Politikë

Dita e 6-të e rinumërimit të votave për Tiranën, hapen 771 kuti! PD ka humbur 399 vota, PS 302

24 Qershor, 08:28| Përditesimi: 24 Qershor, 23:08

  • Share

Sot është dita e gjashtë e rinumërimit të votave për partitë dhe kandidatët për qarkun e Tiranës. Procesi ka nisur në orën 09:00, ndërkohë që, deri më tani janë hapur 747 kuti nga 1282 në total.  

PD vijon të ketë më shumë vota të marra padrejtësisht (399), me diferencë nga PS, e cila nga rinumërimi rezulton se ka 302 vota të pamerituara, që mund të jenë vota të pavlefshme ose të marra nga partitë e vogla. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka gjithashtu 37 vota të pamerituara, PSD 29, 30 Lëvizja Bashkë ndërsa Partia Mundësia ka 30 vota më shumë. Këto vota u zbriten nga numërimi fillestar.

Ndërkohë, Koalicionit Euroatlantik i shtohen 29 vota, të cilët rezultojnë se ia kanë marrë nga numërimi i parë. Edhe Koalicionit Djathtas për Zhvillim i Enkelejd Alibeajt rezulton se i kanë marrë 5 vota nga 11 maji. 

Lëvizje votash ka edhe mes kandidatëve brenda partive. Ilir Alimehmeti i PD-së ka deri më tani 85 vota pa meritë. Jorida Tabaku ka 69 vota pa meritë, por nuk e thyen diferencën që ka me Alimehmetin, duke zbehur kështu shpresat e këtij të fundit se mund të futej në Kuvend me rinumërimin e votave. 59 vota pa meritë ka edhe Ilir Meta. 

Në PS, numrin më të lartë të votave pa meritë e ka ministri Ervin Hoxha me 263 vota, 123 ka Xhemal Qefalia, 129 Fatmir Xhafaj, apo Braçe me 129 vota. Këto vota iu zbriten nga rezultati i numërimit të parë. Ndërkohë diferenca mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit është ngushtuar. Xhaçka, e cila fitoi përballë Gjylametit, ka marrë 42 vota pa meritë, ndërsa Gjylameti ka të njëjtat vota si më 11 maj. 

Deri më tani këto rezultate nuk prodhojnë një ndryshim në rezultate, por pritet hapja e të gjitha kutive.

Ora 14:13
Rinumërimi i votave për Tiranën/ Koli Bele: Deri të hënën përmbyllim procesin! A u ‘vodhën’ vota? KAS nuk është organ hetimor

 

Në një prononcim për mediat nga qendra e rinumërimit të votave për Tiranën, anëtari i KAS Koli Bele tha se deri të hënën pritet që të kenë përfunduar të gjithë procesin. I pyetur nëse nga kutitë e rihapura deri më tani, konstatimi i votave të pamerituara në favor të partive dhe kandidatëve tregon vetëm një gabim njerëzor, apo krim zgjedhor, Bele tha se KAS po kryen vetëm procesin administrativ, dhe nuk është organ hetimor.

“Procesi është i gjatë dhe deri diku i panatyrshëm se nuk është ndërtuar Kodi Zgjedhor që një trup me pesë vetë të zëvendësojë 11 KZAZ e Tiranës dhe disa qindra numërues që po zëvendësohen nga një administratë e KQZ. Janë numëruar gjysma e kutive, dhe në këtë ritëm normal, ndoshta të shtunën ose maksimalisht të hënën do të kemi një përfundim të procesit.

Duhet të kuptojmë se ky proces në vetvete nuk bën hetimin për kuti, por rinumërohen dhe dalin në një rezultat përfundimtar. Për të konkluduar nëse në një rast ka diferenca të mëdha apo jo qëllim kriminal, duhet hetuar në një proces tjetër. Ne nuk jemi duke hetuar kuti më kuti çfarë ka ndodhur. Numërohet, tabulohet dhe bëhet një rezultat përmbledhës.”, u shpreh Bele.

Lidhur me kërkesën e PS drejtuar KAS se vota që janë të vlefshme janë konsideruar si të pavlefshme, Bele tha:

“Nuk më rezulton një gjë e tillë. Ky proces që administrohet ka ardhur nga 11 KZAZ, ku kriteret e vlerësimit sado që janë të sugjeruara nga manuali, rast pas rasti mund të ketë diferenca të vogla, që mund të përkthehet në ndryshimin e një vote. Por nëse mbahet një qëndrim i caktuar, ai vepron në mënyrë të barabartë për të gjithë kandidatët dhe nuk ka lëvizje masive të tilla. Subjektet në momente të caktuara kanë meraket dhe emocionet e tyre, mbajnë qëndrime të caktuara. S’mund të kënaqet çdo subjekt nga çdo vendimmarrje e jona. Ajo që garantojmë është që standardi është i njëjtë dhe është brenda kufijve të ligjit”, shtoi ai.

Xh.D/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se rinumërimi i pothuajse gjysmës së votave është farsë e kotë?