Bota

Samiti i NATO-s, Trump: Sot marrim vendime të rëndësishme, aleanca do jetë më e fortë! Rutte: I bindur që do votojmë për rritjen e buxhetit të mbrojtjes në 5%

25 Qershor, 07:44| Përditesimi: 25 Qershor, 12:49

  • Share

Në ditën e dytë të samitit të NATO-s që po mbahet në Hagë, ku po marrin pjesë 32 liderët e vendeve të aleancës, Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte shprehu bindjen se do të votojnë unanimisht për rritjen e buxhetit në mbrojtje në 5%, kërkesë e parashtruar nga presidenti amerikan Donald Trump.

Sipas tij, aleatët nuk do të kishin rënë dakord të rrisnin shpenzimet e mbrojtjes në 5% pa Trump në Shtëpinë e Bardhë.

"Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të ishit zgjedhur në vitin 2016 dhe rizgjedhur vitin e kaluar dhe përsëri në detyrë në janar.", u shpreh ai duke folur për mediat bashkë me presidentin amerikan.

Trump komentoi armëpushimin Izrael-Iran, duke thënë se po shkon mirë. Teksa e cilësoi një fitore të madhe sulmin që kreu në Iran, tha se ky i fundit s’mund të ketë një armë bërthamore. 

“Gjëja e fundit që duhet të bëjë Irani është rifillimi i programit nuklear. Tani ata duan të rimarrin veten. Irani nuk ka për të pasur një bombë bërthamore. Patëm një fitore të madhe në Iran. Fitorja ishte edhe për Iranin. Izraeli u godit rëndë ditët e fundit. Netanyahu duhet të jetë krenar për veten”, tha Trump.

Presidenti amerikan tha se sot do të marrin vendime të rëndësishme ndërsa foli edhe për nenin 5 të aleancës, që do të thotë se një sulm ndaj njërit vend anëtar është një sulm ndaj të gjithëve, teksa u shpreh: "Ne do të jemi me ta (aleatët). Dhe NATO do të jetë e fortë."

Konfirmoi gjithashtu se do të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. "Ai ka disa vështirësi të vogla. Zelensky është një djalë i mirë. Do ta takoj sot.", tha Trump.

Fokusi i këtij samiti do të jetë tek një sërë çështjesh të rëndësishme me të cilat përballet aleanca. Rritja e investimeve në mbrojtje është tema më e rëndësishme si edhe mbështetja ndaj Ukrainës.

Lajm në përditësim...

Ora 12:36
Fotoja familjare përpara nisjes së punimeve të Samitit të NATO-s në Hagë! Rama në rreshtin e parë pranë Kryeministrit të Holandës

1750847823_WhatsAppImage20250625at12.22.29PM1.jpeg

Mikpritja zyrtare u bë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe Kryeministri holandez, Dick Schoof. Liderët e vendeve anëtare u mblodhën për foton familjare përpara nisjes së punimeve të Samitit në Hagë.

Kryeministri Edi Rama është vendosur në rreshtin e parë të fotos, pranë Kryeministrit të Holandës.

Ora 11:19
Trump: Sulmi në Fordow njësoj si në Hiroshima, i dha fund luftës me Izraelin! Gaza? Po bëjmë përparim të madh

1750843201_trump.JPG

Presidenti amerikan Donald Trump e krahasoi sulmin amerikan ndaj centralit bërthamor Fordow të Iranit me Hiroshimën dhe Nagasaki-n. Sipas tij, ky sulm i dha fund luftës 12 ditore me Izraelin. 

"Sulmi në Fordow i dha fund luftës, ishte në thelb i njëjtë me Hiroshimën dhe Nagasaki-n. Brenda, gjithçka u shemb, tunelet u shembën, askush nuk mund të hyjë brenda dhe të shohë", tha ai.

Presidenti amerikan u pyet gjithashtu në lidhje me kërcënimet e Iranit për të vazhduar pasurimin e uraniumit. 

"Gjëja e fundit që ata duan të bëjnë është të pasurojnë diçka tani. Ata duan të rimëkëmben. Ne nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë", tha Trump.

