HAGË – Ashtu si bombat atomike në Hiroshima dhe Nagasaki i dhanë fund Luftës së Dytë Botërore kundër Japonisë, po ashtu bombat në thellësi të lëshuara mbi tre objektet bërthamore iraniane i dhanë fund konfliktit mes Iranit dhe Izraelit. Krahasimin e bëri presidenti Donald Trump, gjatë takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në hapje të samitit në Hagë, duke iu përgjigjur raportit të inteligjencës të publikuar nga mediat amerikane, sipas të cilit dëmet kanë qenë të kufizuara dhe do ta ngadalësojnë programin atomik të Teheranit vetëm për disa muaj.
Rritja e shpenzimeve për mbrojtjen dhe neni 5
Shefi i Shtëpisë së Bardhë zgjodhi gjithashtu një ton pajtues ndaj Aleancës, duke shprehur synimin për ta konsideruar si sukses angazhimin për të investuar 5% të PBB-së në mbrojtje dhe duke ripërsëritur angazhimin për të respektuar detyrimet e Nenit V për mbrojtje të ndërsjellë. Mbi këtë pikë, presidenti sqaroi:
"Jemi me ta deri në fund. Nëse shihni shifrat, jemi me ta dhe ata kanë gjëra shumë të rëndësishme për të shpallur sot, nuk e di nëse kanë votuar apo do të votojnë. Por u kam kërkuar prej vitesh të ngjiten në 5%, dhe po ngjiten në 5%. Është një rritje e madhe nga 2%. Prandaj mendoj se do të jetë një lajm shumë i rëndësishëm. NATO do të bëhet shumë e fortë me ne. Dhe e vlerësoj këtë.”
Armëpushimi mes Iranit dhe Izraelit
Për Iranin ai komentoi kështu: "Shumë mirë. Izraeli u tërhoq dje. Jam shumë krenar për ta, sepse u tërhoqën. Ata e konsideronin sulmin iranian si një shkelje të armëpushimit, dhe teknikisht kishin të drejtë, por nuk do të kishte shkuar mirë. I kthyen avionët, ndërmorën një udhëtim tjetër sepse ishte një shkelje e vogël. I thashë: duhet t’i ktheni. Dhe i kthyen, dhe ishte një gjë e shkëlqyer, dhe po shkon shumë mirë. Kini besim se armëpushimi do të qëndrojë."
Sulmi ndaj objekteve bërthamore iraniane
Kur iu drejtua pyetja mbi reagimin ndaj raportit të inteligjencës që ka rrjedhur, ai u nxeh: "Ata nuk e dinë. Dua të them, kanë bërë një raport, por nuk e dinë vërtet. Mendoj se Izraeli do të na e thotë shumë shpejt sepse Bibi (kryeministri Netanyahu) do të ketë njerëz të përfshirë në të gjithë atë situatë."
Ai megjithatë është i sigurt:
"Kemi dëgjuar që ka qenë një shkatërrim i plotë. Ka qenë një shkatërrim i plotë, virtual. Kur shihni terrenin sipër, mos harroni që flaka është e gjitha nën tokë, por gjithçka që është sipër, nëse shihni fotot përpara dhe pas, është djegur plotësisht – pemët, gjithçka. Besoj se ka qenë një shkatërrim i plotë. Besoj se ata nuk patën mundësi të nxirrnin asgjë sepse vepruam shpejt. Nëse... nëse do të duheshin ndoshta dy javë, por është shumë e vështirë të nxirret ai lloj materiali, shumë e vështirë dhe shumë e rrezikshme për ta."
Më pas Trump shtoi:
"Ky ka qenë një sulm shkatërrues. I ka asgjësuar. Përndryshe, nuk do të kishin rënë dakord. Nëse do ta kishin fituar dhe ne nuk do të kishim eliminuar situatën, nuk do të kishin rënë dakord. Nëse ajo situatë nuk do të ishte shkatërruar, nuk do të kishin rënë dakord."
Sa i përket programit bërthamor:
"Në praktikë është vonuar për dekada, sepse nuk mendoj që do ta bëjnë ndonjëherë më. Tani kemi një marrëdhënie të mirë me ta. Por ai sulm i dha fund luftës. Nuk dua të marr si shembull Hiroshima-n, nuk dua të marr si shembull Nagasaki-n, por ishte në thelb e njëjta gjë. Ajo i dha fund asaj lufte, kjo i dha fund kësaj lufte."
Kur u pyet nëse SHBA do të godiste sërish nëse Irani do të rindërtonte, ai u përgjigj:
"Sigurisht, por nuk do të na duhet të shqetësohemi. Kjo ka zgjatur për vite me radhë, vite. Është shumë e vështirë të rindërtohet sepse gjithçka është shembur."
Ndërsa për Gazën shtoi:
"Mendoj se po bëhen përparime të mëdha. Për shkak të këtij sulmi që kemi bërë, mendoj se do të kemi lajme shumë të mira."/La Repubblica
Mark Rutte dhe Donald Trump
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mohoi se e kishte quajtur Presidentin Donald Trump “baba”, gjatë një interviste ekskluzive për agjencinë Reuters sot.
