Dita e çlirimit të Shqipërisë është festuar dhe në shumë qytete të vendit por me një numër të reduktuar njerëzish dhe pa praninë e familjarëve të dëshmorëve për shkak të masave anti covid. Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli ka bërë homazhe nga varrezat e dëshmorëve në Vlorë, ku u realizua ceremonia e 76 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, për herë të parë pa familjarët e dëshmorëve për shkak të pandemisë Covid-19. Leli i cili vlerësoi faktin që të afërmit dhe qytetarët kanë respektuar masat e marrë për koronavirus.
"Jemi në një situatë të pazakontë, ajo që duhet të respektojnë më shumë janë protokollet anti-covid, që na detyrojnë të jemi pak njerëz në varrezat e dëshmorëve. Dua t'ju uroj të gjithë shqiptarëve festat e nëntorit", tha Leli.
Përvjetori i çlirimit të Shqipërisë u festua dhe në qytetin e Fierit, me një numër të kufizuar pjesëmarrësish. Autoritetet më të larta vendore vendosen kurora me lule, ndërsa një mesazh urimi është përcjellë dhe nga kreu i Bashkisë Fier.
"Lavdi dëshmorëve, i përjetshëm kujtimi i tyre. Nuk po i festojmë siç do të donim, por jemi të kushtëzuar nga kushtet e pandemisë dhe lutemi që kjo situatë të përfundojë sa më shpejtë", tha Subashi.
Në ceremoninë e zhvilluar në Lushnjë numri i personave nuk ka qenë aq i reduktuar. Kanë marrë pjesë deputetë të zonës, autoritetet vendore por dhe shoqata e veteranëve të cilët kanë vendosur kurora me lule në monumentin e dëshmorëve.
Ndonëse në Kukës po rikonstruktohet monumenti i varrezave të dëshmorëve, nuk kanë munguar festimet dhe kurorat me lule nga autoritetet lokale, drejtues të komitetit të veteranëve por dhe familjarë të dëshmorëve të cilët ndryshe nga çdo qytet tjetër kanë qenë të pranishëm në ceremoni.