’u tallur.”
Një nga zonjat madje përmend kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, e cila sipas saj, ishte shprehur se e ka portofolin bosh.
Zonja shprehet: “Asnjë reagim nuk kemi, as edhe një telefonatë. Edhe deputetet që vinë, vinë për t’u tallur. Vinë për hallin e tyre. Vjen zonja Monika thotë edhe unë e kam portofolin bosh. Me kë tallet ajo? Me punëtorët? Të priste t’i jepnim ne nga 10 lekë? Është turp, s’ka më ku të vejë. Tallen me ne. Jemi nëna, jemi familjare. Kemi 5 ditë dergjemi këtu, i kemi lënë njerëzit të sëmurë brenda. Në s’jemi as deputete, as ministre, as ministre e as drejtoresha. Ne jemi punëtore të thjeshta edhe po kërkojmë bukën e fëmijëve.”