Rutte shpjegoi se kishte përdorur fjalën “baba” gjatë një konference shtypi më herët me Trump, ku presidenti amerikan e kishte përshkruar konfliktin mes Iranit dhe Izraelit si një përleshje mes dy fëmijëve, sepse, sipas Rutte, disa vende i bëjnë shpesh pyetjen nëse SHBA do të vazhdojë të qëndrojë në NATO.
“Dhe unë thashë: kjo tingëllon pak si një fëmijë i vogël që i thotë babait të tij, ‘hej, do të rrish ende me familjen?’ Pra, në këtë kontekst e përdora fjalën ‘baba’, jo që e quajta Presidentin Trump ‘baba’,” shtoi ai.
Komente të tjera nga Rutte:
Më herët, Rutte dha një përshkrim mjaft të gjallë të mënyrës sesi Trump po e trajton krizën në Lindjen e Mesme gjatë bisedimeve të tyre sot.
Pasi Trump krahasoi palët ndërluftuese – në këtë rast Izraelin dhe Iranin – me “dy fëmijë në oborrin e shkollës”, Rutte ndërhyri me një krahasim të vetin:
“Atëherë babai duhet ndonjëherë të përdorë një gjuhë të ashpër,” tha ai.
Më vonë, Rutte e hodhi poshtë një pyetje në lidhje me qasjen e tij të konsideruar “të dobët” dhe “përulëse” ndaj Trump, duke e cilësuar si “çështje shijeje”, pasi e kishte përmendur presidentin amerikan si “babi”./ CNN
Mikpritja zyrtare u bë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe Kryeministri holandez, Dick Schoof. Liderët e vendeve anëtare u mblodhën për foton familjare përpara nisjes së punimeve të Samitit në Hagë.
Kryeministri Edi Rama është vendosur në rreshtin e parë të fotos, pranë Kryeministrit të Holandës.
Presidenti amerikan Donald Trump e krahasoi sulmin amerikan ndaj centralit bërthamor Fordow të Iranit me Hiroshimën dhe Nagasaki-n. Sipas tij, ky sulm i dha fund luftës 12 ditore me Izraelin.
"Sulmi në Fordow i dha fund luftës, ishte në thelb i njëjtë me Hiroshimën dhe Nagasaki-n. Brenda, gjithçka u shemb, tunelet u shembën, askush nuk mund të hyjë brenda dhe të shohë", tha ai.
Presidenti amerikan u pyet gjithashtu në lidhje me kërcënimet e Iranit për të vazhduar pasurimin e uraniumit.
"Gjëja e fundit që ata duan të bëjnë është të pasurojnë diçka tani. Ata duan të rimëkëmben. Ne nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë", tha Trump.
I pyetur se për sa kohë besonte se sulmet e SHBA-së e kishin penguar programin bërthamor të Iranit, Trump u përgjigj: "Unë në thelb besoj për dekada të tëra".
Foli gjithashtu edhe për Gazën, teksa tha se po bëhet përparim i madh.
"Mendoj se po bëhet përparim i madh në Gaza, mendoj për shkak të këtij sulmi që kemi nisur", tha Trump, duke nënkuptuar se sulmet e SHBA-së ndaj Iranit mund të kenë një ndikim pozitiv në situatën në Gaza.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka pasur një bisedë të gjatë me presidentin rus Vladimir Putin, gjatë së cilës ky i fundit i ka ofruar ndihmë në lidhje me situatën me Iranin.
“Kam folur shumë me Putinin dhe më pyeti nëse kisha nevojë për ndihmë për Iranin. I thashë që kam nevojë për ndihmë për Rusinë. I thashë: më bëj një nder, na ndihmo me Rusinë, jo me Iranin. Por ishte shumë i sjellshëm”, u shpreh Trump gjatë një deklarate për mediat bashkë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në ditën e dytë të samitit të NATO-s në Hagë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi sot se arritja e objektivit të ri për të çuar shpenzimet e mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) nuk do të kishte qenë e mundur pa presidentin amerikan, Donald Trump.
“Kur u bë president në vitin 2016–2017, ai i detyroi evropianët dhe kanadezët të paguajnë më shumë. Rezultati i asaj faze ishte një rritje e përgjithshme prej 1 mijë miliardë dollarësh në shpenzimet për mbrojtjen nga ana e vendeve evropiane dhe Kanadasë,” tha Rutte gjatë një deklarate për mediat në Hagë, në krah të presidentit amerikan, në ditën e dytë të samitit të NATO-s.
