22 nëntori i 116 viteve më parë shënon ditën më të rëndësishme për të gjitha trevat shqipfolëse, dita kur u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit që u mbajt mes 14-22 nëntorit të 1908.
Politika ka ndarë urimet në këtë ditë, e cila është shpallur zyrtarisht nga qeveria një festë zyrtare.
Urimin për shqiptarët, kryeministri Edi Rama e shpërndau në rrjetet e tij sociale përmes një video-kolazhi me vargjeve të recituara nga mjeshtri i poezisë Reshat Arbana.
'Një thesar të çmuar dhe unitet të bashkimit kombëtar e cilësoi Ditën e Alfabetit, presidenti i vendit Bajram Begaj, i cili priti në zyrën e tij fituesit e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, nxënës të shkollës “Rilindja” në qytetin e Kavajës.
“Kur ndërtohet një shtëpi, nuk bëhet e bukur çatia, bëhen themelet e forta. Këto themele të hedhura në shkollën “Rilindja” tregojnë që gjuha, rrënja jonë, gjuhë e shqiponjave, do të vazhdojë të mbijetojë. Gjuha e shqiponjave”, tha ai.
Një reagim pati edhe nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Gëzuar të gjithë shqiptarëve Ditën e Alfabetit të gjuhës sonë më të bukur në botë, të shkruar me gërma gjaku dhe plot sakrifica heroike të intelektualëve dhe patriotëve tanë! Mirënjohje përjetë kolosëve të gjuhës shqipe dhe Rilindasve të vërtetë të kombit, që në Kongresin e Manastirit, njehsuan 116 vite më parë elementin më të rëndësishëm përbashkues të shqiptarëve duke i paraprirë shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912 në Vlorë', tha ai.
Shqiptarët në Ditën e Alfabetit i ka uruar edhe Ambasada Amerikane, e cila është kujdesur që mesazhin e saj ta përcjellë përmes vargjeve të Naim Frashërit.
“Gjuha jonë, sa e mirë! Sa e ëmbël, sa e gjerë, sa e lehtë, sa e d’lirë, sa e bukur, sa e vlerë!”, thuhet në postim.
Nëntorin e vitit 1908, në një kohë kur trojet shqiptare po rrezikoheshin gjithnjë e më shumë nga luftërat për rënien e Perandorisë Osmane, patriotët dhe intelektualët më të shquar shqiptar u mblodhën në Manastir për të vendosur përfundimisht për gjuhën shqipe.
Për më shumë se një javë nën kryesinë e Mit’hat Frasherit, me nënkryetar Gjerasim Qiriasin e me sekretar Luigj Gurakuqin, me pjesëmarrjen e korifenjve si Ndre Mjeda, Petro Nini Luarasi apo edhe Gjergj Fishta, ata vendosën që shqipja të shkruhej me shkronja latine, duke treguar edhe një herë orientimin perëndimor të shqiptarëve, teksa propozime kishte edhe për alfabet të bazuar në atë turk, arab apo edhe shkronjat cirilik.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë uroi sot shqiptarët për Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ambasada amerikane uron Ditën e Alfabetit me vargjet e Naim Frashërit.
“Kjo ditë shënon përvjetorin e Kongresit të Manastirit të vitit 1908, ku u standardizua alfabeti unik i gjuhës shqipe. Shqipëria po shënon për herë të parë këtë ditë për të nderuar bukurinë e gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj unike kulturore dhe historike”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Dita e Alfabetit Shqip u miratua nga Kuvendi në shkurt të këtij viti. Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për një ndryshim për ligjin për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore, duke i propozuar Kuvendit të Shqipërisë shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare.
Gëzuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!
— U.S. Embassy Tirana (@USEmbassyTirana) November 22, 2024
Kjo ditë shënon përvjetorin e Kongresit të Manastirit të vitit 1908, ku u standardizua alfabeti unik i gjuhës shqipe. Shqipëria po shënon për herë të parë këtë ditë për të nderuar bukurinë e gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj unike… pic.twitter.com/iarW8YgJ21
Në ditën kombëtare të Alfabetit, presidenti Bajram Begaj u shpreh se alfabeti është thesari i çmuar dhe unitet i bashkimit kombëtar.
Bajram Begaj, takoi fituesit e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, nxënës të shkollës “Rilindja” në qytetin e Kavajës, të shoqëruar nga drejtuesja e shkollës, Hamide Kariqi, mësuesja e Gjuhë-Letërsisë, Matilda Bardhi, si dhe Kryebashkiaku Fisnik Qosja, të cilët ndanë, në një bisedë të bukur, eksperiencat e konkursit dhe vlerat e tij në Vitin e Gjuhës Shqipe.
“Sot festojmë thesarin tonë më të çmuar, simbolin më të bukur të bashkimit kombëtar e qëndresës shqiptare: alfabetin e gjuhës sonë të bekuar. Dita Kombëtare e Alfabetit nuk është thjesht festa e shkronjave shqipe, por përkujtim i shekujve të qëndresës së gjuhës sonë në të shkuarën, mirënjohje për vlerat e bukurinë e saj në të tashmen dhe një zotim për ta çmuar e iu dedikuar në të ardhmen”, theksoi Presidenti.
Kreu i Shtetit shprehu besimin se ky konkurs kombëtar duhet të kthehet në një traditë të përvitshme, që ndër breza ne të vijojmë të ruajmë, si edhe të pasurojmë gjuhën tonë.
“Kur ndërtohet një shtëpi, nuk bëhet e bukur çatia, bëhen themelet e forta. Këto themele të hedhura në shkollën “Rilindja” tregojnë që gjuha, rrënja jonë, gjuhë e shqiponjave, do të vazhdojë të mbijetojë. Ajo që keni treguar gjatë kësaj kohe është se përdorimi i saktë dhe i duhur i gjuhës shqipe, mbrojtja dhe promovimi i saj, patjetër dhe pasurimi, është vlerë, vlerë e kombit tonë”.
Nxënësit u shprehen se ia dolën të çojnë trofeun në Kavajë me ndihmën e mësuesve dhe në bashkëpunim të fortë si ekip.
“Secili nga ne ka një talent të ndryshëm, si copat e një puzzle që veçmas nuk kemi kuptim, por kur u bashkuam, atëherë dhe ia dolëm të fitonim”, thanë ata.
Presidenti i Republikës i dhuroi secilit nxënës një Fjalor të Gjuhës Shqipe si simbolikë të përkushtimit që ata kanë treguar ndaj gjuhës shqipe duke dalë fitues të konkursit ndër 900 shkolla në vend.