Politikë

Berisha mbyll fushatën: I shfazuari Rama do i bjerë tavolinës me kokë, më 11 maj rrëzojmë diktaturën! LaCivita: Pushojeni nga puna kryeministrin! Pamjet me dron

9 Maj, 19:17| Përditesimi: 9 Maj, 23:32

  • Share

Tirana ishte ndalesa e fundit e dy partive kryesore të cilat mbyllën fushatën për zgjedhjet e 11 majit. Në ‘Bulevardin e Ri’ u ndal rrugëtimi elektoral i Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj për Shqipërinë Madhështore. Në një miting që nisi me vonesë, PD-ASHM mbylli 30 ditë fushatë duke ripërsëritur zotimet për të ardhur në pushtet pas 12 viteve në opozitë. Aleatët e Berishës nuk mbajtën asnjë fjalim.

Krah udhëheqësit të koalicionit, Sali Berishës, u shfaq konsulenti amerikan i fushatës Chris La Civita me të cilin ka firmosur një kontratë, pagesa e të cilës ende nuk është zbuluar dhe miq personalë të partive popullore në Evrope.

Amerikani Chris LaCivita, i cili bëri thirrje për "të pushuar nga puna më 11 maj Edi Ramën". Ai u shpreh se Shqipëria ndodhet në udhëkryq dhe apeloi për votim masiv.

“Ju keni tani një shans historik. Merrni me vete familjarët, fqinjët, miqtë tuaj, e lëreni pa punë Edi Ramën, pushojeni nga puna. Pse të mos ia besoni të ardhmen e Shqipërisë një mjeku?”, tha LaCivita.

Vetë Berisha, në nisje të fjalës së tij pati këtë falënderim për LaCivita.

“Emri juaj, ekspertiza juaj, u shndërrua me shpejtësi në eliksirin e kësaj fushate, në shpirtin e fitores së saj. Ditën e parë, me konferencën e parë të shtypit, e shkallmove Edi Ramën duke i rënë tavolinës me grushta. Do garantoj se nesër në mëngjes do i bjerë me kokë tavolinës. Por i meriton të gjitha, ne jemi mirënjohës pafundësisht për vendimin që more për të na ndihmuar në një moment kritik për opozitën dhe Shqipërinë”, tha Berisha.

Ndërsa kundërshtari i tij politik, po mbante fjalim në një njëtën kohë në mitingun e tij përmbyllës, Berisha rezervoi këtë sulm për Ramën.

“Ju e dëgjuat me veshët tuaj, ku një njeri i shfazuar dhe i çekuilibruar ju tha se do ju sigurojë një kile farë kungulli, duke u tallur”, tha ai.

Kryedemokrati kërkoi 100 ditë kohë për të transformuar vendin dhe hodhi akuza ndaj mazhorancës qeverisëse se ka braktisur të rinjtë.

“Mos harroni kurrë se me 11 Maj vota është edhe për dinjitetin tuaj. Ju jeni të rinj dinjitozë, ju e dëgjuat me veshët tuaj kur një njeri i shfazuar, kur një njeri i dezekuilibruar, u tha se për mandatin e katërt do u sigurojmë dy kile farë kungulli në një fyerje të madhe për të rinjtë dhe të rejat shqiptare. Sot, njeriu që u afroi ju 2 kg fare kungulli, u ofron ju një apartament për 108 vjet punë. U garantojmë se çdo çift i ri do ketë një çati”, tha Berisha.

Berisha hodhi akuza edhe për gjendjen e fermerëve që i shkaktoi projekti i Ballkanit të Hapur, duke shigjetuar Ramën si autor që ndihmoi "argatin Vuçiç". 100 ditë kohë për ndryshim Berisha u premtoi edhe fermerëve.

“Nuk do ketë vend tjetër që të ketë taksat e ulëta si Shqipëria. Biznesmenë, investitorë nga SHBA, Gjermania, Franca, Greqia, do vërshojnë drejt Shqipërisë. Made in Albania, krenari kombëtare. Në fshat nuk do ketë më diskriminim. Nuk do ketë pension nën 200 euro”, theksoi ai.

Drejt fundit të fjalimit të tij Berisha shprehu si rrallë ndonjëherë, edhe ndjesë për gabimin që kishte bërë në qeverinë e tij, ndaj ish të përndjekurve dhe ish-pronarëve, që nuk morën të gjithë kompensimet që u takonin, duke premtuar se pas 11 majit do e realizonte përfundimisht.