I pyetur se për sa kohë besonte se sulmet e SHBA-së e kishin penguar programin bërthamor të Iranit, Trump u përgjigj: "Unë në thelb besoj për dekada të tëra". 

Foli gjithashtu edhe për Gazën, teksa tha se po bëhet përparim i madh. 

"Mendoj se po bëhet përparim i madh në Gaza, mendoj për shkak të këtij sulmi që kemi nisur", tha Trump, duke nënkuptuar se sulmet e SHBA-së ndaj Iranit mund të kenë një ndikim pozitiv në situatën në Gaza.
 

Ora 11:09
Trump: Putin ishte shumë i sjellshëm, më ofroi ndihmë për Iranin, por i thashë se më duhet për Rusinë

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka pasur një bisedë të gjatë me presidentin rus Vladimir Putin, gjatë së cilës ky i fundit i ka ofruar ndihmë në lidhje me situatën me Iranin.

“Kam folur shumë me Putinin dhe më pyeti nëse kisha nevojë për ndihmë për Iranin. I thashë që kam nevojë për ndihmë për Rusinë. I thashë: më bëj një nder, na ndihmo me Rusinë, jo me Iranin. Por ishte shumë i sjellshëm”, u shpreh Trump gjatë një deklarate për mediat bashkë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në ditën e dytë të samitit të NATO-s në Hagë.

Ora 10:55
Samiti i NATO-s/ Rutte: Vendet do të bien dakord unanimisht për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5%

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi sot se arritja e objektivit të ri për të çuar shpenzimet e mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) nuk do të kishte qenë e mundur pa presidentin amerikan, Donald Trump.

“Kur u bë president në vitin 2016–2017, ai i detyroi evropianët dhe kanadezët të paguajnë më shumë. Rezultati i asaj faze ishte një rritje e përgjithshme prej 1 mijë miliardë dollarësh në shpenzimet për mbrojtjen nga ana e vendeve evropiane dhe Kanadasë,” tha Rutte gjatë një deklarate për mediat në Hagë, në krah të presidentit amerikan, në ditën e dytë të samitit të NATO-s.

Ai shtoi se në fazën e dytë, kur Trump u rikthye në detyrë në janar të vitit të kaluar, të gjitha vendet që nuk e kishin arritur ende pragun e 2% të PBB-së, tani janë angazhuar për ta realizuar atë. “Ky ishte objektivi i vendosur në Uells në vitin 2014. Shtatë vende nuk e kishin arritur ende dhe disa mendonin se do ta arrinin rreth vitit 2030. Tani, këtë vit, të gjithë – përfshirë Kanadanë, Italinë dhe Belgjikën – janë zotuar ta arrijnë këtë objektiv.”

Rutte deklaroi se: “NATO do të vendosë në mënyrë unanime që vendet të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të prodhimit të brendshëm bruto.”

Ai theksoi gjithashtu se kjo nismë synon një ndarje më të drejtë të barrës financiare brenda aleancës: “Kjo ka të bëjë me faktin që evropianët dhe kanadezët të paguajnë më shumë, dhe jo taksapaguesit amerikanë.”

“Ne do të vendosim sot të arrijmë në 5%. Kjo është për të garantuar sigurinë tonë dhe për t’u mbrojtur nga kundërshtarët, por edhe për të qenë të barabartë me Shtetet e Bashkuara,” theksoi Rutte. “Me këtë 5%, evropianët dhe kanadezët do të përputhin shpenzimet e tyre të mbrojtjes me ato të SHBA-ve. Pra, nuk bëhet fjalë që të paguajnë më shumë taksapaguesit amerikanë, por evropianët dhe kanadezët", tha Rutte. 

“Disa mund të më kritikojnë për këtë,” tha ai, “por kur flas me ta, të gjithë më thonë: po, ke të drejtë. Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse Trump nuk do të ishte zgjedhur në 2016, rizgjedhur vitin e kaluar dhe nuk do të ishte kthyer në detyrë në janar.”

