Në pallatin e Sportit Fahrie Hoti, në ditën e tetë të rinumërimit, janë hapur më shumë se 94% e kutive të votimit të Qarkut të Tiranës. Këtë të enjte u hapën edhe kutitë e Kavajës, aty ku pretendimet nuk janë të kandidatëve të PD-së, më shumë sesa të Ilir Metës që nga burgu pretendoi se nuk mori vota aq sa mbështetje reale ka.
Partitë vijojnë të humbasin vota, të cilat më herët ishin konsideruar të vlefshme nga komisionerët politikë. Deri më tani, janë rihapur 1138 kuti, dhe trendi është i njëjtë: Ka pasur gabime të vogla, por që deri më tani nuk kanë prodhuar ndryshime qoftë në mandate apo në renditjen e kandidatëve të listës së hapur.
Më konkretisht, PD që pretendon edhe manipulim, ka numrin më të madh të votave të humbura, 594 të tilla, që rezultojnë të marra padrejtësisht nga numërimi fillestar, ndërsa PS, 377 vota të pamerituara. Nisma Shqipëria Bëhet humb gjithashtu 45 vota, të cilat i ka marrë pa meritë nga numërimi fillestar. 57 vota të pamerituara rezulton se kishte edhe Lëvizja Bashkë, 43 Partia Mundësia ndërsa 34 PSD. Koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës i shtohen 21 vota, që ia kanë marrë më 11 maj.
Lëvizje të votave ka gjithashtu edhe mes kandidatëve, gjë që ka shkaktuar edhe pakënaqësi. Ilir Alimhemeti rezulton se ka 135 vota pa meritë, Ilir Meta ka 61, ndërsa 256 vota pa meritë rezulton se i ka marrë edhe Jorida Tabaku, një shifër kjo e papërfillshme duke marrë parasysh diferencën e ndjeshme nga Alimehmeti.
Në PS, 164 vota i hiqen Erion Braçes, i cili ka shprehur pakënaqësi ndaj KAS, që sipas të cilit po ia kthen votat në të pavlefshme. Numër të lartë votash pa meritë ka edhe ministri Ervin Hoxha 287, ndërsa 227 ka Fatmir Xhafaj. Olta Xhaçka ka humb 48 vota, ndërsa Blerina Gjylametit i shtohen 17 vota, që rezulton se ia kanë marrë.
Ndërkohë, janë hapu edhe kutitë për Kavajën, për të cilat Ilir Meta kërkoi rinumërim, pasi pretendon se i kanë vjedhur votat.
Komente

Ku nund ti shikojme te dhebat?
Përgjigju