Ai përsëriti se 11 maji nuk është çështje partie apo pushteti personal e Sali Berishës, por për Shqipërinë, teksa premtoi edhe anulimin e ligjeve që ka bërë qeveria Rama, për grabitjen e pronave dhe për investimet strategjike.

“Një mesazh kam për ish-pronarët, të përndjekurit politikë, duke shprehur nderimet më të mëdha, por edhe duke kërkuar ndjesë për gabimet që kjo parti ka bërë në të kaluarën në ligje të caktuara. Ju jap fjalën e nderit, se detyrimi që shoqëria shqiptare ka ndaj tyre, Sali Berisha e konsideron borxhin e nderit të tij dhe ai borxh do shlyhet brenda një mandati. Ai është borxh, borxh dhe vetëm borxh dhe nuk do e zgjasim më shumë se mandatin e parë. Do u japim përgjigjen e përfundimtare pronës, do anulojmë të gjitha ligjet e sotme të Edi Ramës, që grabit pronat si në 1946", tha kreu i PD mes të tjerash.

Berisha bëri thirrje për "përmbysjen e diktaturës", teksa e cilësoi Shqipërinë si një "kanabistan". Berisha tha se ashtu siç anëtarësuan vendin në NATO, PD do bënte edhe anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Si aleat me PBDNJ, Berisha në miting, mori një bluzë me emrin e tij dhe flamurin helen.

Renis Gjoka dhe Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit “Stresi”, ishin dy këngëtarët që shoqëruan mitingun përmbyllës.

 

Ora 21:58
Berisha: Shqipëria është bërë kanabistan, ta përmbysim këtë diktaturë! Ne që anëtarësuam vendin në NATO, do e anëtarësojmë në BE! Nuk është për pushtetin tim!

 

Kryetari i PD-së e cilësoi vendin si një kanabistan që i shëmbëllente Kolumbisë, teksa u shpreh se vetëm ata e çonin vendin në BE, ashtu sikurse e anëtarësuan edhe në NATO.

Sali Berisha bëri thirrje për të "përmbysur këtë diktaturë" dhe se kjo nuk ishte çështje për "pushtetin e tij".

“A e shihni ju ku kemi rënë? Kemi rënë në kombin që kemi sot treguesin e lindshmërisë më të ulët në botë. Kemi rënë në kombin që sot kemi treguesin e jetesës më të keqin në Europë. Kemi rënë në kombin e vetëm që ka një vend që quhet kanabistan apo Kolumbi e Europës. Miq, më 11 Maj firmosim së bashku për një Shqipëri krenare, për një Shqipëri tjetër. Ne që përmbysim dikur një diktaturë, ne do përmbysim këtë diktaturë. Ne që anëtarësuam Shqipërinë në NATO, do anëtarësojmë Shqipërinë në BE”, tha Berisha.

Në fund ai ftoi edhe qytetarët për pjesëmarrje sa më të lartë në votimet e 11 majit.

“Ndaj dhe këto orë që na ndajnë, le ta bëjmë natën ditë, të vazhdojmë komunikimi, kontaktet, bisedat me çdo të njohur kudo që është. T’i ftojmë të bashkohen. Nuk është çështja për partitë, nuk është çështja për pushtetin e Sali Berishës. Absolutisht jo. Por është çështja për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha ai.

Ora 21:53
Berisha: Do bëjmë ‘Paktin për rininë’, në 100 ditë hedhim bazat që çdo i ri dhe e re të realizojë ëndrrën! Grante, shkollim, punësim dhe strehim

 

Teksa bëri thirrje për të përmbysur këtë diktaturë qeveritare të kryesocialistit Edi Rama, Sali Berisha premtoi edhe mbështetje për brezin e ri dhe të gjitha shtresat.

“Më 11 Maj ju votoni që brenda 100 ditëve, Shqipëria të mos ketë pension nën 200 euro. Edhe njëherë, 560 mijë burra dhe gra që sot kanë një pension nën 172 euro, brenda 100 ditëve do kenë pensionin 200 euro. Të gjithë pensionistëve të tjerë, do u rritet pensioni 20 përqind”, tha ai.

