Kronikë

Dita e Europës, Meta: Do ishin në BE nëse politika nuk do kishte krijuar pengesa artificiale në gjithë këto vite tranzicioni

9 Maj 2021, 09:47| Përditesimi: 9 Maj 2021, 14:59

  • Share

Presidenti Ilir Meta ka kërcënuar edhe në urimin e bërë për Ditën e Europës, duke u shprehur se për faj të përfaqësuesve të partive politike, vendi ndodhet edhe në regjim hibrid duke krijuar pengesa artificiale për integrimin në BE. Sipas Metës në këto vite tranzicioni vendi ka patur mundësi për t'u bërë si gjithë Europa, por kjo do të ndodhë kur përfaqësuesit e partive politike të mendojnë për t'i dhënë forcë zërit të rinisë dhe të garantojnë shanse të barabarta për një të ardhme në Shqipëri.

"Vokacioni dhe identiteti europian i popullit shqiptar është përcaktuar nga Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Shekuj më vonë, Shqipëria u bë viktima e parë e nazifashizmit në Europë, por u rreshtua në anën e duhur të historisë, për të dhënë një kontribut të rëndësishëm, duke filluar nga vetja dhe vijuar me çlirimin e popujve të tjerë, në mënyrë që të vinte 9 maji i 1945.

E izoluar dhe e harruar për dekada nën regjimin më të egër diktatorial të kontinentit, Shqipëria e përqafoi fuqimisht mesazhin e 9 Majit me përmbysjen e atij regjimi shtypës të lirive dhe të drejtave të njeriut, për t'ju përkushtuar në emër të tyre dhe të dinjitetit njerëzor, të paqes dhe progresit shoqëror, të vetmit objektiv dhe projekti gjithëpërfshirës për të cilin vendi ynë dhe i gjithë rajoni ka nevojë, anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Në të gjithë këto vite tranzicioni kemi patur mundësi të jashtëzakonshme jo vetëm për ta realizuar aspiratën e Studentëve të Dhjetorit '90 "E duam Shqipërinë, si gjithë Europa", por për ta bërë Shqipërinë, si gjithë Europa.

Kjo do të ndodhë kur të gjithë përfaqësuesit e partive politike të mendojnë dhe të veprojnë për t'i dhënë forcë zërit të rinisë, duke iu garantuar mundësi dhe shanse të barabarta për të ndërtuar të ardhmen e sigurt europiane në Atdheun e tyre, për të ndalur njëherë e përgjithmonë atë që me të drejtë Papa Françesku e ka cilësuar si "dimri demografik", dramën më të madhe të vendit.

Është koha të ndihmojmë qytetarët tanë dhe Shqipërinë të çlirohet nga çdo formë e regjimeve hibride, për të ecur më shpejt, pa pengesa artificiale, drejt çeljes së negociatave dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian. GËZUAR DITËN E EUROPËS!", shkruan Meta


Lajmi kryesor:

Sot Dita e Europës, Rama uron me video! Meta: Do ishin në BE nëse politika s'do kishte krijuar pengesa artificiale! Soreca: Integrimi i Shqipërisë në BE tashmë po ndodh


  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?