Kronikë

Dita e Europës: Soreca: Europa një histori e fillimeve të reja! Integrimi i Shqipërisë në BE tashmë po ndodh (VIDEO)

9 Maj 2021, 11:35| Përditesimi: 9 Maj 2021, 19:24

  • Share

Në Ditën e Europës, ambasadori i BE, Luigi Soreca është ndalur te pandemia e COVID dhe domosdoshmëria për t'i dhënë fund asaj, si një mënyrë për të formësuar një fillim të ri për të gjithë europianët. Nëpërmjet një video mesazhi nga veriu i Shqipërisë, Soreca thotë se edhe Shqipërisë, sikurse Europës, i duhet pikërisht të fitojë luftën me COVID-19, duke shtuar se thirrja e BE për veprim është se 'Askush nuk është i sigurt, pa qenë të gjithë të sigurt'.

"Sot është Dita e Europës, unë ndodhem këtu në veri të Shqipërie për të nisur turin e takimeve 3 javorë që do zhvillohen në të gjithë vendin. Viti që po lëmë pas, ka qenë si asnjë më parë, Pandemia ka ndikuar në çdo aspekt të jetës. Kemi kaluar përvoja të vështira personale, sëmundje të dhimbshme, Shumë nga ju kanë patur vështirësi ekonomike dhe humbjen e njerëzve të dashur. Po, në të njëjtën kohë kemi parë shembuj të shkëlqyer qëndrueshmërie dhe mbështetje. Ato çaste janë zbuluar bujarinë e atyre që kanë ndërhyrë për të ndihmuar. Gjithmonë në situata të vështira, kupton se ku mund të mbështetesh. Europa është një histori e fillimeve të reja. Dhe kjo është ajo çka Europës, përfshirë Shqipërinë, i duhet tani. t'i japë fund pandemisë dhe të formësojmë një fillim të ri për të gjithë europianët, Kjo është përgjegjësia jonë e përbashkët. 'Askush nuk është i sigurt, pa qenë të gjithë të sigurt', kjo është thirrja jonë e përbashkët për veprim", thuhet mes të tjerash në mesazhin e Sorecës.  

 

Mesazhi i plotë i Sorecës:

Sot është Dita e Evropës. Unë ndodhem këtu, në veri të Shqipërisë, për të nisur tri javë veprimtarish dhe takimesh që do të zhvillohen në mbarë vendin.

Viti që po lëmë pas ka qenë si asnjë tjetër më parë. Pandemia ka prekur çdo aspekt të jetës sonë. Kemi kaluar përvoja të vështira personale, sëmundje të dhimbshme, shumë prej jush kanë pësuar vështirësi ekonomike dhe humbjen e njerëzve të dashur.

Por, në të njëjtën kohë, kemi parë shembuj të shkëlqyer qëndrueshmërie dhe mbështetjeje. Ato çaste kanë zbuluar bujarinë e atyre që kanë ndërhyrë për të ndihmuar. Gjithmonë në situatat më të vështira e kupton se te kush mund të mbështetesh.

Evropa është një histori e fillimeve të reja. Dhe kjo është ajo çka Evropës, përfshirë Shqipërinë, i duhet tani. T'i japë fund pandemisë dhe të formësojë një fillim të ri për të gjithë evropianët. Kjo është përgjegjësia jonë e përbashkët. Ne duhet ta kapërcejmë këtë krizë të gjithë së bashku dhe të ofrojmë një fillim të ri për të ardhmen e qytetarëve evropianë.

Që nga shpërthimi i pandemisë, BE-ja ka qenë krah për krah me Shqipërinë për të përballuar krizën shëndetësore dhe ekonomike. “Askush nuk është i sigurt pa qenë të gjithë të sigurt” është thirrja jonë e përbashkët për veprim.

Brenda një viti, BE-ja i ka dhënë Shqipërisë më shumë se 4 milionë euro pajisje mjekësore të reja. Spitalet shqiptare tashmë janë në një gjendje shumë më të mirë se sa një vit më parë.

Këtu dua të shpreh mirënjohjen për përpjekjet mbresëlënëse të bëra nga stafi mjekësor dhe ndihmësmjekësor shqiptar. Faleminderit edhe një herë të gjithëve ju për përkushtimin dhe sakrificën tuaj!

BE-ja ka dhuruar gjithashtu më shumë se 50 milionë euro për të ndihmuar bizneset e vogla dhe bashkitë, si dhe për të mbështetur trajnimet, në mënyrë që të rinjtë shqiptarë të gjejnë punë në vendin e tyre. Më pas, para një muaji, ne disbursuam gjithashtu 90 milion Eurot e para të ndihmës sonë makro-financiare.

Në Delegacionin e BE-së në Shqipëri ne kemi punuar pa u lodhur për të mundësuar një dhurim të përgjithshëm prej më shumë se 230 milionë eurosh për ta ndihmuar Shqipërinë të trajtojë pandeminë.

E gjithë kjo ka qenë një përpjekje e jashtëzakonshme solidariteti nga BE-ja dhe të gjitha Shtetet tona Anëtare. Si Ekipi Evropa ne qëndruam përkrah Shqipërisë dhe pjesës tjetër të botës.