Ndërsa për rininë u shpreh:

“Të rinj dhe të reja, ju që votoni me datën 11 për herë të parë, keni një fat të bardhë. Po të gjithë ju të tjerët që shkoni me 11 Maj, vota juaj ka peshën e jetës tuaj, ka peshën e të ardhmes tuaj, ka peshën e ëndrrës tuaj të bukur. Në 100 ditët ne hedhim bazat që çdo i ri dhe e re, të mendojë, të realizojë ëndrrën shqiptare në Shqipëri. Zotimi ynë solemn është se do dyfishohen fondet për arsimin. Shkollat tuaja do modernizohen dhe se ju, se asnjë fëmijë nuk do mbetet analfabet. Qeveria e ardhshme do shpallë paktin për rininë. Qeveria e ardhshme do paktin Startup Albania. Çdo i ri do punësohet brenda vitit pas diplomimit në ndërmarrje private apo publike. Me fondin e Startup Albania çdo i ri do përfitojë 5 mijë euro grant. Çdo sipërmarrës që do u punësojë ju do ketë zbritje 70 përqind në taksa”, tha ai.

Ndërsa më tej shtoi edhe programet financiare për strehim dhe ndihmë për bizneset e të rinjve

Ora 21:16
Pas tre dekadash Berisha pranon gabimin me ish të përndjekurit dhe ish-pronarët: Kërkoj ndjesë, e konsideroj borxhin tim që do e shlyej brenda mandatit! Ligjet e Ramës për pronat do i zhbëj

 

Në fund të fjalimit të tij, Sali Berisha shprehu ndjesë edhe për gabimet që kishte bërë në qeverinë e tij ndaj ish-pronarëvem, ish të përndjekurve dhe të burgosurve politikë, që nuk morën të gjithë kompensimet që u tkaonin, duke premtuar se pas 11 majit do e realizonte përfundimisht.

Ai përsëriti se 11 maji nuk është çështje partie apo pushteti personal e Sali Berishës, por për Shqipërinë, teksa premtoi edhe anulimin e ligjeve që ka bërë qeveria Rama për grabitjen e pronave dhe për investimet strategjike.

“Një mesazh kam për ish-pronarët, të përndjekurit politikë, duke shprehur nderimet më të mëdha, por edhe duke kërkuar ndjesë për gabimet që kjo parti ka bërë në të kaluarën në ligje të caktuara. Ju jap fjalën e nderit, se detyrimi që shoqëria shqiptare ka ndaj tyre, Sali Berisha e konsideron borxhin e nderit të tij dhe ai borxh do shlyhet brenda një mandati. Ai është borxh, borxh dhe vetëm borxh dhe nuk do e zgjasim më shumë se mandatin e parë. Do u japim përgjigjen e përfundimtare pronës, do anulojmë të gjitha ligjet e sotme të Edi Ramës, që grabit pronat si në 1946. Paralajmëroj ministrat strategjikë, pas Xhaçkës na doli Ibrahimaj strategjike. Do ua marrim të gjitha ato prona, kudo që janë, do u jepen pronarëve, mos guxoni të prekni pronat e shqiptarëve. Kemi rënë në vendim e vetëm që quhet kanabistan. Ne do ta përmbysim këtë diktaturë. Ta bëjmë natën ditë, të vazhdojmë kontaktet, komunikimin, bisedat, të bashkohemi. Nuk është çështja për partitë dhe pushtetin e Sali Berishës. Por për rroga të larta, pensione të larta, shkollim punësim, investime, për ta bërë Shqipërinë zonjë, fitore!”, përfundoi ai fjalën e tij në miting.

Ora 20:59
Berisha sulmon Ramën: I shfazuari ju premtoi dy kile fara kungulli për një mandat të rinjve! Shkollim, punësim dhe çati për çdo çift, ulje taksash dhe inteligjencë artificiale

 

Sali Berisha premtoi dyfishim fondesh për arsimin, mbështetje për të rinjtë, shëndetësinë, rritje rrogash, pensionesh si dhe shkolla të reja.

“Në 100 ditë ne hedhim bazat që çdo i ri dhe e re të mendojë dhe realizojë ëndrrën shqiptare në Shqipëri. Nuk do mbetet asnjë fëmijë pa shkollë të mesme. Nuk do ketë as mesatare për shkollën e lartë. Shkollimi dhe punësimi juaj është zotimi ynë solemn. Më 11 maj vota është edhe për dinjitetin tuaj”, tha ai.

Më tej sulmoi Ramën për mungesën e programeve për të rinjtë.

