Me rastin e Ditës Kombëtare të Diasporës, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka vlerësuar kontributin e emigrantëve shqiptarë për vendet pritëse dhe për Shqipërinë. 18 dhjetori është Dita Kombëtare e Diasporës dhe Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve. Me këtë rast, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka vlerësuar kontributin e emigrantëve shqiptarë për vendet pritëese dhe për Shqipërinë.
“Dita Kombëtare e Diasporës dhe Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve është një ditë reflektimi e vlerësimi për kontributin e emigrantëve shqiptarë, si për vendet pritëse, ashtu edhe për Shqipërinë. Në shtetet ku janë vendosur, vëllezërit e motrat tanë emigrantë, punojnë e jetojnë me dinjitet, duke kontribuar në ekonominë, sistemin e mirëqenies, shoqërinë dhe kulturën e vendeve pritëse. Diaspora shqiptare, e hershme dhe e re, është pjesë vitale e ekonomive, shoqërive, kulturave, shkencës, jetës intelektuale e publike në vendet pritëse.
Kapitalet financiare, sociale dhe humane të emigrantëve shqiptarë janë një burim i rëndësishëm për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Pas viteve të vështira të krizave dhe pandemisë në shumicën e vendeve pritëse, në vitin 2021, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, emigrantët dërguan në Shqipëri 761 milionë euro, niveli më i lartë prej vitit 2009. Potencialet, vlerat dhe emancipimi i saj shoqëror e politik është një vlerë e shtuar për Shqipërinë.
Luftrat, kriza dhe pandemia kanë shtuar flukset e emigrantëve në rajon, kontinent dhe mbarë Globin. Por kjo nuk mund dhe nuk duhet të shërbejë si arsye për të keqinterpretuar dhe për t’u rikthyer në paragjykimet mbi emigracionin, të cilët vetë koha, puna dhe kontributet e emigrantëve i kanë tejkaluar. Pres me kënaqësi të bisedoj nesër me Këshillin Koordinues të Diasporës, të kryesuar nga Mark Gjonaj, përfaqësues i shquar i Diasporës shqiptare në ShBA”, shkruan Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Lajmi kryesor: