Grevë urie dhe bojkotim të plotë të punës kanë paralajmëruar punonjësit e “Bankers Petroleum” teksa kanë protestuar për të dytën ditë radhazi para zyrave të kompanisë në Marinzë. Me pankarta në duar, fishkëllima bilbilash dhe thirrjet në kor “Poshtë hajdutët” ata kanë kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre. Kreu i Sindikatës së sektorit hidrokarbur, Dritan Shahu, në fjalën e tij ka kërkuar rritje pagash, trajtim ushqimor e shëndetësor si dhe ndalimin e arrogancës nga ana e drejtuesve të kompanisë.
Kjo fushë është e jona dhe na takon ne, ka thënë në fjalën e tij sindikalisti Dritan Rrapushi. Ne nuk do të dorëzohemi dhe të bashkuar do t’i bëjmë ballë çfarëdo lloj presioni dhe do të arrijmë atë që na takon me të drejtë, ka theksuar ai ndër të tjerash.
Ne nuk do të kryqëzojmë duart nëse kërkesat tona nuk do të merren parasysh, kanë thënë protestuesit.
Naftëtarët kërkuan ulje në tryezë për arritjen e një marrëveshjeje të përbashkët, teksa paralajmëruan se, në të kundërt, nuk do të ketë zgjatje të kontratës pa u firmosur një marrëveshje e re që garanton të drejtat e tyre.
Komente