“Ju e dëgjuat me veshët tuaj, ku një njeri i shfazuar dhe i çekuilibruar ju tha se do ju sigurojë një kile farë kungulli, duke u tallur. Qeveria e ardhshme do shpallë paktin për rininë, start-up albania, çdo i ri punësim brenda vitit pas diplomimit. Çdo i ri do marrë 5 mijë euro grant për sipërmarrjen e tij të re. Njeriu që ju ofroi ju dy kile far kungulli për një mandat. Por unë ju garantoj se çdo çift i ri do ketë një çati. 30 mijë euro granti, për të paguar interesat e kredisë, 70 euro për bebin e parë, 60 euro për të dytin, për të tretin pagesë e qeverisë nga lindja deri më 23 vjeç. 5 vite pa taksa, mbështetje për talentet në art, shkenca, kulturë, arsimim. Shqipëria do jetë epiqendër e hi-tech, blockchain, internetit dhe inteligjencës artificiale. Kjo do jetë Shqipëria në moshën tuaj. Jemi partia e lirisë, do vendosim regjimin e taksave më të ulëta në Europë. Për bizneset do ketë ulje taksash, tatim-fitimi 10%, për të shtuar vendet e punës.

Kreu i selisë blu nuk harroi as "Ballkanin e Hapur", duke u shprehur se do e mbyllë projektin sapo të vijë në pushtet, me qëllim ndihmën ndaj fermerëve shqiptarë. Ai akuzoi Ramën se i shërbeu presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Do e bëjmë Made in Albania. Ndihmë ndaj fermerëve. Ballkani i Hapur ishte një akt armiqësor ndaj fermerëve shqiptarë, argati i Vuçiçit i hapi kufijtë për të tjerët dhe rrënoi fermerët shqiptarë”, tha ai.

Ora 20:47
Berisha: Do rivendosim marrëdhëniet me Gjermaninë dhe administratën Trump! LaCivita e bëri Ramën t’i binte tavolinës me grushte, nesër do i bjerë me kokë

 

Sali Berisha mori fjalën e tij me një hyrje përshëndetëse për miqtë e huaj që i kishin ardhur për ta mbështetur.

“Do rivendosim bashkëpunimin më të ngushtë me Gjermaninë e kancelarit Merz. Shndërrimin e Shqipërisë në eksportues të madh në Europë e Gjermani dhe jo siç është sot. PD në pushtet do konsolidojë bashkëpunimin me partitë konservatore dhe vendet e saj mike”, tha Berisha në nisje të fjalës së tij, duke uruar kancelarin gjerman dhe bashkëpunëtorët që ishin të pranishëm në miting.

Më tej ai përshëndeti dhe i dha mirënjohjen konsulentit Chris LaCivita, që e quajti edhe strategun e fitores së presidentit Trump.

“Chris LaCivita, mirënjohje arkitektit dhe strategut të fitores së madhe të presidentit Donald Trump në SHBA. Mirënjohje për mbështetjen për rikthimin e PD-së dhe Berishës në pushtet. Emri juaj, ekspertiza juaj, u shndërrua me shpejtësi në eliksirin e kësaj fushate, në shpirtin e fitores së saj. Ditën e parë, në konferencën e shtypit, e shkallmove Edi Ramën, duke i rënë tavolinës me grushte, por të garantoj se nesër do i bjerë tavolinës me kokë. Të falenderoj për vendimin që more për ta na ndihmuar ne dhe Shqipërinë. PD në pushtet garanton se do të rivendosë marrëdhëniet më të ngushta me administratën e Trump në të gjitha fushat”, vijoi ai.

Ora 20:34
Mitingu i PD/ Chris LaCivita: Shqipëria në udhëkryq, pushojeni nga puna Edi Ramën më 11 maj!

 

Konsulenti i fushatës së PD-ADSHM, Chris LaCivita mori fjalën e tij gjatë tubimit të sotëm përmbyllës në Tiranë. Ai i bëri thirrje shqiptarëve që të votonin për opozitën dhe ta “linin pa punë Edi Ramën” pas 11 majit.

Gjithashtu ai vuri theksin te gjendja e Shqipërisë, edhe pse ka ardhur vetëm dy herë, ndërsa u shpreh se “i gjithë bota i ka sytë nga këto zgjedhje”.

“Shqipëria ndodhet në udhëkryq, Berishën e keni për t’ju shpëtuar jetën”, tha ai mes të tjerash.

LaCivita apeloi që ditën e dielë të gjithë demokratët të merrnin sa më shumë mbështetës me vete për të votuar.

Fjala e Chris LaCivita:

“Shqipëria ndodhet në udhëkryq.

Jo vetëm për ënddrat tuaja e familjeve tuaja, por edhe për pozicionin e vendit tuaj në arenën ndërkombëtare. Shqipëria s’mund të lejojë më një mandat tjetër të Edi ramës. Korrupsioni e gjendja e vështirë ekonomike që ka shkatërruar familjet, mungesa e punësimit të qëndrueshëm, gjithçka që përkufizon lumturinë tuaj, Edi Rama ua ka marrë. Por ju keni tani një shans historik.