Ora 10:48
Trump: Jam shumë krenar për armëpushimin në Lindjen e Mesme, sulmet ndaj Iranit ishin një sukses i madh

Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se është “shumë krenar” për Izraelin dhe Iranin që ranë dakord për një armëpushim.

Duke folur gjatë samitit të NATO-s në Hagë, në Holandë, Trump e cilësoi armëpushimin si “shumë të mirë”.

I pyetur për raportet e inteligjencës amerikane që sugjerojnë se sulmet nuk shkatërruan plotësisht objektet bërthamore të Iranit, Trump nuk ra dakord dhe tha se ato ishin “shkatërrim pothuajse total”.

“Besoj se ishte shkatërrim i plotë. Mendoj se ata nuk patën asnjë mundësi të nxirrnin asgjë, sepse ne vepruam shpejt. Është shumë e vështirë dhe shumë e rrezikshme të largosh një material të tillë,” shtoi ai.

“Ishte shkatërrim,” nënvizoi Trump.

Presidenti amerikan u pyet gjithashtu për kërcënimet e Iranit për të vijuar pasurimin e uraniumit dhe tha: “Gjëja e fundit që duan të bëjnë tani është të pasurojnë diçka. Ata duan të rikuperohen. Ne nuk do ta lejojmë këtë.”

Ora 10:37
Trump: NATO do të jetë e fortë! Neni 5? Ne do të jemi me aleatët tanë

1750840796_10360427009d889e17cee47e7a050c6661cc381ac.webp

Në samitin e NATO-s në Hagë, Presidenti i SHBA Donald Trump foli së bashku me Sekretarin Mark Rutte dhe donte t'i siguronte aleatët e tij për Nenin 5:  "Ne do të jemi me ta. Dhe NATO do të jetë e fortë."

Por çfarë është saktësisht Neni 5?

Neni 5 është gurthemeli i Aleancës. Do të thotë që një sulm ndaj njërit vend anëtar është një sulm ndaj të gjithëve. Ky nen është përdorur vetëm një herë në historinë 70-vjeçare të Aleancës: pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara.

Kur u nënshkrua në vitin 1949, qëllimi i Traktatit të Atlantikut të Veriut - mbi të cilin u themelua NATO - ishte të krijonte një pakt ndihme të ndërsjellë. Në atë kohë (dhe gjithmonë e rëndësishme sot), kjo ishte për të kundërshtuar rrezikun që Bashkimi Sovjetik do të kërkonte të zgjeronte kontrollin e tij mbi Evropën Lindore në të gjithë kontinentin.

Ora 10:35
Hasani në samitin e NATO-s, takohet me Rubion: Vlerësojmë rolin udhëheqës të SHBA-së në zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme

1750840583_WhatsAppImage20250625at09.59.45.jpeg

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani është pjesë e delegacionit zyrtar të kryesuar nga Kryeministri Edi Rama në Samitin e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s. 

Ai mori pjesë në Takimin e Këshillit NATO-Ukrainë, dedikuar diskutimit për situatën në Ukrainë, ku është takuar gjithashtu me Sekretarin e Shtetit të SHBA, Marco Rubio; me Përfaqësuesen e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, njëherësh Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas; me homologë nga vendet anëtare të BE-së dhe vendeve kandidate etj. 

Përmes një publikimi në rrjetin e tij social, Ministri Hasani shprehet se: 

“Gjatë takimit të Këshillit NATO–Ukrainë në Hagë, riafirmova mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën, vlerësova rolin udhëheqës të SHBA-së për zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme, si dhe theksova rolin thelbësor të një shtylle të fortë evropiane për unitetin dhe qëndrueshmërinë e Aleancës.” 

Në margjinat e Samitit të NATO-s në Hagë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani do të zhvillojë takime dypalëshe me homologë të vendeve aleate dhe do të marrë pjesë në aktivitete të samitit ku në fokus do të jetë siguria dhe stabiliteti euroatlantik.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se rinumërimi i pothuajse gjysmës së votave është farsë e kotë?