Përfshirë vaksinat. Ndërsa të tjerët e mbajnë prodhimin e vaksinave për vete, Ekipi Evropa është eksportuesi kryesor i vaksinave në të gjithë botën dhe një nga kontribuesit më të mëdhenj të COVAX-it. Deri tani, më shumë se 200 milionë doza vaksinash të prodhuara në Evropë janë dërguar në pjesën tjetër të botës. Ndërsa këtë javë, grupi i parë prej 145.000 vaksinash Pfizer, të paguara nga BE-ja, ka mbërritur në Tiranë me vizitën e Komisionerit Várhelyi.

Kjo është një tjetër dëshmi se Evropa është këtu. Si donatori më i madh në vend, qëllimi ynë është të përmirësojmë jetën e përditshme të shqiptarëve, madje para se Shqipëria të bashkohet me BE-në.

Në vitin e kaluar, më kanë munguar takimet me ju në veprimtaritë tona. Apo thjesht në rrugët e qyteteve dhe fshatrave tuaj. Më kanë munguar vizitat nëpër vendin tuaj të bukur.

Është kjo dëshirë për t'u takuar dhe shkëmbyer me ju që na nisi në udhëtimin e Javëve të Evropës të këtij viti.

Ne duam të vijmë tek ju atje ku jeni. Në qytetet, qytezat dhe fshatrat tuaj, në lugina e në male.

Ne do të udhëtojmë për tri javë, duke u ndaluar çdo ditë në një bashki të ndryshme, shumica e tyre, bashki ku nuk kemi qenë kurrë më parë. Do ta shihni autobusin tonë të BE-së në udhëtim. Bashkohuni me ne! Gjatë tri javëve të ardhshme, duam t'ju dëgjojmë dhe të lidhemi me ju, personalisht.

Ndoshta më keni dëgjuar të them se Evropa është tashmë këtu! Evropa është këtu! Ajo çka kam dashur të them është se integrimi i Shqipërisë në BE tashmë po ndodh, çdo ditë, shumë përpara anëtarësimit!

Ne investojmë në arsim dhe kulturë, sepse besojmë se e ardhmja e Shqipërisë dhe e ardhmja e Evropës do të mbështeten te dija dhe dritësimi.

Ne investojmë te rrugët për t'ju lidhur më mirë me njëri-tjetrin.

Ne investojmë në bujqësi, në sigurinë ushqimore dhe mjedis për të përmirësuar cilësinë e jetës suaj.

Dhe ashtu siç bëhet më një mik në nevojë, ne gjithashtu qëndruam përkrah popullit shqiptar në përpjekjet për rindërtim pas tërmetit dramatik të nëntorit 2019. Ne kemi dhuruar 115 milionë euro për mbi 60 shkolla, shkolla nga të cilat do të përfitojnë 200.000 fëmijë, mësuesit dhe familjet e tyre, si dhe për rehabilitimin e qendrave të trashëgimisë kulturore - një pasuri e jashtëzakonshme për turizmin dhe rritjen e qëndrueshme të vendit.

Sot, ndërsa pandemia po bie në Shqipëri dhe vaksinat po bëhen më të disponueshme, ne duam të shohim përpara me shpresë dhe optimizëm.

Të shohim përpara do të thotë që duam të shohim nisjen sa më shpejt të jetë e mundur të negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian. Vitin e kaluar, Shtetet Anëtare vendosën të hapnin negociatat. Së shpejti ato do të vendosin për fillimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Muajt e fundit kanë treguar përparim të vërtetë në shumë fronte.

Jemi të bindur se tani është koha për ta bërë këtë hap të rëndësishëm.

Ndërkohë, Dita e Evropës sot shënon edhe nisjen e Konferencës për të Ardhmen e Evropës, një udhëtim sfidues për të rikrijuar më të mirën tonë.

Kemi zgjedhur ta arrijmë këtë duke i dëgjuar me të vërtetë evropianët, në një ushtrim unik demokratik mbarë-evropian. Po ashtu edhe shqiptarët, kudo ku jetojnë. Sepse nuk mund të mendohet për të ardhmen e Evropës pa dëgjuar Shtetet e ardhshme Anëtare në Ballkan.

Të dashur miq,

Tani gjendem në Tamarë, një nga zonat më të izoluara të vendit. Megjithatë, edhe këtu, vështrojmë rrugën e BE-së që e bëri këtë luginë të arritshme, pikën kufitare që financuam për të lehtësuar shkëmbimet me Malin e Zi, si dhe pikat e informacionit për turistët te të cilat investuam për të sjellë më shumë vizitorë në këtë pjesë të mahnitshme të Evropës.

Kjo është ajo çka nënkuptoj me Evropa është këtu - për të mbështetur, për të mbrojtur, për të investuar dhe, sot, për të festuar.

Le të dalim së bashku nga kriza, duke dëgjuar njëri-tjetrin, duke u kujdesur për njëri-tjetrin.

Unë jam pranë jush, ne jemi pranë jush!

Iu uroj të gjithëve një Ditë të Evropës 2021 të bukur dhe të sigurt!


Lajmi kryesor:

Sot Dita e Europës, Rama uron me video! Meta: Do ishin në BE nëse politika s'do kishte krijuar pengesa artificiale! Soreca: Integrimi i Shqipërisë në BE tashmë po ndodh


//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?