Një shans që të tregoni se populli shqiptar e refuzon politikën e të kaluarës, se ju nuk do frikësoheni dhe nuk do reshtni së luftuari për fmailjet tuaja, e kjo ndodh vetëm nëse shkoni të votoni. Merrni me vete familjarët, fqinjët, miqtë tuaj, e lërëni pa punë Edi ramën, pushojeni nga puna.

Në Shqipëri me Berishën do keni një njeri që ka shpëtuar jetë.

Përse të mos e vendosni besimin tuaj te një mjek që do shpëtojë të ardhmen e Shqipërisë? Me plan real që do rregullojë ekonominë dhe do i japë fund korrupsionit, që do përmirësojë jetën tuaj.

Vij sot te ju si amerikan, i cili sheh një të ardhme të ndritur për një vend të madh e popull të shkëlqyer, gjithë bota i ka sytë nga këto zgjedhje. Votoni për të ardhmen tuaj, për mbështetjen tuaj dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë”.

Ora 20:22
‘Më tha je në partinë e gabuar...!’ Berisha fushatë me ‘Stresin’, reperi i dedikon këngë kreut të PD dhe ‘thumbon’ Noizy-n: Ne jena njisha, doktori i zemrës time!

 

Partia Demokratike e mbylli fushatën elektorale të saj me mitingun e Tiranës, teka kishte të ftuar përveç përfaqësuesve politikë edhe ata të artit, mes tyre këngëtarët Renis Gjoka dhe Arkimed Lushaj, ky i fundit i njohur me emrin e artit “Stresi”.

Reperi, teksa shprehu mbështetjen për PD-në dhe opozitën, deklaroi ‘pasionin’ e tij për Berishën, duke e quajtur edhe “doktori i zemrës time”, ndërsa gjatë performimit i dha edhe një përqafim.

Ai pati edhe një ‘thumbim’ për reperin tjetër, Noizy (Rigels Rajku), i cili bëri fushatë për PS-në.

Stresi bëri batutë ironike duke u shprehur:

“I thashë edhe mikut tim, Noizy! Por ai më tha ‘je në partinë e gabuar’".

Lushaj më pas performoi edhe këngën që tha se e kishte bërë posaçërisht për fushatën dhe PD-në, të titulluar “Ne jena njisha”.

Por gjatë kohës që këndonte, "Stresi" refuzoi të mbante kapelën elektorale me numrin 1 të PD-së. Ndërsa një nga simpatizantët ia vendosi në kokë, ai e hoqi dhe vijoi të këndonte.

Ora 20:00
Mitingu i PD/ Berisha merr ‘mbështetje’ edhe nga Greqia! Emri i tij i stampuar mbi flamurin helen

Në nisje të mitingut përmbyllës të partisë Demokratike ra në sy një detaj. Prania e “mbështetjes” ndaj Sali Berishës jo vetëm nga konsulenti i tij Chris LaCivita, me të cilin ka firmosur një kontratë, pagesa e të cilës ende nuk është zbuluar dhe bërë transparente, por edhe nga Greqia.

Berisha në emër të PD ka bërë aleancë zgjedhore me partinë PBDNJ të Vangjel Dules dhe jo vetëm. Pasi ai ka shpallur aleancën dhe mbështetjen edhe për Fredi Belerin, që e kandidoi në Himarë si kryebashkiak dhe tani që është eurodeputet grek pas dënimit me 2 vite burg për korrupsion, ka bërë edhe fushatë elektorale krah tij në jug të vendit, e kryesisht në Himarë.

Dhe ‘mbështetja’ e Greqisë nuk mungoi as sot në miting, ku një prej simpatizanteve u shfaq me një bluzë me flamurin grek, numrin 1 të PD-ADSHM dhe emrin “Sali Berisha” mbi flamurin helen.

Ora 19:59
Mitingu përmbyllës / Report Tv sjell pamjet me dron nga takimi i Berishës, ja pjesëmarrja

Report Tv sjell pamjet me dron nga mitingu përmbyllës i Sali Berishës në Tiranë. Në pamje mund të dalloni pjesëmarrjen në mitingun e Sali Berishës.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • duri: 09/05/2025 22:49

    Noc rrokun e kanë të sigurt shqiptarët e kanë kuptuar që me shpellarë nuk fitohet.

    Përgjigju
  • Klajdi: 09/05/2025 19:55

    Super miting PD ka lezet si ne Us

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ju është dukur fushata zgjedhore?