Ministrja Manstirliu duke ndjekur nga afër procesin e vaksinimit

Kronikë

Dita e dytë e vaksinimit masiv/ Manastirliu: Këtë javë mbyllim vaksinimin e arsimtarëve! Drejtoresha e AKSHI-t: Në e-Albania kërkesë online për t’u vaksinuar

29 Mars 2021, 16:31| Përditesimi: 29 Mars 2021, 18:40

  • Share

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka parë nga afër procesin e vaksinimit në Stadiumin “Air Albania”, ku po vijon me kalendar të kombinuar për pedagogët, paralelisht me dozat e dyta për stafin mjekësor dhe të moshuarit.

“Po vijojmë me vaksinën Pfizer, Astraxzeneca dhe Sputnik këtu në stadiumin Air Albania për arsimtarët si dhe rivaksinimet për personelin shëndetësor dhe të moshuarit. Është shumë e rëndësishme për të përmbyllur vaksinimin e arsimtarëve, kjo javë duhet ti dedikohet përmbylljes së vaksinimit të mësuesve, pedagogëve, edukatorëve dhe vijojmë më tej me vaksinimin e të moshuarve”, deklaroi Manastirliu.

Drejtoresha e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor Mirela Cami, tha se procesi i vaksinimit në këtë pikë të përqendruar, ka vijuar pa u ndalur që prej ditës së parë.

“Në Stadiumin Air Albania po vijon vaksinimi i stafit mjekësor dhe i të moshuarve për dozat e dyta dhe dozat e para për pedagogët dhe arsimtarët. Vaksinimi ka vijuar pa ndërprerje nga dita e parë”, tha Cami.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, ndërsa postoi në Facebook foto të të moshuarve duke marrë dozën e vaksinës, shkruan se nuk ka patur asnjë kënaqësi më të madhe se sa ky lehtësim i gjysheve e gjyshërve, pas një viti ankth nga pandemia.

Dje filloi vaksinimi masiv i të moshuarve +70 vjeç në sheshin Skenderbej, pas marrjes së 192 mijë dozave të vaksinës kineze.

Ndërkohëm që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total mbi 78 mijë doza të vaksinës ndaj COVID19. Janë kryer 31,645 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 26,158 vaksinime për të moshuarit dhe 20,582 arsimtarë janë vaksinuar deri tani.

Ora 17:42
Rama poston fotot e të moshuarve duke u vaksinuar: S'kam patur kënaqësi më të madhe në jetën time politike

Ndërsa vijon vaksinimi masiv kundër koronavirusit në vend, kryeministri Edi Rama ka publikuar fotot e disa të moshuarve duke marrë dozën e tyre.

Në Facebook, Rama shkruan se në jetën e tij politike, nuk ka patur asnjë kënaqësi më të madhe se sa ky lehtësim i gjysheve e gjyshërve, pas një viti ankth nga pandemia.

"Asnjë kënaqësi më të madhe s'kam pasur në jetën time politike, se sa kjo e lehtësimit të shpirtit të gjysheve e gjyshërve të këtij vendi, pas një viti ankth në tunelin e pandemisë, prej ku tanimë filluam të dalim

*Tropojë, Dibër, Shkodër, Krujë, Berat, Vlorë, Lushnje, Sarandë, Ersekë, Tepelenë, Përmet, Malësi e Madhe, etj", shkruan kryeministri.

Vaksinimi masiv i të moshuarve mbi 70-vjeç nisi ditën e djeshme në sheshin "Skenderbej", pas marrjes së 192 mijë dozave të vaksinës kineze.

 

Ora 12:43
Manastirliu ndjek procesin në sheshin ‘Skënderbej’: Kontaktoni mjekun e familjes ose aplikoni për vaksinim në portalin e-Albania

Ka vijuar edhe sot në ditën e dytë vaksinimi masiv i të moshuarve +70 vjeç në sheshin Skenderbej. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit në shesh, ku ka theksuar se procesi po shtrihet në të gjithë vendin.

“Vaksinimi vijon në të gjitha qyetetet, ne jemi shtrirë në mënyrë kapilare në të gjitha qendrat shëndetësore, por edhe në qendrat e vaksinimit të përqëndruar në të gjitha rrethet. Ne dje kemi arritur të vaksinojmë 11487 persona dhe kemi arritur atë targetin e vendosur dhe sigurisht objektivi ynë është të kalojmë 10 mijë vaksinime në ditë. Në tërësi kemi mbi 78 mijë vaksinime të kryera, procesi po ecën shpejt, sidomos në qendrat e vaksinimit të përqendruar”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha për mediat se është shumë e rëndësishme që të regjistrohen të gjitha kërkesat për vaksinim që asnjë qytetar të mos mbetet pa u njoftuar dhe pa u vaksinuar.

“Për të gjithë qytetarët që kanë nevojë të informohen se kur do të jetë radha e tyre e vaksinimit, nëse ende nuk e kanë marrë këtë njoftim duhet të kontaktojnë mjekun e familjes, për të bërë kërkesën për vaksinim. Ose të aplikojnë në portalin e-Albania me një kërkesë të thjeshtë për aplikim dhe do të njoftohen me telefon nga mjeku i familjes apo mesazh për ditën dhe orën e vaksinimit si dhe vendin e vaksinimit”, tha Manastirliu.

Duke folur për organizimin e procesit të vaksinimit, Manastirliu tha: “Kemi vendosur që për arsye të lehtësimit dhe për qytetarët të cilët janë në një moshë +85 vjeç, vaksinimi të kryhet pranë qendrave shëndetësore, që të jenë afër vendbanimit. Kurse për grupmoshën +70 vjeç, të ndara sipas fashave të ndryshme, të jetë në pikat e vaksinimit të qendërzuara”.

Deri tani janë kryer mbi 78 mijë vaksinime në të gjithë vendin.

Procesi i vaksinimit masiv ka nisur ditën e djeshme pas marrjes së një doze të konsiderueshme të dozave të vaksinës “Sinovac”.

Ora 09:32
Drejtoresha e AKSHI-t, Karçanaj: Në e-Albania kërkesë online për t’u vaksinuar kundër COVID-19

Në platformën e-Albania tashmë mund të bëhet kërkesë online për t’u vaksinuar kundër COVID-19.

Lajmi bëhet i ditur nga drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku shpjegon procedurën e thjeshtë online, që zgjat vetëm pak sekonda, e krijuar për të lehtësuar qytetarët.

“Erdhi momenti që aq shumë kemi pritur dhe për të cilin kemi punuar fort. Me nisjen e vaksinimit masiv, tashmë qytetarët bëjnë kërkesë në platformën e-Albania për t’u vaksinuar ndaj Covid 19”, shkruan Karçanaj, në postimin e saj në Facebook.

Drejtoresha e AKSHI-t sqaron qytetarët se menjëherë pas kryerjes së aplikimit në e-Albania, do të njoftohen me mesazh ose përmes mjekut të familjes për datën e vaksinimit.

“Me një ndalesë online, në pak sekonda kryhet e gjithë procedura. Qytetarët do të njoftohen përmes një SMS-je në celular ose do të kontaktohen nga mjeku i familjes për datën e vaksinimit. E-Albania është krijuar për të lehtësuar jetët e gjithkujt dhe ky shërbim, në këtë moment, është lehtësia më e madhe për këdo!”, thekson Linda Karçanaj.

Vaksinimi masiv i qytetarëve ka nisur gjatë ditës së djeshme në të gjithë vendin pas marrjes së një sasie të konsiderueshme të vaksinës kineze 'Sinovac'.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?