Ai shtoi se në fazën e dytë, kur Trump u rikthye në detyrë në janar të vitit të kaluar, të gjitha vendet që nuk e kishin arritur ende pragun e 2% të PBB-së, tani janë angazhuar për ta realizuar atë. “Ky ishte objektivi i vendosur në Uells në vitin 2014. Shtatë vende nuk e kishin arritur ende dhe disa mendonin se do ta arrinin rreth vitit 2030. Tani, këtë vit, të gjithë – përfshirë Kanadanë, Italinë dhe Belgjikën – janë zotuar ta arrijnë këtë objektiv.”
Rutte deklaroi se: “NATO do të vendosë në mënyrë unanime që vendet të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të prodhimit të brendshëm bruto.”
Ai theksoi gjithashtu se kjo nismë synon një ndarje më të drejtë të barrës financiare brenda aleancës: “Kjo ka të bëjë me faktin që evropianët dhe kanadezët të paguajnë më shumë, dhe jo taksapaguesit amerikanë.”
“Ne do të vendosim sot të arrijmë në 5%. Kjo është për të garantuar sigurinë tonë dhe për t’u mbrojtur nga kundërshtarët, por edhe për të qenë të barabartë me Shtetet e Bashkuara,” theksoi Rutte. “Me këtë 5%, evropianët dhe kanadezët do të përputhin shpenzimet e tyre të mbrojtjes me ato të SHBA-ve. Pra, nuk bëhet fjalë që të paguajnë më shumë taksapaguesit amerikanë, por evropianët dhe kanadezët", tha Rutte.
“Disa mund të më kritikojnë për këtë,” tha ai, “por kur flas me ta, të gjithë më thonë: po, ke të drejtë. Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse Trump nuk do të ishte zgjedhur në 2016, rizgjedhur vitin e kaluar dhe nuk do të ishte kthyer në detyrë në janar.”
Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se është “shumë krenar” për Izraelin dhe Iranin që ranë dakord për një armëpushim.
Duke folur gjatë samitit të NATO-s në Hagë, në Holandë, Trump e cilësoi armëpushimin si “shumë të mirë”.
I pyetur për raportet e inteligjencës amerikane që sugjerojnë se sulmet nuk shkatërruan plotësisht objektet bërthamore të Iranit, Trump nuk ra dakord dhe tha se ato ishin “shkatërrim pothuajse total”.
“Besoj se ishte shkatërrim i plotë. Mendoj se ata nuk patën asnjë mundësi të nxirrnin asgjë, sepse ne vepruam shpejt. Është shumë e vështirë dhe shumë e rrezikshme të largosh një material të tillë,” shtoi ai.
“Ishte shkatërrim,” nënvizoi Trump.
Presidenti amerikan u pyet gjithashtu për kërcënimet e Iranit për të vijuar pasurimin e uraniumit dhe tha: “Gjëja e fundit që duan të bëjnë tani është të pasurojnë diçka. Ata duan të rikuperohen. Ne nuk do ta lejojmë këtë.”
Në samitin e NATO-s në Hagë, Presidenti i SHBA Donald Trump foli së bashku me Sekretarin Mark Rutte dhe donte t'i siguronte aleatët e tij për Nenin 5: "Ne do të jemi me ta. Dhe NATO do të jetë e fortë."
Por çfarë është saktësisht Neni 5?
Neni 5 është gurthemeli i Aleancës. Do të thotë që një sulm ndaj njërit vend anëtar është një sulm ndaj të gjithëve. Ky nen është përdorur vetëm një herë në historinë 70-vjeçare të Aleancës: pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara.
Kur u nënshkrua në vitin 1949, qëllimi i Traktatit të Atlantikut të Veriut - mbi të cilin u themelua NATO - ishte të krijonte një pakt ndihme të ndërsjellë. Në atë kohë (dhe gjithmonë e rëndësishme sot), kjo ishte për të kundërshtuar rrezikun që Bashkimi Sovjetik do të kërkonte të zgjeronte kontrollin e tij mbi Evropën Lindore në të gjithë kontinentin.
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani është pjesë e delegacionit zyrtar të kryesuar nga Kryeministri Edi Rama në Samitin e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s.
Ai mori pjesë në Takimin e Këshillit NATO-Ukrainë, dedikuar diskutimit për situatën në Ukrainë, ku është takuar gjithashtu me Sekretarin e Shtetit të SHBA, Marco Rubio; me Përfaqësuesen e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, njëherësh Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas; me homologë nga vendet anëtare të BE-së dhe vendeve kandidate etj.
Përmes një publikimi në rrjetin e tij social, Ministri Hasani shprehet se:
“Gjatë takimit të Këshillit NATO–Ukrainë në Hagë, riafirmova mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën, vlerësova rolin udhëheqës të SHBA-së për zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme, si dhe theksova rolin thelbësor të një shtylle të fortë evropiane për unitetin dhe qëndrueshmërinë e Aleancës.”
Në margjinat e Samitit të NATO-s në Hagë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani do të zhvillojë takime dypalëshe me homologë të vendeve aleate dhe do të marrë pjesë në aktivitete të samitit ku në fokus do të jetë siguria dhe stabiliteti euroatlantik.
Komente
